Crregullimi i stresit post traumatik, sipas klasifikimit të ri të DSM-5-ës (“Manualit diagnostik dhe statistikor të çrregullimeve mendore”, 2013), klasifikohet në Crregullimet e lidhura me traumën e stresorë, në ndryshim nga klasifkimi i mëparshëm në DSM-IV-TR (2000), ku klasifikohej në Crregullimet e ankthit. Sipas këtij manuali, që të jetë i pranishëm Crregullimi i stresit post traumatik (PTSD), simptomat duhet të jenë rezultat i një ngjarje jetësore të përmasave të jashtëzakonshme. Këtu përfshihet ekspozimi ndaj vdekjes, lëndimit të rëndë ose dhunës seksuale, aktuale ose kërcënuese, në një ose më shumë nga mënyrat e mëposhtme (kriteri A):
- Përjetimi i drejtpërdrejtë i ngjarjes(ve) traumatike.
- Të dëshmosh personalisht, ngjarjen(at) që u ndodh të tjerëve.
- Mësimi se ngjarja(at) traumatike i ndodhi një anëtari të ngushtë të familjes ose mikut të ngushtë. Në rastet e vdekjes aktuale ose të kërcënuar të një anëtari të familjes ose shokut, ngjarja(at) duhet të kenë qenë të dhunshme ose aksidentale.
- Përjetimi i ekspozimit të përsëritur ose ekstrem ndaj detajeve të neveritshme të ngjarjeve traumatike (p.sh., ofruesit e ndihmës së pare në katastofa që mbledhin mbetjet njerëzore; oficerët e policisë që ekspozohen vazhdimisht ndaj detajeve të abuzimit të fëmijëve), personalisht ose përmes materialeve të lidhura me punën, në formë elektronike.
Simptomat e PTSD-së kategorizohen në katër grupime:
B. Simptoma ndërhyrëse
C. Simptoma shamngëse, mënjanuese
D. Simptoma konjitive (njohëse) dhe gjendje shpirtërore negative
E. Simptoma të ngacmueshmërisë së shtuar autonome
B. Prania e një ose më shumë prej simptomave të mëposhtme të ndërhyrjes të lidhura me ngjarjen(at) traumatike, duke filluar pas ndodhjes së ngjarjes(ve) traumatike:
- Kujtime shqetësuese të përsëritura, të pavullnetshme dhe ndërhyrëse të ngjarjes(ve) traumatike.
- Ëndrrat shqetësuese të përsëritura në të cilat përmbajtja dhe/ose efekti i ëndrrës lidhen me ngjarjen(at) traumatike.
- Reagimet disociative, në të cilat individi ndihet ose vepron sikur ngjarja(at) traumatike të përsëriten. (Reagime të tilla mund të ndodhin në një vazhdimësi, me shprehjen më ekstreme që është humbja e plotë e vetëdijes për mjedisin aktual.)
- Shqetësim psikologjik intensiv ose i zgjatur nga ekspozimi ndaj shenjave të brendshme ose të jashtme që simbolizojnë ose i ngjajnë një aspekti të ngjarjes(eve) traumatike.
- Reagime të theksuara psikologjike ndaj sinjaleve të brendshme ose të jashtme që simbolizojnë ose i ngjajnë një aspekti të ngjarjes(ve) traumatike.
C. Shmangia e vazhdueshme e stimujve të lidhur me ngjarjen(at) traumatike, duke filluar pas ndodhjes së ngjarjes(eve) traumatike, siç dëshmohet nga një ose të dyja nga sa vijon:
- Shmangia ose përpjekjet për të shmangur kujtimet, mendimet ose ndjenjat shqetësuese rreth ose të lidhura ngushtë me ngjarjen(at) traumatike.
- Shmangia ose përpjekjet për të shmangur përkujtuesit e jashtëm (njerëz, vende, biseda, aktivitete, objekte, situata) që zgjojnë kujtime, mendime shqetësuese,
D. Ndryshimet negative në njohje dhe gjendje shpirtërore të lidhura me ngjarjen(at) traumatike, duke filluar ose duke u përkeqësuar pas ndodhjes së ngjarjes(eve) traumatike, siç dëshmohet nga dy ose më shumë nga sa vijon:
- Pamundësia për të kujtuar një aspekt të rëndësishëm të ngjarjes(ve) traumatike (zakonisht për shkak të amnezisë disociuese dhe jo për faktorë të tjerë si lëndimi i kokës, alkooli ose droga).
- Zvogëlimi i dukshëm i interesit ose pjesëmarrjes në aktivitete të rëndësishme..
- Ndjenja e shkëputjes ose e largimit nga të tjerët.
- Paaftësia e vazhdueshme për të përjetuar emocione pozitive (p.sh., paaftësia për të përjetuar lumturi, kënaqësi ose ndjenja të dashurisë).
- Gjendje emocionale negative të vazhdueshme (p.sh., frikë, tmerr, zemërim, faj ose turp).
- Bindjet ose pritshmëritë negative të vazhdueshme dhe të ekzagjeruara për veten, të tjerët ose botën (p.sh., “Unë jam i keq;” “Askush nuk mund t’i besohet;” “Bota është plotësisht e rrezikshme;” “I gjithë sistemi im nervor është shkatërruar përgjithmonë”).
- Njohuri të vazhdueshme, të shtrembëruara për shkakun ose pasojat e ngjarjeve traumatike që e bëjnë individin të fajësojë veten ose të tjerët.
E. Simptoma të vazhdueshme të ngacmueshmërisë së shtuar (jo të pranishme përpara traumës), siç tregohet nga dy ose më shumë nga sa vijon:
- Sjellja e irrituar dhe shpërthimet e zemërimit (me pak ose aspak provokim) zakonisht shprehen si agresion verbal ose fizik ndaj njerëzve ose objekteve.
- Sjellje e pamatur ose vetëshkatërruese
- Hipervigjilencë
- Përgjigje befasuese impulsive e ekzagjeruar
- Vështirësi për t’u përqendruar
- Çrregullim i gjumit (p.sh., vështirësi për të rënë ose për të qëndruar në gjumë ose gjumë i shqetësuar).
Kritere shtesë :
- Kohëzgjatja e shqetësimit (simptomat në kriteret B, C dhe D) është më shumë se 1 muaj.
- Shqetësimi shkakton ndryshim ose dëmtim klinikisht të rëndësishëm në funksionimin social, profesional ose në fusha të tjera të rëndësishme.
- Shqetësimi nuk i atribuohet efekteve fiziologjike të një substance (p.sh., medikamenteve, alkoolit) ose një gjendje tjetër mjekësore.
Crregullimi i stresit post traumatik mund të paraqitet me simptoma disociuese:
- Me simptoma depersonalizuese: Përvoja të vazhdueshme ose të përsëritura të ndjenjës së shkëputjes nga realiteti, sikur të ishte një vëzhgues i jashtëm i procesit ose trupit mendor të dikujt (p.sh. ndjenja sikur të ishte në ëndërr; ndjenja e një ndjesie jorealiteti të vetvetes ose trupit ose koha që lëviz ngadalë)
- Me simptoma derealizuese: Përvoja te vazhdueshme ose të përsëritura të ndjesisë së jorealitetit të mjedisit rrethues (p.sh. bota rreth individit përjetohet si joreale, e ëndërruar, e largët ose e shtrembëruar).
- Me shprehje të vonuar: Nëse kriteret e plota diagnostikuese nuk plotësohen deri të paktën 6 muaj pas ngjarjes (edhe pse fillimi dhe shprehja e disa simptomave mund të jetë e menjëhershme).
Lidhja midis PTSD dhe COVID-19
Pandemia e COVID-19 ka ndikuar negativisht në mirëqenien psikologjike të individëve dhe shoqërisë. Studimet e mëparshme të kryera mbi shpërthimet e koronavirusit, duke përfshirë Sindromën e Rënda Akut Respiratore dhe Sindromën e Respiratorit të Lindjes së Mesme, zbuluan se çrregullimi i stresit posttraumatik (PTSD), depresioni dhe ankthi ishin problemet më të zakonshme të shëndetit mendor dhe pasojat afatgjata të këtyre shpërthimeve. Aktualisht, mungon informacioni gjithëpërfshirës dhe i integruar mbi prevalencën globale të PTSD për shkak të pandemisë COVID-19.
Pandemia e vazhdueshme e sëmundjes Covid 2019 është një emergjencë universale e madhe, me një përhapje të shpejtë në mbarë botën, shkallë të lartë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, një nivel serioz cënueshmërie dhe ndërhyrje në funksionimin e përditshëm në të gjithë gamën sociodemografike. Pasojat psikiatrike të tij, klinikisht të rëndësishme, parashikohen të jenë të qëndrueshme dhe të përhapura.Simptomat dhe sëmundjet psikiatrike mund të shfaqen gjatë fazave akute ose në fazat e mëvonshme. Mund të shfaqen disa prezantime, duke filluar nga çrregullimet e lehta të humorit dhe simptomat e ankthit deri te psikoza dhe deficite të konsiderueshme konjitive. Çrregullimet dhe sëmundjet janë sa të heshtura dhe të fshehta, aq edhe të rrezikshme nëse nuk marrin kujdes në kohë.
Ështe me rëndësi të diskutohet nëse në disa situata dhe kontekste, një diagnozë e çrregullimit të stresit posttraumatik (PTSD) mund ose nuk mund të vendoset, brenda kontekstit të manualit diagnostik dhe statistikor të çrregullimeve mendore, kriteret e botimit të pestë (DSM-5). Konsensusi ynë është se një ngjarje e lidhur me COVID-in nuk mund të konsiderohet traumatike nëse nuk janë përcaktuar aspektet kyçe të Kriterit A të PTSD të DSM-5 për një lloj specifik ngjarjeje COVID-19 (p.sh., sëmundja me COVID-19, sëmundje akute, kërcënuese për jetën, nga vetë personi, apo dikush i rëndësishëm për të, ngjarje të cilën e dëshmon personalisht ose mëson se i ka ndodhur një anëtari të ngushtë të familjes ose mikut të ngushtë. Gjithashtu përjetimi i ekspozimit të përsëritur ose ekstrem ndaj detajeve të kësaj të ngjarjeve traumatike për shkak të natyrës së punës (p.sh. punonjës së ofrimit të kujdesit shëndetësor, mjek, infermier, sanitare, psikologë, të cilët punojnë në pavionet e spitaleve COVID etj).
Në nje studim meta-analizë,“Prevalenca globale dhe faktorët e rrezikut të lidhur me çrregullimin e stresit posttraumatik gjatë pandemisë COVID-19: Një meta-analizë”. Ninik Yunitri etj. Int J Nurs Stud. Shkurt 2022, u shqyrtua prevalenca globale dhe faktorët e rrezikut të lidhur me PTSD tek pacientët/të mbijetuarit e COVID-19, profesionistët shëndetësorë dhe popullata në përgjithësi. Burimi i të dhënave ishte Cochrane, CINAHL, Embase, MEDLINE, PubMed, Scopus, ëeb of Science dhe kërkimi manual deri në qershor 2021. U përfshimë 63 studime që vlerësojnë prevalencën e PTSD gjatë pandemisë COVID-19 si te pacientët/të mbijetuarit, te profesionistët shëndetësorë dhe te popullata në përgjithësi.
Analiza statistikore zbuloi se mosha, njësia e punës, profesioni shëndetësor, kontinenti dhe mjetet e vlerësimit si moderatorë të rëndësishëm. Prevalenca e bashkuar e PTSD-së gjatë pandemisë COVID-19 për pacientët me COVID-19, profesionistët shëndetësorë dhe popullsinë në përgjithësi ishte 17.52%. Në një tjetër studim, “Prevalenca e çrregullimit të stresit post-traumatik midis punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19: Një rishikim literature dhe meta-analizë.”, Ali Sahebi, Atefeh Yousefi, […] dhe Mohamad Golitaleb, me qëllim hetimin e prevalencës së PTSD, midis punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19, nëpërmjet një rishikimi sistematika të literaturës dhe meta-analizës, u përfshinë të gjithë artikujt e botuar deri në datën e parë të janarit 2020 deri në fund të marsit 2021 (Ëeb of Science, PubMed, Scopus, Cochrane, ProQuest, Science Direct, Embase, dhe Google Scholar). Rezultatet treguan se prevalenca e përgjithshme e PTSD midis punonjësve të kujdesit shëndetësore gjatë pandemisë COVID-19 ishte 13.52%.
Në Shqipëri ekziston një studim i tille, i kryer në vitin 2021. (“Shëndeti mendor i punonjësve të kujdesit shëndetësor, të cilët punojnë në spitalet COVID”. Prof, Vuksan Kola, dr. Elda Kadra.)
Ky studim është një analizë ( cross sectional survey) në popullatën e punonjësve të spitaleve COVID-19. Për realizimin e studimit është përgatitur një pyetësor i përbërë me të dhënat sociodemografike dhe pyetje shtesë. Është përdorur pyetësori SCL-90 i validuar në gjuhën shqipe. Symptom Checklist 90 (SCL) është një pyetësor i përbërë nga 90 pyetje me anë të të cilit vlerësohet niveli i depresionit, ankthit, somatizimit, agresiviteti, obsesisionit, ndjeshmërisë, paranojës dhe psikozës.
Pyetësori u plotësua nga 105 punonjës të kujdesit shëndetësor, gjatë periudhës dhjetor 2020-mars 2021. Nga hulumtimi është përjashtuar personeli mjekësor që ka referuar se ka probleme me shëndetin mendor apo ka pasur probleme të mëparshme. Nga të dhënat e marra në shqyrtim për periudhën e caktuar dhe nga përpunimi i tyre statistikor rezulton se në masën më të madhe simptomatika dominohet nga simptoma somatike, obsesivo–kompulsive, problemeve me gjumin. Dimensioni me mesataren më të ulët është ankthi fobik dhe mesataren më të lartë somatizimi, por në këtë studim nuk është studiuar specifikisht PTSD-ja.
Ekziston një prevalencë e lartë e PTSD midis punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe të vijës së parë dhe popullatës në tërësi të ekspozuar gjatë pandemisë COVID-19. Është e rëndësishme të investohet në përpjekjet për të kontrolluar për çrregullime të shëndetit mendor si PTSD dhe t’u ofruar atyre mbështetje për shëndetin mendor.
Referenca:
- DSM 5, 2013·
- “DSM-IV TO DSM 5 PTSD COMPARISION’,ncbi.nih.gov
- “Prevalenca globale dhe faktorët e rrezikut të lidhur me çrregullimin e stresit posttraumatik gjatë pandemisë COVID-19: Një meta-analizë”. Ninik Yunitri etj. Int J Nurs Stud. Shkurt 2022
- “Shëndeti mendor i punonjësve të kujdesit shëndetësor, të cilët punojnë në spitalet COVID”, prill 2021. Prof, Vuksan Kola, dr. Elda Kadra.
- “PTSD: A systematic approach to diagnosis and treatment.”. Current psychiatry, 2018
- Jeong H, Yim HË, Song YJ, Ki M, Min JA, Cho J, et al. Mental health status of people isolated due to Middle East respiratory syndrome. Epidemiology and health. 2016;
- Pyetësori SCL, Bodinaku, B. (2014). Translation,validation and standardization of the Albanian version of the SCL-90-R and CORE-OM. VIenna: Sigmund Freud University ( Unpublished Doctoral dissertation)