Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Shëndeti Mendor Tek Adoleshentët-Çfarë Duhet Të Dini Dhe Si Mund T’i Ndihmoni

Shëndeti Mendor Tek Adoleshentët

Adoleshenca është një periudhë tranzicioni nga fëmijëria në moshë më të rritur e karakterizuar nga ndryshime të shumta biologjike, kognitive dhe psikologjike. Gjatë kësaj faze adoleshentët përjetojnë zhvillime që ndikojnë në formimin e identitetit dhe personalitetit të tyre. Kjo periudhë shoqërohet me një dëshirë për pavarësi, eksplorim të përvojave të reja dhe një ndjeshmëri të theksuar ndaj ndikimeve të jashtme. Por pikërisht këto ndryshime e bëjnë adoleshencën një fazë të brishtë për zhvillimin e problemeve të shëndetit mendor.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 10-20% e adoleshentëve në mbarë botën përjetojnë probleme të shëndetit mendor, por shumica e tyre mbeten të padiagnostikuara dhe të patrajtuara për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit, stigmatizimit dhe mungesës së qasjes në shërbime të përshtatshme.

Cilat Janë Shenjat Paralajmëruese?

Jo gjithmonë është e lehtë të kuptosh kur një adoleshent po vuan në heshtje. Por ka disa shenja që nuk duhen anashkaluar:

  • Humbja e interesit për aktivitetet e përditshme
  • Izolim social, qëndrim i gjatë në dhomë
  • Ndryshime të menjëhershme në oreks ose gjumë
  • Rënie në performancën shkollore
  • Shprehje të vetëvlerësimit të ulët (“jam i pavlerë”, “askush nuk më kupton”)
  • Sjellje impulsive, agresive apo vetë-dëmtuese
  • Ankth i vazhdueshëm apo sulme paniku

Nëse këto shenja zgjasin për më shumë se disa javë është thelbësore të kërkohet ndihmë profesionale.

Çrregullimet Mendore Më Të Shpeshta Te Adoleshentët

Çrregullimet mendore tek adoleshentët shpesh kalojnë pa u vënë re, por ato mund të kenë pasoja të rënda për zhvillimin e mëtejshëm të individëve. Disa nga çrregullimet më të zakonshme që ndodhin gjatë kësaj periudhe janë:

1. Depresioni

Depresioni është një nga çrregullimet më të zakonshme dhe më të rënda që ndodhin tek adoleshentët. Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 3.2% e adoleshentëve globalisht përjetojnë depresion. Simptomat e depresionit përfshijnë trishtim, humbje të interesit për aktivitete të zakonshme dhe vetëvlerësimi i ulët. Këto mund të ndikojnë negativisht në performancën shkollore dhe marrëdhëniet sociale.

3. Ankthi

Sipas studimeve të fundit, më shumë se 25% e adoleshentëve përjetojnë disa forma ankthi gjatë periudhës së adoleshencës. Disa nga shenjat përfshijnë shqetësim të vazhdueshëm, pasiguri dhe mund të shfaqen simptoma fizike si dhimbje koke, dhimbje stomaku dhe mund të lidhen me përkeqësimin e kushteve mjekësore.

4. Çrregullimet e ushqyerjes

Anoreksia dhe bulimia janë disa nga çrregullimet e ushqyerjes që mund të prekin adoleshentët, veçanërisht vajzat. Sipas National Eating Disorders Association (NEDA), deri në 30% e të rinjve mund të përjetojnë një formë të çrregullimit të ushqyerjes gjatë periudhës së adoleshencës. Këto çrregullime ndodhin për shkak të presioneve shoqërore për të pasur një trup të caktuar dhe mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe mendor. Mund të përshkallëzohet në çrregullime si BDD (Body Dysmorphic Disorder) apo sjellje të rrezikshme për të perfeksionuar pamjen.

5. Çrregullimet e sjelljes

Disa adoleshentë mund të shfaqin sjellje impulsive, agresive ose të rrezikshme, si një mënyrë për të përballuar stresin apo për të kërkuar vëmendje. Çrregullimi i Sjelljes Antisociale është një nga çrregullimet më të zakonshme që ndodhin tek djemtë, dhe përfshin shkeljen e rregullave sociale, dhunën ndaj të tjerëve dhe mospërfilljen e pasojave. Ky çrregullim shpesh kërkon trajtim të menjëhershëm për të parandaluar pasoja afatgjata.

6. Çrregullimi i hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes (ADHD)

Karakterizohet nga vështirësi në përqendrim, hiperaktivitet dhe sjellje impulsive. ADHD shpesh diagnostikohet në fëmijëri, por simptomat mund të vazhdojnë edhe në adoleshencë.

7. Vetë-lëndimi (Self-Harm)

Disa adoleshentë mund të përfshihen në sjellje vetëlënduese si prerje ose djegie, shpesh si një mënyrë për të përballuar ndjenjat e dhimbshme ose boshllëkun emocional.

Faktorët Që Ndikojnë Në Shëndetin Mendor Të Adoleshentëve

Shëndeti mendor i adoleshentëve nuk është vetëm një çështje biologjike, por është rezultat i një kombinimi faktorësh që ndikojnë gjatë periudhës së zhvillimit. Disa nga këta faktorë përfshijnë:

  • Faktorët gjenetikë dhe biologjikë

Një pjesë e adoleshentëve mund të kenë predispozita gjenetike për çrregullime të caktuara, si depresioni apo ankthi. Këto çrregullime mund të fillojnë të shfaqen që në moshën 12-14 vjeçare. Sipas National Institute of Mental Health (NIMH) deri në 40% e adoleshentëve që vuajnë nga depresioni kanë histori familjare të këtij çrregullimi.

  • Mjedisi familjar dhe social

Mjedisi në të cilin rriten adoleshentët ka një ndikim të madh në shëndetin e tyre mendor. Familjet që janë të ndarë, që përjetojnë dhunë ose që kanë nivel të ulët mbështetjeje emocionale janë më të rrezikuara për të shfaqur probleme të shëndetit mendor. Studimet tregojnë se adoleshentët që rriten në familje të dhunshme kanë më shumë mundësi të zhvillojnë depresion dhe ankth.

  • Presioni shkollor dhe aktivitetet sociale

Të rinjtë shpesh ndihen të shtypur nga presioni për të arritur rezultate të larta shkollore dhe për të përmbushur pritshmëritë shoqërore. Kjo mund të çojë në ankth dhe stres të vazhdueshëm. Në vitet e fundit ndikimi i rrjeteve sociale është bërë gjithashtu një faktor i rëndësishëm, pasi adoleshentët shpesh përjetojnë krahasime sociale dhe bullizëm online, të cilat ndikojnë në zhvillimin e depresionit dhe çrregullimeve të tjera mendore.

  • Trauma dhe abuzimi

Për shumë adoleshentë, trauma si abuzimi fizik, emocional apo seksual, lënë pasoja që ndikojnë në zhvillimin e çrregullimeve mendore. Këta adoleshentë kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar çrregullime të sjelljes, depresion dhe ankth.

  • Bullizmi

Adoleshentët që janë viktima të bullizmit zhvillojnë probleme të qëndrueshme të shëndetit mendor duke përfshirë çrregullime të ankthit, depresionit dhe stresit post-traumatik (PTSD). Bullizmi mund të ndodhë në forma të ndryshme, përfshirë bullizmin fizik, emocional dhe virtual (online).

  • Ndikimi i rrjeteve sociale dhe teknologjisë

Rrjetet sociale si Instagram, TikTok dhe Snapchat po ndikojnë ndjeshëm në shëndetin mendor të adoleshentëve. Krahasimi me të tjerët ul vetëvlerësimin dhe rrit ankthin. Studimet tregojnë se mbi 70% e të rinjve ndihen keq emocionalisht pas përdorimit të rrjeteve sociale, ndërsa 1 në 3 përjetojnë bullizëm virtual. Përdorimi i tepërt i teknologjisë ndikon edhe në gjumë, përqendrim dhe ndjeshmëri emocionale.

Si Të Hapim Biseda Me Një Adoleshent Për Shëndetin Mendor?

Të flasësh me një adoleshent për ndjenjat e tij nuk është gjithmonë e lehtë, por është një hap kyç për mirëqenien e tij mendore. Këto biseda nuk duhet të ndodhin vetëm kur ka një problem – përkundrazi, një seri bisedash të vogla të herëpashershme ndihmojnë në krijimin e një lidhjeje të fortë dhe hapësire të sigurt për të folur, edhe kur situatat bëhen më sfiduese.

Krijoni një ambient të sigurt emocional

Shumë adoleshentë shmangin bisedat për tema të vështira nga frika e gjykimit, kritikës apo ndëshkimit. Prindërit duhet ta bëjnë të qartë se janë aty për të dëgjuar, jo për të dhënë leksione. Një deklaratë e thjeshtë si: “Mund të më thuash gjithçka, nuk do të të gjykoj” mund të bëjë diferencën.

Dëgjoni më shumë sesa flisni

Adoleshentët shpesh kanë nevojë të ndihen të dëgjuar dhe të kuptuar. Prindërit duhet të shmangin prirjen për të ndërhyrë me këshilla të menjëhershme ose për të krahasuar përvojat e tyre. Synoni të dëgjoni me empati dhe pa ndërprerje – edhe heshtja ndonjëherë është pjesë e rrëfimit.

Zgjidhni fjalë që nuk e vënë adoleshentin në pozita

Bisedat duhet të fillojnë me vëzhgime të kujdesshme dhe pa kritika. Në vend të “Je sjellë çuditshëm kohët e fundit”, më mirë thoni:

“Kam vënë re që nuk ke shumë oreks kohët e fundit dhe nuk vjen më në darkë me ne. Po mendoja nëse diçka të ka mërzitur.”

Pranoni heshtjen si pjesë të procesit

Shumë adoleshentë nuk janë gati të flasin menjëherë. Mund të mos dinë si ta shprehin atë që ndjejnë apo ndoshta janë përpjekur ta përballojnë vetëm për një kohë të gjatë. Tregoni durim. Mund të thoni:

“E di që kjo mund të jetë e vështirë për të folur. Jam këtu kur të ndihesh gati.”

Kur Duhet Kërkuar Ndihmë?

Ndihma profesionale nuk është gjithmonë zgjedhja e parë për një prind apo një adoleshent – por shpesh është më e nevojshmja. Është e rëndësishme të kuptojmë se jo çdo adoleshent që përjeton stres apo trishtim ka një çrregullim të shëndetit mendor, por nëse simptomat zgjasin për disa javë dhe ndikojnë në jetesën e tyre është koha të kërkohet ndihmë.

Si Ndihmon Një Profesionist I Shëndetit Mendor?

Një profesionist i shëndetit mendor – si psikologu, psikiatri apo terapisti – është i trajnuar për të kuptuar sfidat emocionale, mendore dhe sociale që hasin adoleshentët në faza të ndryshme të zhvillimit të tyre.

Roli i tyre përfshin:

  • Dëgjim aktiv dhe pa paragjykim: Adoleshentët shpesh kanë nevojë për një hapësirë të sigurt ku mund të shprehen pa frikë nga kritika apo gjykimi.

 

  • Vlerësim profesional të gjendjes mendore: Përmes vlerësimeve klinike, psikolgu ose terapisti identifikon nëse adoleshenti po përjeton një çrregullim të shëndetit mendor dhe në çfarë shkalle gjendet.

 

  • Zhvillimi i aftësive për përballim: Një profesionist i shëndetit mendor ndihmonë adoleshentin të zhvillojë mekanizma të shëndetshëm për të menaxhuar stresin, ankthin, presionin social apo dyshimet.

 

  • Mbështetje në ndërtimin e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit: Psikologët ndihmojnë në krijimin e një identiteti të qëndrueshëm emocional dhe përforcojnë aftësitë sociale.

 

Nëse je një prind që ndjen se fëmija yt po përjeton vështirësi emocionale, mos hezito të kërkosh ndihmë profesionale. Psikologët tanë pranë Klinika Ego janë të përkushtuar të ndihmojnë çdo individ të gjejë qetësinë dhe balancën e tyre të brendshme.

REZERVONI NJË TAKIM TANI!

BURIME

Teen Mental Health: How to Know When Your Child Needs Help-HealthyChildren.org

Child and Adolescent Mental and Behavioral Health Resolution-American Psychological Association

Mental Health Disorders in Adolescents-ACOG.org