Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
Sindroma Hikikomori

Sindroma Hikikomori është një fenomen që ndikon individët duke i shtyrë drejt një izolimi të plotë social për periudha të gjata kohore. Termi u krijua dhe u përshkrua për herë të parë në librin Hikikomori: Adolescence Without End nga psikiatri japonez Saito Tamaki, në vitin 1998. Fjala “hiki” nënkupton tërheqjen ose izolimin, ndërsa “komori” do të thotë të jesh i mbyllur ose brenda.

Fenomeni Hikikomori është veçanërisht i përhapur në Japoni, ku sipas statistikave rreth 1.2 milion njerëz jetojnë të izoluar. Megjithatë, ai është shfaqur edhe në vende të tjera si Koreja e Jugut, SHBA, dhe vendet evropiane.

Përhapja e këtij fenomeni global është një reflektim i presionit për sukses,zhvillimit teknologjik, dhe ndryshimeve në strukturat sociale.

Çfarë Është Sindroma Hikikomori?

Sindroma Hikikomori është një gjendje komplekse psikologjike dhe sociale që përfshin tërheqjen ekstreme nga ndërveprimet shoqërore, shpesh e shoqëruar me ankth social dhe vështirësi në menaxhimin e situatave. Ky fenomen nuk është i kategorizuar zyrtarisht si çrregullim në manualet diagnostikuese si DSM-5 ose ICD-11, por shpesh lidhet me çrregullime të tjera si ankthi social, depresioni i rëndë, çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD), apo edhe çrregullimi i spektrit të autizmit (ASD).

Ky izolim fillon gradualisht si një mekanizëm mbrojtës ndaj stresorëve të jashtëm dhe më pas shndërrohet në një mënyrë jetese. Në përgjithësi, Hikikomori nuk është thjesht një zgjedhje për izolim, por një gjendje e rëndë që pasqyron luftën e individit me veten dhe me shoqërinë. Kjo gjendje kërkon trajtim të mirëfilltë psikologjik dhe ndërhyrje multidisiplinare për të adresuar rrënjët e saj komplekse.

Shkaqet Që Qëndrojnë Pas Sindromës Hikikomori

Sindroma Hikikomori e cila karakterizohet nga tërheqja sociale dhe një izolim ekstrem është rezultat i një kombinimi kompleks faktorësh psikologjik, social dhe kulturorë.

Kjo gjendje ka bërë që shumë individë të humbasin lidhjet me botën reale, duke u zhytur në një botë të izoluar dhe shpesh të lidhur vetëm me teknologjinë.

  • Presioni shoqëror dhe pritshmëritë e larta

Në shoqëritë ku suksesi akademik dhe profesional vlerësohet mbi gjithçka, shumë individë ndihen të mbingarkuar nga pritshmëritë e prindërve dhe shoqërisë. Dështimi për të arritur këto standarde shpesh çon në ndjenja pasigurie,turpi dhe dyshimi mbi veten duke i shtyrë individët drejt izolimit.

Shembull: Në Japoni, dështimi i një provim të rëndësishëm shpesh perceptohet si humbje e nderit familjar, gjë që mund të çojë në izolim të gjatë për të shmangur “turpërimin publik”.

  • Ndikimi i teknologjisë

Lojërat kompjuterike, interneti dhe rrjetet sociale kanë krijuar një realitet virtual ku individët mund të shmangin sfidat e botës reale. Teknologjia shpesh zëvendëson ndërveprimet sociale tradicionale, duke e bërë më të lehtë izolimin.

Fakt: Shumë prej individëve me Hikikomori kalojnë deri në 12 orë në ditë në internet ose duke luajtur video lojëra.

Shumë prej individëve që vuajnë nga kjo sindromë përjetojnë ankth të rëndë social, frikë nga gjykimi, ose depresion. Këto gjendje shpesh bëhen arsyeja kryesore për të shmangur kontaktin social dhe krijimin e një izolimi ekstrem.

Fakt: Studime kanë treguar se 90% e individëve me Hikikomori vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor si depresioni ose ankthi.

  • Faktorët familjarë

Dinamikat disfunksionale familjare luajnë një rol në tërheqjen sociale veçanërisht nëse individi ka përjetuar abuzim, keqtrajtimin ose trauma gjatë fëmijërisë.

  • Faktorët kulturorë dhe stigma

Në disa kultura, si ajo japoneze, stigma për çështjet e shëndetit mendor i pengon njerëzit të kërkojnë ndihmë.Kjo e përkeqëson gjendjen duke e bërë të vështirë ndërhyrjen terapeutike.

Cilat Janë Fazat E Hikikomorit?

Çdo fazë e hikikomori ka zhvillime të ndryshme. Tre muaj të tërheqjes sociale njihen si pre-hikikomori. Nëse gjendja përparon, individi fillon të ikë emocionalisht dhe të tërhiqet nga marrëdhëniet e drejtpërdrejta. Faza e vonë e hikikomori përfshin një shkëputje të plotë nga bota fizike dhe një zhytje të plotë në botën virtuale.

Simptomat Dhe Shenjat Që Nuk Duhen Neglizhuar

Sindroma Hikikomori përfshin një sërë simptomash dhe shenjash që janë të rëndësishme për t’u njohur dhe adresuar. Këto simptoma shpesh manifestohen si në sjellje ashtu edhe në mirëqenien emocionale.

  • Izolim Social Ekstrem

Izolimi social është një simptomë kryesore e sindromës Hikikomori. Individët që vuajnë nga ky fenomen shpesh tërhiqen nga çdo formë ndërveprimi social duke qëndruar të mbyllur në shtëpi për periudha të gjata. Ky izolim mund të zgjasë muaj ose edhe vite.

  • Vështirësia Për Të Kryer Detyra Të Përditshme

Ata që janë të prekur nga Hikikomori mund të kenë vështirësi në menaxhimin e detyrave të përditshme ose menaxhimi i rutinës personale. Mungesa e motivimit dhe energjisë për t’u angazhuar në këto aktivitete mund të çojë në një degradim të funksionit të tyre të përditshëm.

  • Dëmtime Të Funksioneve Sociale Dhe Profesionale

Sindroma Hikikomori shkakton dëmtime të funksionimit në shkollë ose punë. Individët mund të përjetojnë vështirësi në përmbushjen e kërkesave profesionale ose akademike duke i shtyrë ata të përjetojnë pasiguri.

  • Ndjenja E Pasigurisë Dhe Anksiozitetit

Për individët me Hikikomori, ankthi social është një simptomë e zakonshme. Ata mund të ndihen të pasigurt për të përballuar ndodhira të thjeshta shoqërore dhe ndihmojnë frikën e dështimit ose gjykimit nga të tjerët, duke shpërthyer në forma të ankthit të fortë.

  • Sjellje Të Vetë-Dëmtimit

Një simptomë më ekstreme është sjellja e vetë-dëmtimit që mund të përfshijë mendime vetëvrasëse ose depresion të thellë për shkak të pasigurisë dhe izolimit të thellë. Kjo kërkon ndërhyrje urgjente dhe mbështetje profesionale.

  • Probleme Me Vetëvlerësimin

Individët me Hikikomori shpesh vuajnë nga vetëvlerësim të ulët. Ata ndihen të pafuqishëm dhe të pasigurt për tu përballuar me jetën shoqërore dhe profesionale duke shkaktuar izolim të plotë.

Si Të Kapërceni Hikikomorinë?

Kapërcimi i Hikikomorisë kërkon përpjekje nga individi, familja dhe profesionistët e shëndetit mendor. Procesi shpesh është i gjatë, por me mbështetjen e duhur është i mundur.

Kërkimi i ndihmës profesionale :Një psikolog ose psikiatër mund të ndihmojë në adresimin e problemeve themelore të shëndetit mendor dhe të zhvillojë një plan trajtimi. Terapitë e rekomanduara përfshijnë:

  • Terapia kognitive-biheviorale (CBT): Ndihmon në ndryshimin e mendimeve negative dhe zhvillimin e aftësive sociale. Nëpërmjet këtij procesi, individët mësojnë të nënvlerësojnë frikën nga ndërveprimet sociale dhe të zhvillojnë aftësi për të përballuar situatat stresuese.
  • Terapia Psikodinamike: Fokusohet në gjetjen e rrënjëve të problemit emocional dhe psikologjik. Pjesa më e madhe e punës në këtë terapi përqendrohet në kuptimin e dinamikave të brendshme dhe marrëdhënieve të hershme që mund të kenë kontribuar në zhvillimin e sindromës Hikikomori. Psikologu dhe individi mund të analizojnë përvoja të ndryshme, si p.sh. fëmijëria, për të kuptuar se si mund të jenë formuar modelet e mendimit dhe sjelljes që çojnë në izolim.

Ndërmjetësimi i familjes :Familja duhet të jetë mbështetëse dhe jo gjykuese. Përpjekjet për të inkurajuar individin të angazhohet në aktivitete të vogla sociale duke u shkëputur nga izolimi janë të domosdoshme.

Angazhimi gradual në shoqëri :Procesi i rikthimit në shoqëri duhet të jetë gradual. Fillimi me detyra të vogla, si shëtitjet e shkurtra ose bisedat me një mik të besuar ndihmon në uljen e ankthit.

Promovimi i aktiviteteve fizike :Aktivitetet si joga, ecja, apo ushtrimet ndihmojnë në përmirësimin e humorit dhe reduktimin e stresit.

Krijimi i një rutine të qëndrueshme :Rivendosja e një rutine ditore me aktivitete të shëndetshme ndihmon në rikthimin e kosistencës dhe mirëqenies ndaj vetes.

Sindroma Hikikomori është një fenomen që kërkon vëmendje dhe ndërhyrje të specializuar. Izolimi mund të jetë një mënyrë mbrojtëse,por ai ka pasoja serioze për shëndetin mendor. Nëse po përjetoni vështirësi të ngjashme është e rëndësishme të kërkoni mbështetje profesionale. Klinika Ego ofron trajtime të personalizuara për t’ju ndihmuar të rikuperoni dhe të rindërtoni lidhjet sociale.

REZERVONI NJË TAKIM TANI!

BURIME
NIH-Hikikomori, A Japanese Culture-Bound Syndrome of Social Withdrawal?
Psychology Today-Hikikomori