Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Trikotilomania: Mania E Shkuljes Së Flokëve

Trikotilomania Mania E Shkuljes Së Flokëve

“Pse po i shkul flokët pa e kuptuar?”

Ka njerëz që, pa e kuptuar plotësisht, e gjejnë veten duke shkulur flokët nga koka, vetullat apo pjesë të tjera të trupit. Është Trikotilomania, një çrregullim i klasifikuar klinikisht si “Sjellje e Fokusuar Tek Trupi “(Body-Focused Repetitive Behavior, BFRB), dhe prek 1–2% të popullsisë botërore.

Në pamje të parë mund të duket si një zakon i thjeshtë nervoz, por në realitet është një gjendje neuropsikiatrike që lidhet me ankthin, stresin dhe vetëkontrollin.

Çfarë Është Trikotilomania?

Trikotilomania (nga greqishtja: trichos = flok, tillein = tërhequr, mania = çrregullim) është një gjendje neuropsikiatrike e karakterizuar nga impulsi i pakontrollueshëm për të tërhequr flokun nga koka, vetullat, qerpikët, ose zona të tjera të trupit.

Klasifikohet në DSM-5 (Manuali Diagnostikues i Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë) në të njëjtën familje me çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD). Dallimi kryesor: ndryshe nga zakonet e thjeshta, personi me trikotilomania shpesh nuk mund të ndalojë, edhe kur dëshiron fort ta bëjë këtë.

“Nuk e bëja me qëllim. Nuk e kuptoja as vetë kur fillonte. Zbuloja flokë të hequr vetëm pasi kishte ndodhur.”

Ky veprim shpesh sjell një ndjenjë lehtësimi të përkohshëm, por më pas pasohet nga ndjenja faji, turpi apo zhgënjimi.

Faktorët E Rrezikut

Disa faktorë që rrisin mundësinë e zhvillimit të këtij çrregullimi janë:

  • Mosha: Fillon shpesh në fëmijëri ose adoleshencë
  • Gjinia: Më e zakonshme tek femrat (rreth 90% në moshë madhore)
  • Stresi dhe trauma
  • Çrregullime shoqëruese: ankthi, depresioni ,sjellje të tjera si skin picking

Çfarë Karakteristikash Ka Trikotilomania?

Trikotilomania karakterizohet nga:

  • Impuls i fortë dhe i pakontrollueshëm për të tërhequr flokët
  • Sjellje automatike (pa vetëdije) ose e fokusuar (me vetëdije)
  • Cikël emocional: tension → tërheqje → lehtësim → ndjenjë faji
  • Vështirësi për ta ndaluar pavarësisht përpjekjeve
  • Përdorimi i sjelljes si mënyrë për të përballuar stresin dhe ankthin
  • Sjellje shoqëruese si luajtja, rrotullimi ose gëlltitja e flokëve (trichophagia)
  • Ndikim në vetëvlerësim dhe përpjekje për të fshehur zonat pa flokë

Shumë persona e kryejnë këtë veprim në mënyrë automatike gjatë leximit, shikimit të televizorit, ose përpara gjumit pa e kuptuar, ndryshe nga sjellja e fokusuar, ku personi vepron me vetëdije të plotë si përgjigje ndaj stresit,ankthit ose tensionit.

Trikotilomania shpesh ekziston së bashku me:

  • Ankthin
  • Depresionin
  • Çrregullime të spektrit obsesivo-kompulsiv (OCD)
  • Sjellje të tjera BFRB si skin picking

Çfarë E Shkakton Trikotilomania?

Shkaqet janë multifaktoriale ,nuk ekziston një burim i vetëm. Hulumtimet tregojnë ndërveprim të faktorëve biologjikë, psikologjikë dhe mjedisorë:

  • Faktorët gjenetikë dhe neurologjikë

Studimet tregojnë komponent gjenetik të qartë gjasat janë më të larta nëse dikush nga familja e afërt ka OCD ose çrregullime të ngjashme. Imazheria e trurit ka identifikuar anomali strukturore në gjirin frontal inferior të djathtë dhe cerebelin, zona të lidhura me kontrollin e impulseve.

  • Rregullimi emocional

Tërheqja e flokëve shpesh funksionon si mekanizëm për të përballur stresin, ankthin ose mërzinë. Truri mëson ta lidhë veprimin me lehtësimin e tensionit emocional çka e bën këtë veprim të ketë funksion rregullues emocional, pavarësisht dëmit fizik.

  • Kimia e trurit

Trikotilomania shpesh lidhet me çrregullime të spektrit të çrregullimeve obsesivo-kompulsive (OCD), duke sugjeruar një rol të neurotransmetuesve si serotonina.

  • Faktorë mjedisorë

Ngjarje traumatike, ndryshime të mëdha jetësore ose ambiente me stres të lartë kronik mund të ndezin ose të rëndojnë simptomat. Pubertetit i lidhur me ndryshime hormonale shpjegon pse fillimi ndodh zakonisht midis 10–13 vjeç.

Si Ndikon Trikotilomania Në Jetën E Përditshme?

Ndikimi emocional dhe social

  • Turp dhe ndjenjë faji
  • Vetëvlerësim i ulët
  • Izolim social
  • Vështirësi në marrëdhënie

Shumë persona shmangin aktivitete të thjeshta si:

  • Daljet me miq
  • Shkuarja në parukeri
  • Situata ku ekspozohet pamja e tyre

Pasojat fizike

  • Dëmtime të lëkurës
  • Infeksione
  • Humbje e përhershme e flokëve në raste të rënda
  • Alopeci

A Është Trikotilomania Një Çrregullim Kronik?

Po, nëse nuk trajtohet, mund të bëhet kronike, me periudha përmirësimi dhe rikthimi. Megjithatë, lajmi i mirë është se trajtohet me sukses në shumë raste.

Trajtimi I Trikotilomanisë: Si Të Ndaloni Tërheqjen E Flokëve?

CBT (Cognitive Behavioral Therapy) konsiderohet metoda më e suksesshme për trajtimin e trikotilomanisë.

Një nga teknikat kryesore është Habit Reversal Training (HRT), e cila ndihmon pacientin të:

  • Identifikojë momentet kur shfaqet impulsi për të tërhequr flokët
  • Kuptojë situatat dhe emocionet që e nxisin sjelljen
  • Zëvendësojë tërheqjen e flokëve me sjellje alternative më të shëndetshme
  • Rrisë ndërgjegjësimin dhe kontrollin mbi impulse

Mbështetja psikologjike dhe menaxhimi i stresit

Përveç CBT, mbështetja psikologjike luan rol kyç në trajtim:

  • Terapi individuale për të eksploruar shkaqet emocionale
  • Teknika për menaxhimin e stresit dhe ankthit
  • Teknika relaksimi si frymëmarrja e thellë, mindfulness dhe meditimi

Këto metoda ndihmojnë në reduktimin e tensionit që shpesh nxit sjelljen e tërheqjes së flokëve.

Trajtimi medikamentoz (kur është i nevojshëm)

Në disa raste, trajtimi mund të përfshijë edhe medikamente, sidomos kur trikotilomania shoqërohet me çrregullime të tjera.

Medikamentet mund të përdoren për:

  • Ankthin
  • Depresionin
  • Simptomat obsesivo-kompulsive

Trajtimi medikamentoz duhet gjithmonë të rekomandohet nga një mjek ose psikiatër.

Nëse po përjetoni simptoma të trikotilomanisë, kërkimi i ndihmës nuk është dobësi është hapi i parë drejt kontrollit dhe përmirësimit të jetës tuaj.

Vizitoni Klinika Ego për trajtim profesional dhe terapi të personalizuar.

BURIME

Trichotillomania- Jon E Grant 1, Samuel R Chamberlain 2 NIH

Trichotillomania and its treatment: a review and recommendations-NIH PMC

Klinika EGO
Politika e Cookie-ve

Kjo faqe interneti përdor cookies në mënyrë që të mund t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookies ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione si njohja juaj kur riktheheni në faqen tonë të internetit, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.

Për më shumë informacion, vizitoni faqen Politika e Cookie-ve