Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Si Të Sillesh Me Një Narcisist?

Si Të Sillesh Me Një Narcisist?

Të kesh në jetën tënde një narcisist – qofshin partner, familjar, koleg pune apo mik mund të jetë lodhës emocionalisht dhe rraskapitës mendërisht. Narcisistët janë të prirur për të manipuluar, për të kontrolluar dhe për të vendosur nevojat e tyre mbi të tjerët. Por, si të sillesh me një narcisist pa humbur vetveten?

Ky artikull do t’ju ndihmojë të kuptoni sjelljen e tyre, të vendosni kufij dhe të mbroheni nga ndikimi i tyre negativ.

Si Fillim Kuptoni Çfarë Do Të Thotë Të Qënurit Narcisist

Për t’u përballur dhe për t’u mbrojtur nga një narcisist, duhet së pari të kuptoni çfarë do të thotë të jesh i tillë. Narcisizmi nuk është thjesht vetëbesim i lartë apo dashuri për veten, është një sjellje komplekse, shpesh manipuluese që ndikon në marrëdhëniet ndërpersonale. Të kuptosh këtë është hapi i parë drejt mbrojtjes emocionale.

Lexoni më shumë rreth narcisizmit këtu

Njerëzit shpesh e përshkruajnë një person me tipare narcisiste si karizmatik dhe tërheqës, çka mund ta bëjë të lehtë të mos vini re sjelljet e tyre më të dëmshme.

Megjithatë, është e rëndësishme të njohësh shenjat e çrregullimit të personalitetit narcisist (NPD) pasi kjo mund të të ndihmojë të kuptosh më mirë pikat e forta dhe të dobëta të tyre dhe të jesh më i përgatitur për të përballuar sfidat që mund të lindin.

1. Kuptoni se me kë keni të bëni

Narcisistët shpesh duken të sigurt në vetvete, por pas kësaj fshihet pasiguri dhe nevoja e vazhdueshme për vëmendje dhe admirim.

Shenjat tipike të një narcisisti përfshijnë:

  • Ndjenjë e ekzagjeruar e vetëvlerësimit
  • Mungesë empatie
  • Përdorimi i të tjerëve për përfitime personale
  • Kërkim i vazhdueshëm për vëmendje
  • Reagim i ashpër ndaj kritikës

2. Mos bini në grackën e manipulimit emocional

Një nga armët më të forta të narcisistit është manipulimi emocional. Ata dinë t’ju bëjnë të ndiheni fajtor, të dyshoni në vetvete ose të mendoni se problemi është gjithmonë tek ju.

Çfarë duhet të bëni?

  • Bëhuni të vetëdijshëm për mënyrën si ndiheni.
  • Mos u justifikoni pafundësisht.
  • Mos u ndëshkoni për diçka që nuk është faji juaj.

3. Vendosni kufij të qartë (dhe mos i thyeni)

Narcisistët nuk e respektojnë hapësirën personale të të tjerëve, prandaj vendosja e kufijve personal është thelbësore.

Ide praktike për vendosjen e kufijve në marrëdhënie:

  • “Nuk do të flas me ty nëse më ofendon.”
  • “Kam nevojë për kohë për veten time.”
  • “Nuk e pranoj këtë mënyrë komunikimi.”

Kini parasysh: narcisistët do të testojnë kufijtë tuaj. Qëndroni të palëkundur.

4. Mos u përpiqni t’i ndryshoni

Një nga gabimet më të zakonshme është përpjekja për të ndryshuar një narcisist, duke menduar: “Nëse ai/ajo më do, do të ndryshojë.” Por personaliteti narcisist është i rrënjosur thellë dhe zakonisht nuk ndryshon lehtë, sidomos pa vetëdije dhe trajtim psikologjik.

5. Ruani vetëvlerësimin tuaj

Në një marrëdhënie me një narcisist është e zakonshme të ndiheni të padëgjuar ose të nëpërkëmbur. Mbani lidhje të forta me veten dhe me ata që ju mbështesin.

Si ta forconi vetëvlerësimin tuaj:

  • Kujtoni arritjet tuaja
  • Bëni aktivitete që ju sjellin gëzim
  • Qëndroni në kontakt me njerëz që ju respektojnë

6. Mos u përfshini në lojërat e tyre emocionale

Narcisistët shpesh kanë prirjen të përfshihen në situata dramatike: një moment janë të dashur, dhe tjetrin të ftohtë. Ky model i dashurisë me kushte krijon ankth dhe pasiguri.

Këshillë: Mos u përpiqni të analizoni çdo ndryshim të sjelljes së tyre. Mos kërkoni vazhdimisht miratim prej tyre. Fokusohuni te stabiliteti juaj emocional.

7. Kërkoni ndihmë profesionale nëse ndiheni të bllokuar

Nëse jeni në një marrëdhënie toksike me një narcisist sidomos në rastet kur ka dhunë psikologjike ose varësi emocionale,këshillimi psikologjik është i domosdoshëm. Një psikolog mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë veten dhe të merrni vendime të shëndetshme për jetën tuaj.

A Po Ju Dëmtojnë Emocionalisht Sjelljet Narcisiste?

Sjelljet narcistike mund tju shkaktojnë dëmtime afatgjata emocionale, duke çuar në:

  • Vetëvlerësim të ulët
  • Çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD)
  • Dyshim të vazhdueshëm ndaj vetes
  • Izolim social
  • Depresion ose mendime vetëvrasëse
  • Simptoma fizike (si dhimbje koke, pagjumësi, lodhje kronike)

Nëse filloni të ndjeni dyshime për veten ose të vini në pikëpyetje vlerën tuaj personale është momenti për të kërkuar ndihmë profesionale. Mbështetja psikologjike mund t’ju ndihmojë të përballoni dhimbjen emocionale dhe të rifitoni vetëbesimin.

Kur Duhet Të Largohemi Nga Një Narcisist?

Ndonjëherë, pavarësisht përpjekjeve për të vendosur kufij dhe për të përballuar situatën, marrëdhënia me një narcisist bëhet tepër e dëmshme për mirëqenien tuaj emocionale dhe psikologjike. Në këto raste, largimi mund të jetë hapi më i shëndetshëm dhe më i nevojshëm.

Ja disa shenja që tregojnë se duhet të largoheni nga një narcisist:

  • Marrëdhënia është vazhdimisht toksike dhe nuk përmirësohet. Nëse ndiheni shpesh të lodhur, të stresuar, të dëshpëruar ose të frikësuar për shkak të sjelljes së narcisistit.
  • Manipulimi dhe kontrolli emocional janë të pranishëm gjithmonë. Nëse ndjeni se po humbisni kontrollin mbi jetën tuaj për shkak të ndikimit të tyre
  • Ke humbur vetëvlerësimin dhe identitetin. Nëse përpiqeni të përshtateni gjithmonë me kërkesat e tyre dhe keni harruar kush jeni.
  • Ka dhunë psikologjike ose fizike. Çdo formë dhune është një arsye e fortë për t’u larguar menjëherë.

Largimi nga një marrëdhënie me një narcisist mund të jetë sfidues sidomos emocionalisht, por është një akt i fuqishëm i vetë-mbrojtjes dhe dashurisë për veten.

Si të largoheni në mënyrë të sigurt:

Kërkoni mbështetje nga familja, miqtë ose profesionistët e shëndetit mendor.

Planifikoni largimin në mënyrë të kujdesshme për të minimizuar konfliktet.

Mbani qëndrim të fortë ndaj përpjekjeve të tyre për manipulim ose bindje për t’u rikthyer.

Nëse kjo marrëdhënie po ndikon negativisht në jetën tuaj, mos hezito të kërkosh ndihmë. Mbrojtja e shëndetit tënd mendor është thelbësore.

Kontakto pranë Klinikës Ego!

BURIME

Narcissistic personality disorder:Facing DSM-V- Ronningstam E. (2009)

Narcissism, Social Experiences, and Mood in Late Life-NIH