Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
Teoria E Atashimit

A e keni menduar ndonjëherë pse disa njerëz krijojnë marrëdhënie të shëndetshme dhe të qëndrueshme, ndërsa disa të tjerë përballen me pasiguri dhe frikë nga braktisja?

Kjo lidhet me stilin e atashimit, një koncept që ndikon thellësisht në mënyrën sesi ndërtojmë lidhjet emocionale. Teoria e atashimit, e zhvilluar nga psikologu John Bowlby, shpjegon sesi atashimi zhvillohet gjatë fëmijërisë, ku sjellja e prindërve formon mënyrën se si fëmija i përcepton marrëdhëniet e ngushta.

Por çfarë ndodh kur një fëmijë nuk merr kujdesin e duhur emocional? A mund të ndryshohet stili i atashimit?

Çfarë Është Teoria E Atashimit?

Teoria e atashimit është procesi nëpërmjet të cilit një fëmijë krijon lidhje të forta emocionale me kujdestarin kryesor (zakonisht nënën) dhe kjo lidhje ka ndikim në mënyrën sesi ai individ do të reagojë dhe veprojë në mardhënie të tjera gjatë jetës.

Nëse një fëmijë rritet në një mjedis të sigurt dhe mbështetës, ai do të zhvillojë një atashim të shëndetshëm. Në të kundërt pasiguria, braktisja apo shpërfillja nga kujdestari mund të krijojnë modele të vështira të lidhjes emocionale të cilat ndikojnë edhe në jetën e rritur.

Pse Është I Rëndësishëm Atashimi?

  • Ndikon në marrëdhëniet romantike dhe miqësore.
  • Formon mënyrën sesi ne perceptojmë veten dhe të tjerët.
  • Ndikon në aftësinë tonë për të menaxhuar stresin dhe emocionet.

Llojet E Atashimit

Psikologët ndajnë teorinë e atashimit në katër stile kryesore:

  1. Atashimi i Sigurt

Lidhja e kujdestarit me fëmijën – Atashimi i sigurt zhvillohet kur figura kujdestare (zakonisht nëna) është e qëndrueshme, e dashur dhe e gatshme të përmbushë nevojat emocionale dhe fizike të fëmijës. Ky fëmijë mëson se mund të mbështetet tek të tjerët dhe zhvillon besim tek njerëzit.

Si ndikon te të rriturit?

  • Janë të sigurt në marrëdhëniet romantike dhe sociale.
  • Kanë vetëbesim të lartë dhe aftësi të mira për të menaxhuar stresin.
  • Janë të hapur emocionalisht dhe krijojnë lidhje të shëndetshme.

Shembull: Një person me atashim të sigurt nuk shqetësohet nëse partneri është i zënë dhe nuk përgjigjet menjëherë. Ai e di se marrëdhënia është e qëndrueshme dhe nuk ka nevojë për konfirmim të vazhdueshëm.

  1. Atashimi Anxioz-Ambivalent

Lidhja e kujdestarit me fëmijën – Ky stil atashimi formohet kur kujdestari është i paqëndrueshëm në përgjigjet e tij ndaj nevojave të fëmijës. Herë ofron dashuri dhe kujdes, herë është emocionalisht i largët ose i pavëmendshëm. Fëmija rritet me pasiguri dhe ndjenjë të vazhdueshme ankthi.

Si ndikon te të rriturit?

  • Kanë frikë nga braktisja dhe kërkojnë konfirmim të vazhdueshëm.
  • Kanë vështirësi të besojnë tek të tjerët dhe ndihen të pasigurt.
  • Priren të jenë emocionalisht të varur nga partneri.

Shembull: Një person me këtë stil atashimi mund të ndjejë panik ose pasiguri nëse partneri nuk përgjigjet menjëherë në mesazh, duke menduar se është lënë pas dore.

  1. Atashimi Neglizhues (Shmangës)

Lidhja e kujdestarit me fëmijën – Ky stil zhvillohet kur kujdestari është emocionalisht i largët dhe nuk përmbush nevojat emocionale të fëmijës. Si rezultat, fëmija mëson se nuk mund të mbështetet tek të tjerët dhe zhvillon një tendencë për të shmangur lidhjet e thella emocionale.

Si ndikon te të rriturit?

  • Priren të jenë shumë të pavarur dhe shmangin intimitetin.
  • Kanë vështirësi të shprehin emocionet dhe të lidhen me të tjerët.
  • Shmangin konfliktet duke u tërhequr emocionalisht.

Shembull: Një person me këtë stil mund të refuzojë të ndajë ndjenjat dhe të shmangë diskutimet emocionale, duke preferuar të fokusohet te puna ose hobi-t personale.

  1. Atashimi i Çrregulluar

Lidhja e kujdestarit me fëmijën – Ky stil atashimi lidhet me eksperienca traumatike në fëmijëri, ku kujdestari është njëkohësisht burim sigurie dhe frike. Fëmija rritet me ndjenja të përziera: dëshiron dashuri, por njëkohësisht ka frikë nga ajo.

Si ndikon te të rriturit?

  • Kanë marrëdhënie të paqëndrueshme dhe konflikte të shpeshta emocionale.
  • Mund të shfaqin frikë nga intimiteti dhe të largohen nga njerëzit që i duan.
  • Janë të prirur për çrregullime emocionale si ankthi, depresioni dhe ADHD.

Shembull: Një person me këtë stil mund të kërkojë afërsi emocionale, por sapo partneri afrohet, mund të ndjejë frikë dhe të largohet duke krijuar cikle të paqëndrueshme në marrëdhënie.

A Mund Të Ndryshojmë Stilin E Atashimit?

Po, është e mundur! Edhe pse stili i atashimit formohet në fëmijëri, ai nuk është i pandryshueshëm. Me vetëdije, përpjekje dhe mbështetje të duhur, mund të zhvilloni një stil atashimi më të sigurt dhe të përmirësoni marrëdhëniet tuaja.

Si Të Krijoni Një Atashim Më të Shëndetshëm?

Nëse ndjeni se marrëdhëniet tuaja janë të ndikuara nga një stil atashimi jo i sigurt, ka hapa që mund të ndërmerrni për ta përmirësuar atë.

Psikoterapia është një nga metodat më efektive për të kuptuar dhe përpunuar modelet e atashimit.

  • Terapia si Terapia Kognitive-Biheviorale (CBT) ndihmojnë në identifikimin e modeleve të sjelljes dhe krijimin e strategjive për ndryshim.
  • Psikologët dhe terapistët mund t’ju ndihmojnë të zhvilloni vetëdije mbi marrëdhëniet tuaja dhe të mësoni mënyra më të shëndetshme të lidhjes me të tjerët.

Ndërtimi i Vetëbesimit dhe Vetëkujdesit

  • Vetëdija emocionale – Njohja e emocioneve tuaja dhe mënyra se si ato ndikojnë në marrëdhënie është hapi i parë drejt ndryshimit.
  • Praktikimi i vetëkujdesit – Kujdesi për shëndetin mendor dhe fizik ndihmon në rritjen e sigurisë emocionale. Kjo përfshin aktivitetet që ju bëjnë të ndiheni mirë si meditimi, ushtrimet fizike dhe hobi personale.
  • Vendosja e kufijve të shëndetshëm – Të mësoni të thoni “jo” dhe të komunikoni nevojat tuaja qartë është thelbësore për ndërtimin e marrëdhënieve të ekuilibruara.

Pse Është E Rëndësishme Të Ndryshoni Stilin E Atashimit?

Një stil atashimi i shëndetshëm ndihmon në:

  • Forcimin e marrëdhënieve romantike dhe shoqërore
  • Menaxhimin më të mirë të stresit dhe emocioneve
  • Reduktimin e frikës nga braktisja ose konfliktet
  • Ndërtimin e një vetëbesimi më të lartë dhe një jete më të balancuar

Nëse e ndjeni se stili juaj i atashimit po ndikon në jetën tuaj personale dhe profesionale është koha të punoni mbi të.

Rezervoni një takim tani!

Shkroi me EGONeuropsikologe KlinikeFiona Zeka