Të shohësh një person të dashur që përballet me simptomat e çrregullimit bipolar mund të jetë shqetësuese. Por ekzistojnë shumë mënyra të shëndetshme për të ofruar mbështetje – duke u kujdesur edhe për mirëqenien tënde.
Ky artikull do të të ndihmojë të kuptosh:
- Si të kuptosh më mirë çrregullimin bipolar
- Si të ndihmosh gjatë episodeve maniakale dhe depresive
- Si të flasësh pa gjykim dhe të vendosësh kufij
- Si të kujdesesh për veten ndërkohë që ndihmon një person me çrregullim bipolar
Kupto çrregullimin bipolar
Para se të përpiqesh të ndihmosh dikë me këtë çrregullim është thelbësore të kuptosh se çfarë është çrregullimi bipolar. Ky çrregullim shkakton luhatje ekstreme të humorit, ku individi përjeton:
Episode maniakale – me energji të lartë, ndjesi euforie, mungesë gjumi, rritje të vetëbesimit ose sjellje impulsive.
Episode depresive – ndjesi boshllëku, trishtimi, lodhje, vështirësi për të funksionuar në përditshmëri.
Mëso më shumë rreth këtij çrregullimi
Dëgjo pa gjykuar
Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bësh është thjesht të dëgjosh. Gjatë episodeve të ndryshme, personat me çrregullim bipolar mund të ndihen të hutuar, të zemëruar ose jashtë realitetit. Në vend që të përpiqesh t’i “bindësh” për diçka, trego mirëkuptim dhe empati.
Pyetje si:
“Si ndihesh tani?”
“A dëshiron të flasim apo thjesht të rri pranë teje?”
…mund të jenë shumë më mbështetëse sesa këshillat e drejtpërdrejta.
Gjej momentin e duhur për të folur
Nëse sjellja e tyre gjatë një episodi është shqetësuese prit që të jenë në një gjendje më të qëndrueshme për të folur. Përdor një ton të qetë. Qëllimi nuk është të kritikosh, por të krijosh hapësirë për komunikim të shëndetshëm.
Respekto kufijtë e një personi me çrregullim bipolar dhe vendos kufijtë e tua
Të ndihmosh nuk do të thotë të sakrifikosh gjithçka nga vetja. Ka rëndësi të vendosësh kufij të shëndetshëm, si p.sh.:
- Nuk je gjithmonë në dispozicion për telefonata natën vonë
- Nuk mund të marrësh përgjegjësinë për çdo vendim të tyre
- Ke nevojë për kohën tënde për pushim apo për të folur me një psikolog
Mbështetja funksionon vetëm nëse ti kujdesesh edhe për mirëqenien tënde.
Kërkimi i ndihmës profesionale
Shumë njerëz me çrregullim bipolar mund të ndihen të turpëruar ose mohojnë nevojën për ndihmë. Ti mund të:
- Sugjerosh butësisht që të kërkojnë ndihmë
- Ofron të kërkoni së bashku një psikolog apo psikiatër
- Mbështesësh përdorimin e mjekimeve dhe ndjekjen e terapive
Mos harro – ndihma profesionale është e domosdoshme dhe ndihma jote është vetëm një pjesë e procesit të tyre të rikuperimit.
Çfarë Të Bësh Kur Dikush Me Çrregullim Bipolar Të Largon
Ka raste kur edhe pse përpiqesh me gjithë zemër të jesh pranë dikujt me çrregullim bipolar, ai/ajo mund të të shtyjë larg. Kjo mund të ndodhë kur personi ndodhet në një fazë krize, sidomos gjatë një episodi maniakal ose depresiv dhe nuk ndihet gati të flasë apo të hapet emocionalisht.
Në këto raste:
Mos e merr personale. Largimi nuk ka të bëjë me ty si individ, por me gjendjen emocionale dhe mendore që po kalon.
Pyete me kujdes:
“A ka ndonjë person tjetër me të cilin do të ndiheshe më mirë të flisje për këtë situatë?”
Nëse nuk të jep përgjigje ose nuk pranon se ka nevojë për ndihmë, mos u tërhiq menjëherë por vlerëso situatën. Nëse personi është në rrezik për veten apo të tjerët është e domosdoshme të veprosh.
Kur është koha të kërkosh ndihmë profesionale:
- Kontakto mjekun e tij/saj, psikologun ose ekipin shëndetësor nëse ka një të tillë.
- Nëse situata është emergjente dhe personi është i rrezikshëm për veten ose të tjerët, telefononi urgjencën.
Gjatë gjithë kësaj kohe, përpiqu të qëndrosh i qetë sepse reagimi yt do të ndikojë shumë në përshkallëzimin ose qetësimin e situatës.
Pyetje/Përgjigje
A është e mundur të kem një marrëdhënie normale me dikë që ka çrregullim bipolar?
Po, mund të kesh një marrëdhënie të shëndetshme me një person me çrregullim bipolar. Me mirëkuptim, durim dhe trajtim të duhur, sfidat mund të menaxhohen dhe marrëdhënia të jetë e fortë dhe e qëndrueshme.
Çfarë nuk duhet t’i thuash një personi me çrregullim bipolar?
Mos minimizo përvojën e tyre ose mos përdor fjalë që nxisin stres. Përdor gjithmonë ton empatik dhe mirëkuptues për t’i mbështetur.
Si të qetësosh një person me çrregullim bipolar që është i zemëruar?
Njerëzit me çrregullime mendore shpesh e kanë të vështirë të kuptojnë çfarë po përjetojnë, gjë që mund t’i bëjë të ndihen të frustruar dhe të zemëruar. Të kuptosh atë që po kalojnë dhe t’u ofrosh mbështetjen tënde mund të bëjë një ndryshim të madh në mënyrën se si ndihen.
BURIME
Mind UK – Supporting Someone with Bipolar Disorder
National Institute of Mental Health – Bipolar Disorder
Mayo Clinic – Bipolar Disorder