“Pasi kerkova në Google për orë të tëra, për simptoma të mundshme të një sëmundje, zbulova se “simptomat e googllimit në mënyrë obsesive” është një simptomë e hipokondrisë” – Stephen Colbert
Hipokondria është frika patologjike ose besim i pathemeltë, se personi vuan nga një sëmundje e rëndë, serioze, ndonëse nuk vuan nga asnjë sëmundje e tillë. Ajo paraqitet me preokupim për funksionet trupore dhe interpretim ireal,i gabuar i shenjave të ndryshme fizike, ndijimeve trupore.
- Kjo gjendje karakterizohet nga imagjinata e personit se vuan nga simptomat e një sëmundje mjekësore, pavarësisht se ata risigurohen vazhdimisht nga mjekët se ata nuk vuajnë nga ajo sëmundje.
- Në raste të tjera, personi keqinterpreton një sensacion te lehtë ose normal trupor si simptomë e një sëmundje madhore, pavarësisht se ata risigurohen vazhdimisht nga mjekët se ata nuk vuajnë nga ajo sëmundje.
Preokupimi vazhdon, pavarësisht vlerësimit mjekësor të përshatshëm, analizave dhe ekzaminimeve të ndryshme, risigurimeve të vazhdueshme nga personeli mjekësor. Frikerat nuk janë të karakterit deluzional dhe personi mund ta pohojë se frikërat e tyre janë imagjinare, të pathemelta. Hipokondriakët zakonisht binden kur informohen se nje analize, ekzaminim, test për një sëmundje së cilës ata i frikësohen, del negativ, por shpejt frika ndaj sëmundjes imagjinare rikthehet. Nëse personi nuk risigurohet, nuk bindet dhe mbron me forcë bindjen e gabuar të tij/saj, atëherë mjeku duhet të dyshojë për diagnozën e Crregullimit deluzional, tipi somatik. Pra ndër simptomat karakteristike të hipokondrisë përmendim:
- shqetësimi i të pasurit aktualisht ose në të ardhmen të një sëmundje serioze
- mospasja e sëmundjes fizike ose të pasurit e simptomave që janë shumë të lehta
- shqetësim i ekzagjeruar rreth një sëmundje mjekësore
- të kryerit e veprimeve të lidhura me shëndetin, te paarsyetuara, ku përfshihen:
-screening, të kontrolluarit e trupit tuaj për sëmundje në mënyrë të vazhdueshme
-të kontrolluarit në mënyrë të vazhdueshme online për simptomat që ju mendoni se janë të lidhura me sëmundjen tuaj
– në disa raste ndodh shmangia e takimeve me mjekun që të evitohet diagnostikimi me një sëmundje mjekësore serioze
-shqetësim për të paturit e një sëmundje, për të paktën 6 muaj (sëmundja për të cilën ju shqetësoheni mund të ndryshojë gjatë kësaj periudhe)
Diferenca midis një shqetësimi normal për shëndetin dhe hipokondriazës ekziston dhe dallimi midis tyre është i rëndësishëm. Në qoftë se ju ndjeni në trupin tuaj shenja që ju shtyjnë të mendoni se vuani nga një sëmundje mjekësore, është normale të ndieheni të shqetësuar. Në rastin e hipokondrisë, shqetësimi lidhur me shëndetin është me i madh se normalja, i ekzagjeruar. Ai ka potencialin të ndërhyjë në cilësinë e jetës , duke përfshirë dëmtim të funksionimit në disa fusha, si puna, shkolla, krijimi dhe mbajtja e marrëdhënieve domethënësë etj. Në hipokondri ju do të ndieni shqetësim ekstrem rreth simptomave tuaja, të vërteta apo irreale, edhe kur përgjigjet e ekzaminimeve dalin negative dhe mjekët ju risigurojnë se jeni të shëndetshëm. Kjo nuk ndodh në rastin e shqetësimit normal lidhur me shëndetin.
Hipokondria ka një prevalencë rreth 10%. Ajo është e zakonshme në praktikën mjekësore dhe ecuria kronike bën që të kryhen ekzaminime të panumërta dhe madje ndërhyrje kirurgjikale të panevojshme. Një nga rreziqet në trajtimin e pacientëve me këtë çrregullim, është se patologjia organike e vërtetë mund të mos vihet re për shkak të “alarmeve të rreme të përsëritura”. Ajo prek njelloj në përqindje si meshkujt dhe femrat. Hipokondria ndodh në të gjitha moshat; ka një kulm në të 30-at për meshkujt dhe në të 40-at për femrat.
Etiologjia e saj është e panjohur plotësisht. Përvoja e kaluar me sëmundje organike të vërteta, duket se i predispozon disa prej pacientëve për të zhvilluar këtë çrregullim. Disa pacientë mund të kenë një hipesensibilitet të lindur ndaj funksioneve trupore dhe një prag më të ulët ndaj dhimbjes ose diskomfortit fizik. Teoria psikogjenike e trajton hipondrinë si represion të zemërimit ndaj të tjerëve e zhvendosje e zemërimit drejt vetes me zhvillimin e ankesave fizike. Dhimbja dhe vuajtja përdoren si dënim ndaj vetës për të paturit e impulseve të papranueshme. Sëmundje specifike të dyshuara kanë kuptime simbolike. Disa pacientë mund të kenë nje nivel të pamjaftueshëm njohurish, të kuptuar të mangët të rëndesës së sensacioneve trupore, sëmundjeve ose të dyjave. Mund të dyshohet se një sëmundje serioze po ua shkakton ndjesitë që shkaktojnë shqetësim dhe vazhdimisht kërkohen prova që të konfirmohet kjo bindje (e gabuar).
Faktorë risku për zhëillimin e hipokondrisë janë:
- nje ngjarje jetësore stresuese
- abuzimi në fëmijëri
- mundësia që të ketë dyshim për një sëmundje serioze por më vonë kjo të rezultojë e pavërtetë
- të pasurit e familjarëve që vuajnë nga sëmundje serioze
- të kaluarit e një sëmundje mjekësore në fëmijëri
- të pasurit e një personaliteti qe shqetësohet lehtë
- të kërkuarit e ekzagjeruar lidhur me sëmundjet ne internet
Ecuria e hipokondrisë është kronike, me remisione dhe puse. Ekzacerbimi zakonisht është i lidhur me stresorë të identifikueshëm. Prognoza e mirë lidhet me mungesën e çrregullimeve të personalitetit. Prognoza e keqe lidhet me sëmundje paraardhëse ose të mbivendosura mjekësore.
Trajtimi është farmakologjik (barna kundër ankthit dhe antidepresantë) dhe psikoterapia, ku vlen të veçohet psikoterapia me orientim kritik, hipnoza, terapia e sjelljes.
Referenca:
- Healthline: “Hypochondria”, 2018. Erica Cirino.
- Kaplan and Sadock: “Clinical Psychiatry”, pocket handbook, fifth edition.
- APA
- Psikiatria për studemtët e mjekësisë, përkthyer dhe përshatur në shqip nga Anastas Suli
- DSM-IV-TR