Ndonjëherë, humbja nuk ka lidhje vetëm me vdekjen apo ndarjen nga dikush. Ajo mund të ndodhë në mënyrë më të heshtur: kur humbasim rutinen, një qëllim që na mbante gjallë, apo thjesht veten tonë në një marrëdhënie që nuk na përfaqëson më.
Këto janë po aq humbje të vërteta, sepse prekin thelbin e identitetit tonë emocional.
Në momentet kur gjithçka që dukej e qëndrueshme shembet, ndjejmë sikur jeta ndalet për pak. Nuk e dimë më kush jemi, çfarë duam, apo si të fillojmë sërish. Pikërisht aty fillon procesi i rikthimit tek vetja jo vetëm për t’u shëruar, por për t’u rindërtuar.
Ky artikull flet për mënyrën se si humbja, në çdo formë të saj, ndikon në identitetin tonë emocional dhe si mund ta kthejmë dhimbjen në forcë, kuptim dhe rritje personale. Dhe pyetja më e vështirë që mbetet pas është: “Kush jam unë tani?”
Kjo pyetje, sado e dhimbshme, është porta drejt rikthimit tek vetja.
Si Ndikon Humbja Në Identitetin Tonë Personal Dhe Emocional?
Kur përjetojmë humbje qoftë ndarje, vdekje apo ndryshim të madh në jetë, shpesh ndodh që identiteti ynë emocional të tronditet.
Në marrëdhënie, në role apo në rutina, ne shpesh e ndërtojmë ndjenjën tonë të “unë jam” përmes të tjerëve apo përmes gjërave që bëjmë. Kur ato zhduken, ndjejmë sikur kemi humbur një pjesë nga vetja.
Kjo ndjesi e boshllëkut nuk është dobësi; është shenjë e ndjeshmërisë sonë njerëzore. Truri kërkon të kuptojë një realitet të ri emocional dhe përkohësisht humbet ekuilibrin. Është koha kur duhet të jemi më të butë me veten dhe të lejojmë dhimbjen të flasë.
Kërkimet psikologjike tregojnë se truri ynë e përjeton humbjen si një “copëzim të identitetit”, pasi modelet emocionale, kujtimet dhe përditshmëria janë ndërtuar përreth tjetrit. Kur ky “sistem” prishet, vetja kërkon një formë të re.
Psikoterapistët e quajnë këtë fazë “identitet në tranzicion”: periudha ku personi duhet të mësojë të jetojë pa praninë e tjetrit, por edhe të krijojë një version të ri të vetes. Është periudha më e ndjeshme, por edhe më transformuese.
Emocionet Që Përjetojmë Pas Një Humbjeje Emocionale
1. Tronditja dhe mosbesimi
Në momentet e para, mendja refuzon të pranojë çfarë ka ndodhur. E ndjejmë sikur gjithçka është një ëndërr e keqe. Kjo është mënyra e trurit për të na mbrojtur nga përplasja me realitetin.
2. Mpirja emocionale (numbness)
Pas tronditjes, disa njerëz përjetojnë një boshllëk të ftohtë: nuk qajnë, nuk ndjejnë, thjesht “nuk ndjejnë asgjë”.
Ky është një mekanizëm mbrojtës i trurit ku ai “fik” ndjenjat përkohësisht për të na ndihmuar të përballojmë shokun emocional. Por nëse kjo mpirje zgjat me javë apo muaj, mund të kthehet në shenjë të depresionit të fshehur dhe kërkon përkujdesje me ndihmën e një psikologu me anë të seancave psikologjike.
3. Trishtimi dhe mërzia
Ky është emocioni bazë i çdo humbjeje. Mërzia shfaqet si ndjesi boshllëku, mungesë energjie, dëshirë për t’u tërhequr nga të tjerët.
Në këtë fazë, shpesh na duket sikur jeta nuk ka më ngjyra. Kjo ndjenjë është e natyrshme dhe nuk duhet shmangur. Të lejosh veten të ndjesh mërzinë është mënyra që zemra të fillojë shërimin.
4. Depresioni i humbjes
Kur trishtimi zgjatë më shumë se disa javë dhe ndikon në gjumin, ushqimin apo dëshirën për jetuar, mund të jetë shenjë e depresionit reaktiv.
Ndryshe nga trishtimi kalimtar, depresioni ndjehet si një “errësirë pa dalje”, ku personi nuk ndjen më kuptim apo gëzim për asgjë.
Në këtë fazë është shumë e rëndësishme të kërkohet ndihmë profesionale. Terapia ndihmon në rimarrjen e energjisë, motivimit dhe në rindërtimin e vetes.
5. Frika dhe pasiguria
Pas humbjes, shumë njerëz përjetojnë frikë nga e ardhmja. “A do jem ndonjëherë mirë?”, “A do mund të dua përsëri?”
Frika është e zakonshme , tregon se po përpiqemi të orientohemi në një realitet të panjohur. Kur e pranojmë, ajo bëhet sinjal për ndryshim, jo pengesë.
6. Pranimi dhe qetësia graduale
Me kalimin e kohës, emocionet fillojnë të zbuten. Nuk harrojmë, por mësojmë të jetojmë me kujtimin.
Në këtë fazë, shumë njerëz fillojnë të ndjejnë një lloj paqjeje të re, jo sepse dhimbja është zhdukur, por sepse nuk luftojnë më kundër saj. Ky është momenti kur fillon rikthimi tek vetja.
Procesi I Pranimit Dhe Rindërtimit Të Brendshëm
1. Lejimi i boshllëkut
Mos e mbush menjëherë hapësirën bosh. Boshllëku është vendi ku fillon të dëgjosh veten. Shumë njerëz përpiqen ta mbulojnë dhimbjen me aktivitet, punë, apo marrëdhënie të reja por kjo vetëm e shtyn përballjen. Lejo heshtjen, trishtimin dhe mungesën të jenë pjesë e procesit.
2. Rindërtimi i përditshmërisë si akt identiteti
Edhe veprimet e vogla janë rikthim tek vetja: të gatuash vetë, të shkosh në një vend që dikur shmangie, të lexosh një libër që të frymëzon. Psikologët e quajnë këtë “ritualet e reja të identitetit”, mënyra të vogla me të cilat truri mëson se jeta vazhdon, por ndryshe.
3. Zbulimi i vetes përtej rolit të humbur
Rikthimi tek vetja nënkupton të pyesësh:
- Çfarë dua unë tani?
- Si ta kaloj dhimbjen emocionale?
- Çfarë më ka munguar tek vetja?
- Pse ndjej boshllëk?
- Cilat pjesë të mia i kam harruar, por dua t’i ringjall?
4. Pranimi si akt dashurie ndaj vetes
Pranimi nuk është harrim, por njohje: njohje e faktit që dhimbja është pjesë e jetës, por jo i vetmi kapitull i saj. Sipas një studimi të Harvard Health, personat që arrijnë të pranojnë dhimbjen pa u gjykuar për mënyrën se si ndihen, kanë rikuperim emocional më të shpejtë dhe ndjesi më të fortë kontrolli mbi jetën e tyre. Shërimi i plagëve fillon kur lejon veten të kërkosh ndihmë profesionale dhe të punosh me një psikolog për rikuperimin emocional.
Si Ta Kthejmë Dhimbjen Në Forcë Dhe Kuptim
• Dhimbja si pasqyrë
Çdo humbje na tregon se çfarë kemi dashur më shumë. Në vend që ta shohim si dënim, mund ta shohim si udhëzues për atë që na jep kuptim. Pyet veten: “Çfarë më mësoi kjo humbje? Çfarë dua të mbaj prej saj në versionin tim të ri?”
• Shërimi përmes kuptimit
Në terapi, shpesh përdoret një ushtrim i quajtur meaning reconstruction: të gjesh kuptim në dhimbje, jo për ta justifikuar, por për ta integruar. P.sh. disa njerëz gjejnë kuptim duke ndihmuar të tjerët që kalojnë humbje; të tjerë duke ndërtuar diçka të re që përfaqëson dashurinë e humbur.
• Forca e vetë-mirësisë
Vetë-mirësia nuk është dobësi, është akt fuqie. Studimet nga Kristin Neff (University of Texas) tregojnë se personat që praktikojnë vetë-mirësi gjatë periudhave të humbjes, kanë më pak simptoma depresive dhe më shumë elasticitet emocional.
• Lidhja me trupin dhe të tashmen
Meditimi, frymëmarrja, ecja në natyrë janë mjete që të rikthejnë në trup, aty ku jeton emocioni. Të jesh në kontakt me trupin tënd është mënyra më e shpejtë për të mos mbetur peng i kujtimeve por të jetosh në të tanishmen.
Kur Dhimbja Emocionale Zgjat – Çfarë Duhet Bërë
Nëse ndihesh i/e “bllokuar” në dhimbje për muaj me radhë, me ndjenja boshllëku, faj apo mungesë dëshire për të jetuar, mund të bëhet fjalë për çrregullim të zgjatur të pikëllimit (Prolonged Grief Disorder).
Ky është një reagim i njohur klinikisht që kërkon ndërhyrje psikoterapeutike, si terapia e përqendruar në përpunimin e humbjes (grief therapy) apo CBT . Një psikolog mund të ndihmojë të kuptosh se çfarë po ndodh me emocionet dhe trupin tënd.
Mos ngurro të kërkosh ndihmë. Të kërkosh ndihmë nuk është shenjë dobësie, por dëshmi se po zgjedh të rikthesh jetën tënde në duart e tua.
Nëse ndihesh i humbur emocionalisht mos e përballo i vetëm. Psikologët tanë në Klinika EGO ndihmojnë çdo ditë njerëz që po gjejnë veten pas dhimbjes.
BURIME
Kristin Neff, Self-Compassion Research, University of Texas
Mind.org.uk – “Finding meaning after loss