Shumë njerëz hyjnë në marrëdhënie duke kërkuar diçka që në fakt e kanë humbur shumë më herët: ndjenjën e dashurisë, sigurisë dhe pranimit pa kushte. Ajo që shpesh e quajmë “dashuri e madhe” në të vërtetë është një përpjekje e pavetëdijshme për të marrë dashurinë që nuk morëm në fëmijëri. Kur një fëmijë rritet në një shtëpi ku afeksioni mungon ose ku ndjenjat nuk shprehen lirshëm, ai mëson të kërkojë dashuri duke u përpjekur të jetë “i mirë”, “i fortë” apo “i pavarur”. Por në moshë të rritur, kjo kthehet në një model marrëdhënie ku kërkojmë te partneri ngrohtësinë që na mungoi nga prindërit.
Sipas një studimi të publikuar në Frontiers in Psychiatry (2024), individët që kanë përjetuar mungesë dashurie ose trauma emocionale gjatë fëmijërisë, kanë më pak kënaqësi në marrëdhënie dhe shpesh zgjedhin partnerë që pasqyrojnë figurën e prindërve të tyre. Kjo tregon se mënyra si jemi dashur në fëmijëri ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si dashurojmë si të rritur.
Si Ndikon Mënyra Si Prindërit Shprehin Dashuri Te Perceptimi Ynë Për Afeksion
Dashuria e prindërve është modeli ynë i parë i lidhjes. Nëse një fëmijë mëson se dashuria tregohet vetëm kur ai sillet mirë, ndjenjat e tij shtypen ose kur prindi është i disponueshëm vetëm në raste të rralla, atëherë dashuria për të bëhet e lidhur me pasigurinë. Si të rritur, mund të ndjejmë afeksion vetëm nëse duhet “ta meritojmë”. Kështu lindin lidhjet ku ne mundohemi të fitojmë vëmendjen e partnerit, edhe kur ai është emocionalisht i largët.
Psikologët theksojnë se mënyra si prindërit shprehin dashurinë përmes përqafimeve, fjalëve, vëmendjes apo mungesës së tyre formon mënyrën si ne e përjetojmë afeksionin në çift. Dhe për shumë të rritur, marrëdhëniet bëhen pasqyrë e plagëve të fëmijërisë që nuk janë shëruar ende.
Sipas një kërkimi të publikuar në Journal of Personality and Social Psychology, truri i njeriut ka prirje të kërkojë skenarë të njohur emocionalë, edhe nëse janë të dhimbshëm. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz përfundojnë në marrëdhënie të ngjashme me ato që kanë parë në familje.
Imazhi I Babait Autoritar, Indiferent Apo I Munguar – Si Ndikon Tek Marrëdhëniet Në Çift
Figura e babait ka një rëndësi të vecantë në formimin e vetë-vlerësimit, sigurisë emocionale dhe mënyrës së lidhjes me partnerin.
- Një baba autoritar shpesh krijon idenë se dashuria duhet fituar përmes përpjekjes. Kështu mund të kërkojmë partnerë kontrollues.
- Një baba indiferent e mëson fëmijën se ndjenjat nuk kanë rëndësi. Këta persona shpesh zgjedhin partnerë emocionalisht të ftohtë.
- Ndërsa një baba i munguar, fizikisht ose emocionalisht, lë një boshllëk që më vonë kërkohet të mbushet me dashuri të fortë, por shpesh toksike.
Në shumë familje shqiptare, babai është rritur në kulturën e autoritetit, jo të afeksionit. Kur rritemi, këto modele bëhen “hartat” me të cilat navigojmë dashurinë. Partneri bëhet reflektim i prindit dhe ne pa vetëdije kërkojmë nga ai atë që nuk e morëm kurrë.
Në realitetin shqiptar, figura e babait ka qenë shpesh simbol i autoritetit dhe sakrificës, por jo gjithmonë e afeksionit.
Një baba që punonte shumë dhe rrallë tregonte butësi mund të lërë pas një model të heshtur: “Dashuria tregohet me vepra, jo me fjalë.”
Por për një fëmijë, mungesa e shprehjes emocionale përkthehet në boshllëk.
Kur ky fëmijë bëhet i rritur, kërkon te partneri dikë që ta dëgjojë, ta shohë, ta përqafojë sepse brenda tij ende jeton ajo pjesë që s’u ndje kurrë mjaftueshëm e dashur.
Kjo nuk do të thotë se baballarët “fajësohen”; përkundrazi, ata vetë janë produkte të një brezi që s’e njihte gjuhën emocionale. Por ndikimi i këtij modeli tek ne është real dhe shpesh nuk e kuptojmë.
Rrëfim:“Ana (35 vjeçe) kishte kaluar vite në marrëdhënie ku ndjente ankth sa herë partneri i afrohej, dhe boshllëk sa herë largohej. Në terapi, ajo zbuloi se babai i saj kishte qenë një njeri i mirë, por i ftohtë emocionalisht. Ai punonte shumë dhe rrallë e përqafonte. Ana kuptoi se në çdo lidhje kërkonte ‘përqafimin e munguar’. Kur nisi terapinë me një psikolog, ajo mësoi të krijonte brenda vetes ndjenjën e sigurisë që nuk e mori në fëmijëri. Sot, ajo thotë se për herë të parë dashuron pa frikë dhe pa u ndjerë e vogël.”
Ky rrëfim nuk është i rrallë. Shumë njerëz, në momentin që njohin këtë dinamikë, nisin procesin e shërimit emocional.
Pse Kërkojmë Figurën Prindërore Te Partneri
Një person që nuk është ndjerë i mbrojtur nga prindërit, shpesh kërkon një partner që e mbron dhe kujdeset për të. Ndërsa dikush që është rritur me prindër autoritarë apo kontrollues, mund të kërkojë marrëdhënie ku ndihet sërish i nënshtruar, duke rikrijuar të njëjtin model.
Në psikoterapi, ky fenomen njihet si “repetition compulsion”: prirja për të përsëritur përvoja të dhimbshme në shpresë se këtë herë do të kenë një përfundim ndryshe. Por, siç theksojnë psikoterapistët, kjo nuk ndodh vetvetiu. Ndryshimi kërkon ndërgjegjësim, reflektim dhe ndihmë profesionale.
Në këto raste, një psikolog ose psikiatër në Tiranë mund të ndihmojë individin të kuptojë origjinën emocionale të zgjedhjeve të tij dhe të çlirohet nga modelet e dashurisë toksike. Terapia ofron hapësirën për të rikrijuar lidhjen e shëndetshme me veten dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të vetëdijshme, ku dashuria nuk është më një përpjekje për të shëruar të shkuarën, por një ndjenjë që lind.
Si Ndihmon Psikoterapia?
Një psikolog në Tiranë mund të ndihmojë të kuptosh si përvojat e fëmijërisë ndikojnë në mënyrën si dashuron sot. Përmes psikoterapisë, mëson të krijosh një lidhje të re me veten më të butë, më të vetëdijshme dhe më të dashur.
Shpesh, gjatë terapisë, zbulon se mund të ndihesh i dashur pa u përpjekur ta fitosh këtë ndjenjë. Nëse plagët emocionale janë të thella ose shoqërohen me ankth apo depresion, një psikiatër në Tiranë mund të ofrojë vlerësim dhe trajtim shtesë.
Qëllimi i terapisë nuk është të rregullojmë marrëdhënien me të tjerët, por të shërojmë lidhjen me veten aty ku fillon çdo formë e vërtetë dashurie.
BURIME
How Childhood Experiences Impact Our Choice of Partner-Psychology Today
From childhood bonds to romantic ties: The science of psychological attachment-PsyPost
Childhood Attachment’s Role in Better Relationships- Therapy with Talia Blog