Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Fëmija im Duhet të Shkëlqejë!” – Deri Ku Shkon Ndikimi i Prindërve Tek Arritjet Akademike

Fëmija Im Duhet Të Shkëlqejë!” – Deri Ku Shkon Ndikimi I Prindërve Tek Arritjet Akademike

Shumë prindër mendojnë se po e motivojnë fëmijën kur i thonë: “Ti mund të bësh më shumë!”, “Pritshmëritë e mia janë të larta për ty”, ose “Duhet të të shoh me nota të shkëlqyera.” Por në realitet, këto fjalë shpesh shndërrohen në presion të heshtur që fëmija e mban mbi shpatulla.

Ky presion nuk është gjithmonë i dukshëm. Ai fshihet në mënyrën si prindi e krahason me fëmijët e tjerë, në pyetjet e vazhdueshme për notat apo në komentet mbi të ardhmen: “Nëse nuk shkon në universitet, ç’do bëhet me ty?”

Psikologët theksojnë se edhe kur nuk thuhet hapur, fëmija e ndien peshën e këtyre pritshmërive. Shumë herë, ai fillon ta lidhë vlerën personale vetëm me arritjet akademike.

Të gjithë prindërit duan më të mirën për fëmijët e tyre. Një diplomë e mirë, një universitet i njohur dhe një karrierë e suksesshme shpesh shihen si garanci për një të ardhme të sigurt.

Por deri në çfarë mase ky presion bëhet ndihmues dhe kur shndërrohet në barrë të rëndë për fëmijën?

Sa Presion Është “I Shëndetshëm”?

Një nivel i caktuar pritshmërie është i dobishëm – ai e mëson fëmijën të ketë disiplinë dhe të vendosë objektiva. Por ka një dallim të madh mes motivimit dhe presionit të vazhdueshëm e të tepërt.

  • Presioni i shëndetshëm: inkurajim, ndihmë për të zbuluar pasionet, vendosje qëllimesh realiste.
  • Presioni i dëmshëm: krahasime me të tjerët, pritshmëri joreale, mungesë hapësire për gabime.

Shumë prindër nuk e kuptojnë se mesazhet e tyre edhe kur janë direkte apo të pashprehura drejtpërdrejt mund të ndikojnë tek fëmijët.

Shprehje si “Ti je shumë i zgjuar, nuk duhet të marrësh nota të ulëta” apo “Presim shumë nga ty” shpesh interpretohen nga fëmija si një detyrim i pashmangshëm për të qenë i përsosur.

Ky presion i heshtur nuk shfaqet gjithmonë si urdhër i qartë. Shpesh maskohet si motivim, por realisht krijon një ngarkesë emocionale. Fëmijët fillojnë ta ndiejnë se dashuria dhe pranimi i prindërve lidhen drejtpërdrejt me arritjet akademike. Kjo ndjenjë mund të kthehet në një burim të fortë ankthi.

Ndikimi Psikologjik Tek Fëmijët

1. Ankthi akademik

Fëmijët që rriten nën pritshmëri të vazhdueshme mësojnë të lidhin vetëvlerësimin e tyre vetëm me nota dhe rezultate. Çdo test, provim apo konkurs bëhet një burim ankthi i madh, pasi dështimi perceptohet jo thjesht si humbje e një pike, por si humbje e dashurisë dhe pranimit nga prindi. Ky ankth i vazhdueshëm mund të shkaktojë probleme me përqendrimin, gjumin dhe madje edhe me shëndetin fizik (dhimbje koke, dhimbje stomaku, lodhje).

2. Frika nga dështimi

Kur fëmija rritet me idenë se nuk duhet të gabojë kurrë, ai humb aftësinë për të eksperimentuar dhe për të mësuar nga gabimet. Psikologët e quajnë këtë “paralizë nga perfeksionizmi” – fëmija preferon të mos provojë fare diçka të re nga frika se mund të mos e bëjë perfekt. Në afatgjatë, kjo e bën më pak të guximshëm në shkollë, karrierë dhe marrëdhënie personale.

3. Humbja e vetëbesimit

Në vend që të zhvillojë një ndjenjë të brendshme sigurie, fëmija fillon të matë veten vetëm me shiritin e suksesit të jashtëm. Nëse një ditë nuk arrin nivelin që prindi pret, ai e sheh veten si “dështak”. Ky model i të menduarit mund të krijojë vetëbesim të brishtë, ku fëmija ndihet i mirë vetëm kur arrin rezultate të larta.

4. Perfeksionizmi i tepruar

Një tjetër pasojë e presionit të prindërve është perfeksionizmi. Në vend që të jenë të motivuar për të përmirësuar aftësitë e tyre, fëmijët perfeksionistë ndihen gjithmonë nën tension. Ata mund të kalojnë orë të tëra duke rishikuar detyrat, të humbin kënaqësinë nga mësimi dhe të mendojnë vazhdimisht: “Nuk jam mjaftueshëm i mirë.”

5. Ndikimi në zhvillimin emocional dhe social

Presioni akademik nuk prek vetëm raportin e fëmijës me shkollën, por edhe me moshatarët. Fëmijët që jetojnë nën ankth dhe frikë nga dështimi mund të tërhiqen nga grupet shoqërore, të ndihen të izoluar ose të zhvillojnë xhelozi dhe rivalitet me të tjerët. Në vend që të shohin moshatarët si miq, i shohin si konkurentë.

6. Rreziku i çrregullimeve të shëndetit mendor

Studime ndërkombëtare kanë treguar se fëmijët dhe adoleshentët që rriten me presion të lartë akademik kanë më shumë gjasa të zhvillojnë:

  • Ankth kronik
  • Depresion
  • Burnout (lodhje emocionale,mendore e hershme)
  • Çrregullime të ushqyerit (në raste kur presioni për të qenë “perfekt” përhapet edhe përtej shkollës, p.sh. në pamje fizike)

Psikologët theksojnë se këto pasoja nuk shfaqen menjëherë, por ndërtimi i tyre fillon herët. Një fëmijë që rritet me idenë se “dashuria duhet fituar me sukses” shpesh rritet dhe do të ketë vështirësi të pranojë veten dhe të krijojë marrëdhënie të shëndetshme.

Si Të Motivohet Fëmija Pa E Ngarkuar Emocionalisht?

Motivimi pozitiv është ndryshe nga presioni.

Prindërit mund të bëjnë diferencën duke:

  • Vlerësuar përpjekjen, jo vetëm rezultatin. Në vend të “Pse nuk more 10?”, prindi mund të thotë: “Pashë sa shumë u përpoqe, kjo është për t’u vlerësuar.”
  • Inkurajuar kuriozitetin. Fëmija nuk duhet të mësojë vetëm për provime, por për të kuptuar botën rreth vetes.
  • Lejuar dështimin. Gabimet janë pjesë e mësimit. Të mos i lejojmë fëmijët të dështojnë, do të thotë t’u mohojmë mundësinë të forcohen.
  • Kujdesur për shëndetin emocional. Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa notat.

Shembull komunikimi:

Në vend që prindi të thotë “Duhet të marrësh 10, ndryshe s’ka pushime”, mund të thotë: “E di që ke dhënë më të mirën tënde. Le të shohim bashkë si mund të përmirësohesh.”

Çfarë Mund Të Bëjnë Prindërit?

  • Të krijojnë një ambient sigurie emocionale. Fëmija duhet të ndiejë se është i dashur pavarësisht rezultateve.
  • Të dëgjojnë nevojat e tij. Pyetja “Si ndihesh?” është po aq e rëndësishme sa “Çfarë note more?”.
  • Të ruajnë ekuilibrin mes motivimit dhe pritshmërive. Nuk është problem të kërkosh përpjekje, por është problem të kërkosh perfeksion të vazhdueshëm.
  • Të kujtojnë se suksesi nuk matet vetëm me diploma. Fëmijët kanë talente dhe prirje të ndryshme – arti, sporti, teknologjia, komunikimi – që vlejnë po aq sa një diplomë universitare.

Të gjithë prindërit duan më të mirën për fëmijët e tyre. Por rruga drejt së mirës nuk kalon domosdoshmërisht nga nota 10 apo nga një diplomë universitare. Më e rëndësishme është që fëmija të ndiejë dashuri, pranim dhe mbështetje. Kur ai mëson se vlera e tij nuk varet vetëm nga arritjet akademike, atëherë do të ketë siguri për të ndërtuar një të ardhme të shëndetshme jo vetëm intelektuale, por edhe emocionale.

BURIME

Child Mind Institute-How Does Anxiety Affect Kids in School?
VeryWell Health-Understanding Perfectionism
American Psychological Association-How to help children and teens manage their stress