Çrregullimi i personalitetit borderline është një ndër format e çrregullimeve të personalitetit, një kategori e ndryshimeve afatgjata në mënyrën si një individ ndjen, mendon dhe vepron. Çrregullimi i personalitetit borderline karakterizohet nga një model i theksuar i paqëdrueshmërise së lidhjeve interpersonale, përfytyrimit të vetes dhe të afekteve, si dhe impulsivitet i dukshëm që fillon nga mosha e pjekurisë së hershme e haste në një varg kontekstesh. Ky model shpesh sjell ndikim negativ në jetën e përditshme dhe marrëdhëniet interpersonale të personit.
- Shumica e pacientëve me çrregullim të personalitetit kufitar përjetojnë vazhdimisht ndjenjën e zbrazëtisë, boshllëkut.
- Ata kryejnë përpjekje të sinqeta për të shmangur braktisjen reale ose imaginare.
- Karakteristike është një model lidhjesh interpersonale të paqëndrueshme dhe intensive, që karakterizohen nga alternime midis ekstremeve të idealizimit dhe mosvleresimit.
- Njerëzit me çrregullim të peronalitetit kufitar përjetojnë vazhdimisht çrregullim të identitetit: përfytyrimit të vetes ose ndjenjës për veten në mënyrë vazhdimisht të paqëndrueshme.
- Impulsivitet në fusha që janë potencionalisht vetëdëmtuese (psh.: shpenzime të pakontrolluara, seks i pakontrolluar, abuzim i substancave, ngarje e pakujdesshme e makinës, ngrenie te babëzitura).
- Tipike është zemërimi i papërshtatshëm e shumë intensiv, ose vështirësia për të kontrolluar zemërimin (psh. shfaqje te shpeshta te inatit, te zemërimit konstant).
- Sjellje, gjeste ose kërcenime suicidale, ose sjellje vetëdëmtuese (psh.: prerje me thikë e kyçeve të dorës, djegie të lëkurës).
- Paqëndrueshmëri afektive e shkaktuar nga reaktivitet i dukshëm i humorit, (psh. disfori episodike intensive, irritabilitet ose ankth që zakonisht zgjat disa orë dhe vetëm rallë herë disa ditë).
- Insistojnë të bëjnë të tjerët të ndiehen përgjegjës për mjerimin e tyre dhe mirëqenien e tyre sociale.
- Ide paranoide tranzitore të lidhura me stresin ose me simptoma të rënda disociative.
Ndërveprimi me një fëmijë që ka një çrregullim të personalitetit borderline mund të jetë sfidues, por ka disa këshilla që prindërit mund të ndjekin për të mbështetur fëmijën e tyre dhe për të menaxhuar më mirë situatën. Këtu janë disa këshilla:
- Objektivi: Ecni ngadalë – Mbani mend se ndryshimi është i vështirë për t’u arritur dhe i mbushur me frikë. Kujdes kur sugjeroni se është bërë “shumë” përparim ose kur jepni mbështetje të tipit “Ti mund ta bësh”. Progresi shkakton frikën e braktisjes. Ulni pritshmëritë. Vendosni qëllime realiste që janë të arritshme. Zgjidhni probleme të mëdha në hapa të vegjël. Qëllime “të mëdha”, afatgjata çojnë shpesh në zhgënjim dhe dështim.
Nxitni përmirësimin gradual dhe pranoni progresin. Kujdesuni për të mos bërë presion të tepërt, pasi kjo mund të shkaktojë stres shtesë. - Ambjenti Familjar – Trajtojini situatat me ftohtësi dhe qetësi. Vlerësojini familjarët tuaj normalisht. Zbuteni tonin. Të mos rënit dakord për një situatë është normale. Zbutni tonin kur shfaqni papajtueshmërinë tuaj.
Ruani rutinat familjare. Mbani kontakt me familjen dhe miqtë. Jeta ka më shumë se problemet, kështu që mos i lini anash kohët e mira.
Gjeni kohë për të folur. Bisedat për çështje të lehta ose të neutrala janë të dobishme. Planifikoni kohë për këtë nëse është e nevojshme. - Menaxhimi i Krizave – Kushtojini vëmendje, por ruani qetësinë. Mos u mbroni para akuzave dhe kritikave. Edhe pse akuzat mund të mos jenë të vërteta, flisni pak dhe mos i luftoni me argumenta. Pranoni çfarëdo që është e vërtetë në kritikat.
Aktet ose kërcënimet vetë-shkatërruese kërkojnë vëmendje. Mos i injoroni. Mos u panikosni. Është mirë të dini. Mos mbani sekrete për këtë. Flisni hapur për këtë me anëtarin tuaj të familjes dhe sigurohuni që të konsultoheni me një profesionist (psikolog, psikiatër). Dëgjoni. Ata kanë nevojë që të tjerët të dëgjojnë ndjenjat e tyre negative. Mos thoni, “Nuk është kështu.” Përdorimi i fjalëve për të shprehur frikën, vetminë, pasigurinë, zemërimin ose nevojat është mirë. Është më mirë të përdorin fjalë sesa të veprojnë bazuar në ndjenjat. - Përmirësimi i zgjidhjes së problemeve – Bashkëpunoni dhe jini konsistentë kur po zgjidhni problemet e një anëtari të familjes, GJITHMONË: Përfshijeni anëtarin e familjes në identifikimin e asaj që duhet bërë; Pyetni nëse vetë ata mund ta zgjidhin situatën problematike. Pyetni nëse duan që ju t’i ndihmoni të “bëjnë” atë që është e nevojshme.
Anëtarët e familjes duhet të veprojnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Moskoherenca prindërore nxit konflikte të ashpra familjare. Zhvilloni strategji që të gjithë mund t’i mbajnë. Nëse keni shqetësime lidhur me mjekimin ose ndërhyrjet terapeutike, sigurohuni që anëtari i familjes dhe terapisti/mjeku kurues ta dinë. Nëse keni përgjegjësi financiare, keni të drejtë të adresoni shqetësimet tuaja te terapisti ose doktori. - Caktimi i Kufijve – Jini të drejtëpërdrejtë por caktoni kufijtë duke deklaruar kufijtë e durimit tuaj. Bëjini pritshmëritë tuaja të ditura me një gjuhë të qartë dhe të thjeshtë. Secili duhet të dijë çfarë prisni nga ata. Mos i mbrojeni anëtarët e familjes nga pasojat natyrale të veprimeve të tyre. Lejoni që ata të mësojnë nga realiteti.
Mos pranoni trajtimin abuziv si sulmet, kërcënimet, goditjet dhe të bërtiturat. Largohuni dhe kthehuni për të diskutuar çështjen më vonë.
Kujdes me përdorimin e kërcënimeve dhe ultimatumeve. Ato janë zgjidhja e fundit. Mos i përdorni ato si një mjet për të bindur të tjerët të ndryshojnë. Bëjini ato vetëm jeni të bindur që do t’i zbatoni. Lejoni të tjerët – përfshirë profesionistët – t’ju ndihmojnë të vendosni kur t’i jepni ato. - Edukojeni Veten – Mësoni më shumë rreth çrregullimit të personalitetit borderline për të kuptuar më mirë sjelljen dhe nevojat e familjarit tuaj. Kërkoni mbështetje dhe informacion nga profesionistët shëndetësorë dhe grupe mbështetëse.
- Krijoni Strukturë dhe Rutinë – Sigurohuni që ka një strukturë të qartë dhe rutinë në jetën e fëmijës suaj. Çrregullimet e personalitetit borderline mund të shkaktojnë ankth dhe stres, dhe një mjedis i strukturuar mund të ndihmojë në stabilizimin e emocioneve.
- Komunikoni – Stimuloni një komunikim të hapur dhe të sinqertë me fëmijën tuaj. Përpiquni të kuptoni ndjenjat dhe mendimet e tyre, dhe inkurajoni ata të flasin lirshëm.
- Kërkoni Ndihmë Profesionale – Konsultohuni me një specialist të shëndetit mendor ose terapeut të specializuar në trajtimin e çrregullimit të personalitetit borderline.
- Kujdesuni për Veten – Kujdesuni në mënyrë të vazhdueshme për veten tuaj. Ka rëndësi të keni një rrjet mbështetjeje dhe të kujdeseni për nevojat tuaja emocionale.
Kujdesi dhe mbështetja e vazhdueshme janë thelbësore kur keni një fëmijë me çrregullim të personalitetit borderline. Çdo situatë është unike, kështu që është e rëndësishme të kujtosh se nuk është e mundur të zgjidhni çdo problem njëherazi. Ndërkohë, përdorni këshillat e lartpërmendura si udhëzime dhe konsideroni se këshilla e një profesionisti mund të jetë një burim vlerash dhe mbështetjeje të rëndësishme.
Burimi:
“Psikiatria per studentët e mjekësisë”, Anastas Suli
“Family guidelines”, BPD Australia