Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
Fëmijë Agresiv

Sjelljet agresive nuk janë thjesht shfaqje impulsive, ato janë shpesh një pasqyrë e ndjenjave të pashprehura, nevojave të parealizuara apo sfidave emocionale. Çdo sjellje ka një arsye dhe agresioni tek fëmijët nuk bën përjashtim. Në këtë artikull do të zbulojmë rrënjët psikologjike të agresionit tek fëmijët dhe strategji praktike për t’i ndihmuar ata të përballojnë emocionet e tyre duke ndërtuar një komunikim më të shëndetshëm dhe një lidhje më të fortë mes prindërve dhe fëmijëve.

Çfarë Shkakton Agresion Tek Fëmijët?

Agresioni tek fëmijët mund të jetë një simptom i lidhur me kushte të ndryshme psikiatrike, probleme shëndetësore dhe rrethana jetësore. Trajtimi efektiv i agresionit fillon me kuptimin e shkakut të tij. Ja disa nga grupet kryesore të faktorëve që mund të nxisin agresionin:

  1. Çrregullimet E Humorit

Çrregullimet bipolare: Në fazat manike fëmijët humbasin kontrollin bëhen impulsiv dhe shpesh të dhunshëm. Në fazat depresive, edhe pse më rrallë, mund të shfaqin irritim ose zemërim që i shtyn drejt agresionit.

  1. Psikoza

Çrregullime psikotike: Fëmijët me skizofreni shpesh reagojnë ndaj stimujve të brendshëm shqetësues. Ata mund të zhvillojnë paranojë ose dyshime duke e parë agresionin si një mjet për të mbrojtur veten nga frika e tyre.

  1. Frustrimi

Probleme me kognicionin dhe komunikimin: Fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale ose çrregullime të spektrit autik kanë vështirësi të përballojnë ankthin ose frustrimin. Mos mundësia për të shprehur emocionet me fjalë shpesh i bën të reagojnë me agresion.

  1. Impulsiviteti

Çrregullimet e sjelljes shqetësuese: Fëmijët me ADHD shpesh veprojnë pa menduar për pasojat. Sjelljet e tyre mund të perceptohen si të dhunshme, edhe pse zakonisht janë rezultat i një impulsi momental dhe jo një qëllimi të keq.

  1. Çrregullimi i sjelljes (Conduct Disorder – CD)

Malicia e qëllimshme: Ndryshe nga fëmijët që veprojnë impulsivisht, ata me CD janë qëllimisht agresiv dhe shpesh veprojnë me paramendim. Trajtimi për këtë çrregullim është më kompleks dhe kërkon një qasje të veçantë.

  1. Dëmtime Dhe Çrregullime Fizike

Dëmtimet në tru: Dëmtimet e lobit frontal ose epilepsia mund të shkaktojnë shpërthime të papritura agresive. Në këto raste, agresioni nuk ka një shpjegim të qartë emocional apo situacional.

  1. Trauma Dhe Stresi

Ngjarjet stresuese: Agresioni i shkaktuar nga trauma ose stresori i një situate specifike është më i rrallë, por gjithsesi i rëndësishëm për t’u marrë parasysh. Nëse sjelljet agresive bëhen të shpeshta, ato mund të jenë tregues i një problemi emocional në zhvillim.

  1. Faktorët Familjare

Marrëdhëniet problematike: Konfliktet familjare, divorci ose mungesa e pranisë së një prindi mund të ndikojnë në sjelljen e fëmijës.

Modelimi negativ: Fëmijët që ekspozohen ndaj dhunës në shtëpi ose që shohin sjellje agresive nga të rriturit shpesh i imitojnë këto sjellje.

  1. Faktorët Sociale

Presioni i bashkëmoshatarëve: Për të ruajtur statusin në grup ose për t’u mbrojtur nga ngacmimet, disa fëmijë shfaqin agresion.

Bullizmi: Fëmijët që janë viktima të bullizmit mund të bëhen agresiv për të kompensuar ndjenjën e pafuqisë.

  1. Faktorët Biologjikë Dhe Zhvillimore

Disbalanca hormonale: Ndryshimet hormonale gjatë rritjes mund të ndikojnë në kontrollin e impulseve.

Problemet e zhvillimit: Çrregullime si ADHD (Çrregullimi i Hiperaktivitetit me Deficit të Vëmendjes) shpesh lidhen me sjellje impulsive dhe agresive.

Fëmijët Agresiv Dhe Fëmijët E Dhunshëm: A Janë E Njëjta Gjë?

Për të kuptuar më mirë sjelljet e fëmijëve është e rëndësishme të bëjmë një dallim të qartë mes agresionit dhe dhunës:

Çfarë është agresioni?

Një sjellje reaktive dhe emocionale e nxitur nga faktorë si frustrimi, ankthi, ose pamundësia për të përballuar ndjenja të forta. Zakonisht është e lidhur me një shkak të dukshëm dhe shpesh ndodh në momente të stresit apo zhgënjimit.

Çfarë është dhuna?

Një sjellje më e qëllimshme dhe e paramenduar shpesh me synimin për të shkaktuar dëm fizik ose emocional.Dhuna ka prirje të jetë më komplekse dhe kërkon një qasje më të thellë për ta kuptuar dhe trajtuar.

Jo të gjithë fëmijët agresiv janë të dhunshëm. Shumica e tyre shfaqin sjellje të ashpra si reagim ndaj ndjenjave që nuk mund t’i menaxhojnë dhe kanë nevojë për ndihmë për të gjetur mënyra më të shëndetshme për të shprehur emocionet.

Pse Fëmijët Reagojnë Me Goditje?

  • Pamundësia për të shprehur me fjalë ndjenjat dhe nevojat

Fëmijët e vegjël shpesh nuk kanë fjalorin e mjaftueshëm për të treguar atë që ndiejnë.Frustrimi dhe zhgënjimi bëhen të vështira për t’u përballuar, dhe si rezultat, ata reagojnë fizikisht.

  • Përjetimi i ndjenjave të forta

Emocione si zemërimi, frika, ose xhelozia janë shpesh të papërpunuara dhe të pakuptueshme për ta. Goditja mund të jetë një mënyrë për të “shfryrë” këto ndjenja ose për të kërkuar vëmendjen e të rriturve.

Si Të Veproni Kur Një Fëmijë Godet:

Mbani qetësinë: Reagoni me maturi duke mos e përkeqësuar situatën me një qëndrim agresiv.

Vendosni kufij të qartë: Shpjegojini fëmijës me ton të butë, por të vendosur, që goditja nuk është e pranueshme.

Ndihmojeni të shprehet: Inkurajojeni të tregojë se si ndihet dhe ofrojini fjalë për të përshkruar emocionet, p.sh., “A je i mërzitur sepse…?”.

Sjelljet Agresive Të Fëmijëve Në Shtëpi Dhe Në Shkollë: Si Të Veproni

Fëmijët shpesh shfaqin sjellje agresive si në ambientin e shtëpisë, ashtu edhe në atë të shkollës. Këto sjellje lidhen me faktorë të ndryshëm psikologjik, emocional dhe social. Për të adresuar këto probleme është e rëndësishme të analizoni mjedisin dhe ndikimin që ai ka mbi sjelljen e fëmijës.

Sjelljet Agresive Në Ambientin E Shtëpisë

Në shtëpi, mjedisi luan një rol të rëndësishëm në formimin e sjelljes së fëmijëve. Nëse ambienti është stresues ose ka mungesë strukture, kjo mund të çojë në reagime agresive. Shkaqet kryesore përfshijnë:

Mungesa e stabilitetit emocional: Konfliktet familjare ose mungesa e komunikimit mund ta bëjnë fëmijën të ndihet i pasigurt.

Modelimi negativ: Fëmijët shpesh imitojnë sjelljet që shohin tek të rriturit, përfshirë zënkat ose tonet agresive.

Hapësira e mbingarkuar: Një ambient i mbushur ose me shumë stimuli mund të shkaktojë irritim tek fëmijët.

Si Të Reagoni:

Krijoni një ambient të qetë: Reduktoni stresin në shtëpi dhe krijoni hapësira që promovojnë sigurinë dhe qetësinë.

Jini një model pozitiv: Fëmijët mësojnë përmes shembullit. Përdorni mënyra të qeta për të zgjidhur konfliktet.

Përcaktoni rregulla të qarta: Një strukturë e fortë ndihmon fëmijët të ndihen të sigurt dhe të dinë çfarë pritet prej tyre.

Sjelljet Agresive Në Ambientin Shkollor

Në shkollë, mjedisi social dhe akademik mund të jetë një burim stresi për fëmijët.

Disa nga shkaqet kryesore të sjelljeve agresive në këtë ambient përfshijnë:

Mungesa e hapësirës personale: Në klasat e mbipopulluara, fëmijët mund të ndihen të mbingarkuar ose të provokuar.

Ngacmimet nga bashkëmoshatarët: Fëmijët shpesh reagojnë fizikisht ndaj ngacmimeve verbale ose fizike.

Presioni akademik: Stresi nga detyrat ose pritshmëritë e larta mund të shkaktojë sjellje reaktive.

Si Të Reagoni:

Bashkëpunoni me mësuesit: Pyesni për detajet e situatës dhe kërkoni mbështetje për të adresuar sjelljet në klasë.

Identifikoni shkaqet e sjelljes: Analizoni nëse fëmija është duke reaguar ndaj një provokimi ose mungesës së hapësirës personale.

Promovoni aftësitë sociale: Ndihmoni fëmijën të zhvillojë aftësi si përdorimi i fjalëve për të zgjidhur konflikte.

Strategji Edukative Për Menaxhimin E Agresionit

  1. Shënoni kufirin menjëherë
    Vendosja e kufijve është e domosdoshme. Kur një fëmijë sillet në mënyrë agresive, bllokojeni sjelljen duke ruajtur qetësinë dhe duke përdorur një ton të vendosur, por të dashur.
  2. Ofroni kohë për qetësim
    Nëse fëmija është shumë i zemëruar, jepini hapësirë për të qetësuar emocionet e tij. Gjatë kësaj kohe, sigurohuni që ai ndihet i sigurt dhe i kuptuar.
  3. Ndihmojeni të përkthejë emocionet me fjalë
    Shpjegojini që është normale të ndihen të zemëruar ose të zhgënjyer, por që këto emocione mund të shprehen në mënyra joagresive.
  4. Punoni së bashku për zgjidhje alternative
    Ndihmojeni fëmijën të gjejë mënyra të tjera për të reaguar, si p.sh.:
  • Të marrë frymë thellë.
  • Të kërkojë ndihmë nga një i rritur.
  • Të përdorë vizatime ose lojë për të shprehur ndjenjat.

Kujdesi dhe dashuria janë çelësi! Kujtoni që çdo fëmijë ka nevojë për ndihmë për të zhvilluar aftësitë emocionale dhe sociale. Nëse sjellja agresive e fëmijës bëhet e shpeshtë dhe ndikon në mirëqenien e tij ose të tjerëve, është e rëndësishme të konsultoheni me një psikolog ose terapist familjar.

Për më shumë ndihmë ose këshillim, mos hezitoni të kontaktoni një specialist pranë Klinika EGO!

BURIME
Psychology Today-How to Deal wth Your Child’s Anger
American Academy of Pediatrics (AAP)-Handling Big Emotions
Yale Medicine-Anger, Irritability and Aggression in Kids