Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
Çrregullimet psikiatrike për shkak të një tumori të trurit

Tumoret e trurit mund të paraqiten me simptoma të ndryshme psikiatrike, me ose pa simptoma neurologjike, aspekt që e ndërlikon paraqitjen klinike.

Rrallëherë, simptomat psikiatrike mund të jenë manifestimi i vetëm i tumoreve të trurit. Ata mund të shfaqen me simptoma të humorit, psikozë, probleme me kujtesën, ndryshime të personalitetit, ankth ose anoreksi. Pacientët me tumore të truritmund të shfaqin simptoma psikiatrike përpara vendosjes së diagnozës së tumorit të, që shpesh ka pasojë direkte vonesën e vendosjes së diagnozës dhe trajtimit të përshtatshëm, në kohën e duhur.

Diagnoza e tumoreve malinje dhe beninje paraqet vështirësi dhe kjo reflektohet në intervalin e simptomave të tyre, i përcaktuar si periudha kohore që kalon midis fillimit të simptomave dhe diagnozës. Në të vërtetë, studimet raportojnë një interval mesatar simptomash prej të paktën 14 javësh.

Disa faktorë kontribuojnë që diagnoza e hershme e tumoreve të trurit të jetë sfiduese. Shumica e simptomave fillestare janë jo specifike dhe ngjajnë me sëmundje të tjera më të zakonshme dhe jo kërcënuese. Para se të diagnostikohen, pacientët mund të kenë shenja neurologjike, dhimbje koke, të përziera, të vjella. letargji, humbje peshe, krizat epileptike, humbje të shikimit dhe praktikisht çdo simptomë psikiatrike është e mundshme.

Veçanërisht në rastin e simptomave psikiatrike, pasi ato nuk përfaqësojnë tipare patognomonike të tumoreve të trurit, shkaku organik themelor mund të anashkalohet, duke e bërë diagnozën në kursin e hershëm shpesh jashtëzakonisht të vështirë.

Në të vërtetë, çdo lloj tumori konsiderohet si një rrezik tinëzar për jetën, por përhapja e pakontrolluar dhe rritja jonormale e qelizave brenda trurit – organi që na bën ata që jemi – krijon një kërcënim jashtëzakonisht të fuqishëm për qenien tonë.

Tumoret e trurit janë të rrallë krahasuar me sëmundje të tjera kërcënuese për jetën. Megjithatë, “i rrallë” është një term relativ. Tumoret e trurit përbëjnë një pjesë të vogël të të gjithë tumoreve (1.6%) dhe vdekjeve të lidhura me tumoret (2.5%) , shumica e këtyre tumoreve janë fatale nëse nuk marrin një diagnozë në kohë.

Edhe tumoret beninje mund të jenë vdekjeprurëse ose të paktën të ndërhyjnë në funksionet e trurit që janë thelbësore për jetën e përditshme. Prognoza lidhet me vendndodhjen e tyre, aftësinë për të infiltruar lokalisht dhe prirjen për transformim malinj. Simptomat shpesh shkaktohen nga presioni i rritur intrakranial ose efektet masive dhe jo nga efektet e drejtpërdrejta të tumorit.

Idetë për vetëvrasje janë të pranishme në 10% të pacientëve, zakonisht gjatë paroksizmave, krizave të dhimbjes së fortë të kokës. Zakonisht tumoret e ngadalta prodhojnë ndryshim të personalitetit, ndërsa tumoret me zhvillim të shpejtë prodhojnë ndryshime njohëse, kognitive.
Simptoma të ndryshme psikiatrike i janë atribuar tumoreve të trurit, edhe sipas vendndodhjes së tyre.

1. Tumoret e lobit frontal-depresion, afekti i papërshtatshëm, dezinhibimi, euforia, sjellja e pakontrolluar, amnezia, koordinimi i dëmtuar, simptomat psikotike. Shpesh diagnostikohet gabimisht si demencë; shenjat neurologjike shpesh mungojnë. Mund të ketë moskontollim të funksionit të zorrës ose fshikëzës.

2. Tumoret e lobit temporal-ankth, depresion, halucinacione (veçanërisht të shijes dhe nuhatjes), simptoma të epilepsisë së lobit temporal, si:

Deja vu-një ndjenjë familjariteti me një situtë;
Jamais vu– një ndjenjë e mosfamiljaritetit, panjohurisë me një situatë.
• Një ndjenjë e papritur frike, paniku ose ankthi; Zemërim, trishtim apo gëzim.
• Ndjenja e mosrehatisë në stomak, ankth epigastrik.
• Nëse pacienti ankohet se ndjen vetëm erë të keqe (djegia e flokëve, feçeve), atëherë diagnoza është kryesisht epilepsia e lobit temporal.

3. Tumoret e lobit parietal-më pak simptoma psikiatrike (anosognosia ose mosnjohja e fytyrave , apraksia-një çrregullim neurologjik i karakterizuar nga humbja e aftësisë për të ekzekutuar ose kryer lëvizje dhe gjeste të aftë, pavarësisht se ka dëshirën dhe aftësinë fizike për t’i kryer ato, afazia- një çrregullim gjuhësor i shkaktuar nga dëmtimi në një zonë specifike të trurit që kontrollon shprehjen dhe të kuptuarit e gjuhës); mund të ngatërrohet me histerinë në disa raste..

4. Kisti koloid – nuk është një tumor. Ndodhet në ventrikulin e tretë dhe mund të bëjë presion në diencefalon. Mund të shkaktojë depresion, psikozë, luhatje të humorit dhe ndryshim të personalitetit. Klasikisht prodhon dhimbje koke të përhershme, të varura nga pozicioni.

5. Tumoret e thalamusit e hypothalamusit–Humor depresiv, mani, ide vetëvrasëse, nervozizëm, ndjenjë faji, madhështi, pagjumësi e hershme, halucinacione nuhatëse, performanca e dobët e punës, apati, amnezi, afekt i dobët, anoreksi nervore atipike. Lëvizjet e pavullnetshme (10%) dhe sindroma klasike talamike (5%) ishin mjaft të jashtëzakonshme. Foshnjat dhe fëmijët e vegjël me tumore të thalamusit mund të paraqesin makrocefali, vonesë psikomotore, verbim ose çrregullime të lëvizjeve të syrit.

6. Tumoret e trungut të trurit (ponto-mesencefalik)-Humor depresiv, mani, ide vetëvrasëse, nervozizëm, ndjenjë faji, madhështi, pagjumësi e hershme, halucinacione nuhatëse
Humor depresiv, mani, ide vetëvrasëse, nervozizëm, ndjenjë faji, madhështi, pagjumësi e hershme, halucinacione nuhatëse.

7. Truri i vogël (cerebellum)—depression, simptoma psikosomatike, halucinacione vizuale dhe dëgjimore, të qeshura spazmatike, të folur minimal spontan.

8. Tumoret e gjendres pituitare—dhimbje koke dhe simptoma psikotike, ankth,atake paniku, ndryshim personaliteti dhe ndryshim në funksionet kognitive.

9. Tumoret e gjendres pineale—çrregullim psikotik akut, anoreksia nervoze, ndryshime të ritmit cirkadian.

Diagnoza dhe trajtimi i simptomave psikiatrike të tumoreve të trurit janë sfiduese. Në paraqitjen fillestare, pacientët mund të kenë një sërë simptomash ose një pamje klinike që nuk përshtaten në një kategori diagnostike. Simptomat mund të jenë të paqarta, jospecifike. Një histori psikiatrike e mbledhur me kujdes, ekzaminimi neurologjik, simptomatologjia psikiatrike që nuk i pergjigjet mjekimit psikiatrik, duhet të nxisë dyshimin diagnostik dhe nevojën e ekzaminimeve më të thelluara imazherike dhe laboratorike në vendosjen në kohë të diagnozës së tumorit cerebral dhe trajtimit në kohë të tij, duke shmangur një ecuri të pafavorshme, nëse është e mundur.

Referenca:

1. “Clinical Psychiatry”, Pocket hadbook, fifth edition. Kaplan & Sadock.
2. “TLE”, causes, symtoms & treatment”, Cleveland Clinic
3. Madhusoodanan S, Danan D, Moise D. Psychiatric manifestations of brain tumors: diagnostic implications. Expert Rev Neurother. 2007;7:343–349.
4. Madhusoodanan S, Opler MG, Moise D, Gordon J, Danan DM, Sinha A, Babu RP. Brain tumor location and psychiatric symptoms: is there any association? A meta-analysis of published case studies. Expert Rev Neurother. 2010;10:1529–1536.
5. Filley CM, Kleinschmidt-DeMasters BK. Neurobehavioral presentations of brain neoplasms. West J Med.
6. Cummings JL. Frontal-subcortical circuits and human behavior. Arch Neurol. 1993;50:873–880.
7. Wellisch DK, Kaleita TA, Freeman D, Cloughesy T, Goldman J. Predicting major depression in brain tumor patients. Psychooncology. 2002;11:230–238.
8. Psychiatric aspects of brain tumors: A review. Subramoniam Madhusoodanan, Mark Bryan Ting, Tara Farah, and Umran Ugur. National library of medicine.
9. “Thalamic tumors, clinical presentation”, Juan F Martinez-lage. 2002. Pubmed,
10. Google scholar. Pubmed