Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
Çfarë është Terapia e Njohjes dhe e Sjelljes CBT?

Terapia e njohjes dhe e sjelljes (CBT) është një lloj trajtimi psikoterapeutik i fokusuar në mënyrën se si janë të lidhura mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona. Kjo terapi synon të dallojë dhe të ndryshojë modelet negative të të menduarit të dhe sjelljes duke ndihmuar në mënyrën sesi ndihemi dhe veprojmë. Mendimet negative mund të dëmtojnë shëndetin emocional. Përmes Terapisë CBT, këto mendime identifikohen, sfidohen dhe zëvendësohen me mendime më realiste dhe të qëndrueshme.

Si funksionon Terapia CBT?

CBT është një formë terapie biseduese që mund të përdoret me fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit. Qëllimet e kësaj terapie janë:

  • Perceptimi dhe kuptimi i mendimeve,ndjenjave dhe i sjelljeve.
  •  Zëvendësimi i mendimeve negative me ato më realiste dhe pozitive.
  • Ndryshimi i sjelljeve që shkaktojnë probleme në jetën e përditshme.

Marrim një shembull. Njerëzit me disleksi shpesh kanë frikë të lexojnë me zë të lartë, qoftë në shkollë, në punë ose në një mjedis shoqëror. Ata kanë frikë se mund të gjykohen.

Fëmijët mund të thonë: “Unë nuk jam i aftë dhe nuk mund të mësoj. Nuk do lexoj më libra për shkollën.”

Të rriturit mund të thonë: “Unë nuk jam mjaftueshëm i zgjuar për këtë punë dhe nuk do të kem sukses”.

Terapia CBT mund t’i ndihmojë këta individë ta sfidojnë këtë mendim dhe ta zëvendësojnë atë me:

“Unë kam shumë pika të forta. Problemet e mia me leximin mund t’i bëjnë gjërat më të vështira, por unë jam po aq i zgjuar sa njerëzit e tjerë. Dhe ka mjete që mund t’i përdor për ta bërë më të lehtë leximin.”

Terapia CBT në bashkëpunim me terapistin që ndiqni vendos qëllime, për të identifikuar problemet dhe për të kontrolluar përparimin. Fëmijët mund të marrin detyra për të bërë ndërmjet seancave për të ndërtuar aftësitë që po mësojnë.

Cilat çrregullime mund të trajtojë Terapia CBT?

CBT përdoret për të trajtuar një gamë të gjerë çrregullimesh psikologjike:

  •  Ankth
  •  Depresion
  • Ndjenja të vazhdueshme faji ose turpi
  •  Sulmet e panikut
  •  Çrregullime të personalitetit
  •  Çrregullimi i stresit post-traumatik
  •  Fobi sociale
  •  Fobitë specifike
  •  Ndjenjat e vetëvlerësimit të ulët
  •  Varësitë e ndryshme
  •  Problemet e të ngrënit
  •  Sindroma e lodhjes kronike

CBT gjithashtu përfshin të mësuarit e aftësive të reja për t’u përballur me situata të vështira. Kjo mund të përfshijë mënyra për t’u qetësuar, për të zgjidhur problemet ose për të përmirësuar aftësitë sociale, në varësi të asaj që personi ka nevojë.

Benefitet e Terapisë CBT

Disa nga përfitimet kryesore të CBT përfshijnë:

  •  Fuqizimi dhe pjesëmarrja aktive: CBT inkurajon individët të marrin një rol aktiv në trajtimin e tyre dhe i ofron atyre aftësi dhe strategji për të menaxhuar mbingarkesat emocionale dhe sjelljet negative.
  •  Fokusimi në të tashmen: Terapia fokusohet në kujdesin ndaj momentit aktual dhe në zgjidhjen e problemeve aktuale, duke iu larguar analizës së tepërt të të kaluarës.
  •  Qëllime të specifikuara të trajtimit: CBT ndihmon individët të identifikojnë dhe të punojnë drejt arritjes së qëllimeve të tyre specifike në trajtim, duke u përqëndruar në zgjidhjen e problemeve konkrete.
  •  Kohë e kufizuar dhe numër specifik seancash: Terapia zakonisht përfshin një numër të caktuar seancash dhe ka një qasje të kufizuar kohore, e cila ndihmon në përqendrimin, në qëllimet dhe zgjidhjen e problemeve.
  •  Efektiv në trajtimin e shumë çrregullimeve: CBT është studiuar gjerësisht dhe ka demonstruar efektivitet në trajtimin e shumë çrregullimeve të shëndetit mendor, përfshirë depresionin, ankthin, PTSD-në, OCD-në dhe më shumë.
  •  Pajisja me aftësi dhe strategji praktike: Individët marrin aftësi dhe strategji praktike gjatë terapisë që ata mund t’i zbatojnë në jetën e tyre të përditshme për të menaxhuar sfidat dhe për të promovuar mirëqenien e tyre.
  •  Terapi fleksibël dhe e personalizuar: CBT mund të përshtatet në nevojat dhe preferencat individuale me plane të personalizuara trajtimi, duke ofruar një qasje fleksibël për të përshtatur me nevojat e secilit.
  •  Përshtatshmëria e teknikave pas përfundimit të terapisë: Teknikat e mësuara në CBT mund të përdoren edhe pas përfundimit të terapisë për të menaxhuar sfidat e vazhdueshme, për të zvogëluar shkallën e rikthimit dhe për të promovuar mirëqenien e përgjithshme në jetën e përditshme.

A mund të kryhet Terapia CBT online?

Terapia CBT online ofron një platformë për pacientët për të marrë ndihmën e tyre të shëndetit mendor nëpërmjet internetit. Kjo mund të përfshijë seanca të drejtpërdrejta me një terapist përmes video telefonatës, biseda nëpërmjet mesazheve, dhe materiale të tjera mbështetëse që mund të aksesohen në internet.

Në shumicën e rasteve, terapia CBT online ofron të njëjtën cilësi dhe efektivitet si terapia tradicionale fizike. Pacientët ende kanë mundësinë për të zhvilluar një marrëdhënie të fortë me terapistin e tyre, duke përdorur teknologjinë si një mjet për të lidhur dhe për të ndarë informacione.

Benefitet e terapisë CBT online:

  •  Akses i lehtë
  •  Fleksibiliteti kohor
  •  Mundësi për anonimësi
  •  Mënyra e përshtatshme për të rinjtë
  •  Efektiviteti

Terapia CBT vendos rëndësinë në ndihmën e individëve të mësojnë të jenë terapistët e vetes së tyre, duke përdorur ushtrime në seanca dhe zhvillimin e aftësive për tu përballur me vështirësitë. Terapistët CBT theksojnë atë që po ndodh në jetën aktuale të personit, në vend të asaj që ka çuar në vështirësitë e tyre. Nevojitet një sasi e caktuar informacioni për historinë e dikujt, por fokusi është kryesisht në ecjen përpara në kohë për të zhvilluar mënyra më efektive për të përballuar jetën.

BURIME

VERYWELLMIND-What Is Cognitive Behavioral Therapy (CBT)?
NHS- Cognitive behavioural therapy (CBT)