Skizofrenia është një nga çrregullimet mendorë më të përhapura, me një ndodhmëri prej 0.7%–1% në popullatën totale. Një numër i madh i studime shkencore kanë treguar se faktorët e lidhur me gjininë luajnë një rol potencialisht të rëndësishëm në formimin e rrjedhës klinike të skizofrenisë.
Observimet klinike tregojnë se meshkujt dhe femrat ndryshojnë në prevalencë, simptomatikë dhe reagime ndaj trajtimit të disa sëmundjeve psikiatrike, përfshirë skizofreninë. Etiologjia e dallimeve gjinore në skizofreni është vetëm pjesërisht e kuptueshme.
Nevojiten më shumë studime shkencore për të kuptuar rolet shkakësore të dallimeve gjinore në skizofreni me qëllim zhvillimin e trajtimit specifik për këtë sëmundje mendore serioze. Vlerësimi i dallimeve të lidhura me gjininë është hapi i parë në drejtim të psikiatrisë së precizionit.
Epidemiologjia
Incidenë e skizofrenisë është më e lartë te meshkujt sesa te femrat, me një raport të afërt prej 1.4:1. Fillimi i skizofrenisë te meshkujt është 3.2–4.1 vjet më herët sesa te femrat. Meshkujt dhe femrat kanë treguar ndjeshmëri të ndryshme ndaj skizofrenisë në etapat e ndryshme të jetës. Incidenë e shizofrenisë ështe më e lartë te meshkujt nën moshën <40 vjeç, me kulmin e ndodhshmërisë mes 20 dhe 29 vjeç.
Tek femrat vërehen dy kulme të incidencës—e para në moshën 20–39 vjeç dhe e dyta në periudhën e perimenopauzës. Incidence e sëmundjes rritet ndjeshëm pas moshës 40 vjeç te femrat, çka mund të lidhet me nivelet e ulet të estrogenit pas menopauzës.
Gjithashtu, shumë faktorë psikosocialë mund të kontribuojnë në zhvillimin e psikozës, duke përfshirë vetmi, ngjarje traumatike jetësore dhe mungesa e mbështetjes familjare/sociale, të cilat mund të gjenden shpesh te femrat në menopauzë dhe pasmenopauzës.
Prezantimi i sëmundjes
Ekzistojnë dallime gjinore në prezantimin klinik të skizofrenisë. Për shembull, meshkujt me skizofreni duket se kanë karakteristika klinike më të rënda se femrat. Femrat me skizofreni shpesh paraqiten me shqetësime më të mëdha të humorit dhe simptoma depresive. Mosha e fillimit është gjithashtu e lidhur me llojin e simptomave. Për shembull, studimet treguan se femrat me fillim të vonuar të skizofrenisë mund të kenë simptoma më pak të rënda negative dhe shfaqen me simptoma pozitive, veçanërisht halluçinacione sensore dhe deluzione të persekutimit.
Femrat kanë gjithashtu më shumë mundësi për të pasur deluzione afektive, siç janë deluzionet e dashurisë. Meshkujt që vuajnë nga skizofrenia kanë më shpesh halucinacione auditive (të dëgjimit), deluzione të persekutimit. Ata kanë tendencë për të patur simptoma më të rënda dhe përvoja më të forta të izolimit shoqëror. Në mesin e pacientëve me skizofreni, meshkujt kanë një rrezik më të lartë për të përjetuar simptoma negative të dukshme, ndërsa femrat shfaqin më shumë simptoma emocionale, duke përfshirë depresionin, impulsivitetin, paqëndrueshmërinë emocionale, sjelljen seksuale të parregullt dhe deluzionet seksuale.
Për sa i përket disfunksionit kognitiv, pacientët femra performojnë më mirë në dimensionet e funksionit ekzekutiv, memories verbale dhe shpejtësisë së përpunimit të informacionit krahasuar me pacientët meshkuj. Studimet kanë treguar gjithashtu se pacientët meshkuj janë më mirë se femrat në lidhje me memorien vizuale dhe vëmendjen.
Faktorët e Rrezikut
Përveç dallimeve biologjike, ndikimet sociale dhe kulturore kanë një rol të rëndësishëm në manifestimin e skizofrenisë midis dy gjinisë. Faktorët psikosocialë të rëndësishëm, duke përfshirë arsimin, punën, shtatzëninë dhe martesën, janë ngushtë lidhur me incidencën, reagimin ndaj trajtimit dhe rikthimin e skizofrenisë.
Meshkujt kanë tendencë të jenë më të predispozuar ndaj stresit dhe të ekspozohen më shpesh ndaj situatave stresuese, që mund të shkaktojnë një përkeqësim të simptomave të tyre. Në të kundërt, femrat kanë më shpesh një rol kujdestari në familje dhe kjo ndihmon në zvogëlimin e presionit të jashtëm. Megjithatë, ngjarjet e ngjashme jetësore mund të kenë efekte të ndryshme në meshkuj dhe femra. Gjithashtu, ballafaqimi me sfidat në fëmijëri është i lidhur me rëndësinë e dimensioneve të ndryshme të simptomave tek meshkujt dhe femrat.
Megjithatë, për shkak të fillimit të vonuar të skizofrenisë dhe funksionimit relativisht normal social, femrat kanë tendencë të marrin më shumë vite arsimimi sesa meshkujt. Analizat e stratifikuara treguan se normat e urbanizimit, ndarjet dhe kushtet socio-ekonomike për të rriturit femra ishin të lidhura pozitivisht me rritjen e rrezikut për skizofreni.
Megjithatë, për të rriturit meshkuj, kushtet socio-ekonomike të ulëta ishin të lidhura me rënie të rrezikut për skizofreni, dhe nuk kishte ndonjë lidhje të rëndësishme midis divorcit dhe rrezikut për skizofreni. Studimet e mëparshme sugjerojnë se abuzimi në fëmijëri mund të jetë faktori më i fortë në lidhje me rrezikun e zhvillimit të skizofrenisë dhe fillimin më të hershëm të sëmundjes te femrat krahasuar me meshkujt.
Menaxhimi i Sëmundjes
Në strategjitë terapeutike të përdorura për trajtimin e skizofrenisë, diagnozat simptomatike klasike shpesh përshkruajnë prezantimet e sëmundjes në meshkuj. Prandaj, një fushë e rëndësishme që ka nevojë për përmirësim është zbulimi i hershëm i shenjave specifike gjinore të skizofrenisë në epsodin e parë për të shkurtuar kohën e sëmundjes së pa trajtuar te femrat. Për shkak të dallimeve morfologjike e funksionale midis meshkujve dhe femrave, farmakodinamika dhe farmakokinetika e antipsikotikëve mund të ndikohen nga gjinia.
Dallimet gjinore mund të ndihmojnë në hartimin e trajtimeve farmakologjike dhe psikoterapeutike më efektive dhe të përshtatshme për gjininë, duke përfshirë dozat e barnave, efektet anësore dhe respektimin e trajtimit nga pacienti.
Pacientët femra tregojnë një përgjigje më të mirë ndaj trajtimit në krahasim me meshkujt dhe ato kanë rreth 50% më pak shtrime në spital. Në anën tjetër, meshkujt me psikozë shpesh kanë nevojë për doza më të larta të barnave antipsikotike pasi shfaqin metabolizmin më të madh nga enzimat e mëlçisë.
Pacientët meshkuj me sëmundje mendore gjithashtu konsumojnë më shumë cigare dhe kafe, të cilat promovojnë prodhimin e enzimave të mëlçisë për metabolizmin e barnave. Në anën tjetër, krahasuar me gratë e reja, gratë pas menopausës, zakonisht kanë nevojë për doza më të mëdha të antipsikotikëve, të lidhur me zvogëlimin e niveleve endogjene të estrogjenit. Ka studime që tregojnë se terapia me estrogjen vetëm ose si terapi shtesë për antipsikotikë tregon përmirësime më të shpejta te meshkujt dhe femrat me skizofreni.
Studimet tregojnë se gratë zhvillojnë më shumë efekte anësore si hiperprolaktinemi, hipertension, shtim peshe. Megjithatë, gratë tregojnë një respektim më të mirë të trajtimit dhe rezultate më të mira në përgjigje të trajtimeve krahasuar me meshkujt. Një nga hipotezat është se gratë përgjigjen më mirë sesa meshkujt në trajtimin e skizofrenisë për shkak të aftësive sociale të ruajtura më mirë.
Bazuar në dallimet në përgjigjen ndaj trajtimit të skizofrenisë midis meshkujve dhe femrave, terapia mund të përqendrohet në eliminimin e abuzimit të substanëve, zhvillimin e aftësive socio-profesionale dhe reduktimin e sjelljeve negative tek meshkujt, ndërsa trajtimi për gratë mund të përqendrohet më shumë në reduktimin e simptomave afektive dhe përmirësimin e depresionit dhe ankthit bashkëshoqërues.
Meqenëse shumë gra kanë fillim të sëmundjes më vonë dhe humbje më të mëdha socio-profesionale, studimet sugjerojnë që terapia për gratë duhet të synojë në rivendosjen marrëdhënieve të sukseshme sociale, ndërsa meshkujt, shpesh, duhet të mësojnë t’i arrijnë këto për herë të parë
Ecuria e sëmundjes
Përmirësimi i pacientëve me skizofreni ndryshon ndjeshëm midis gjinive. Meshkujt kanë tendencë të kenë një prognozë më të keqe dhe janë më të prirur të kërkojnë ndihmë në situata më të rënda. Nga ana tjetër, femrat kanë një mundësi më të lartë për tu përmirësuar me trajtim, ndoshta pasi simptomat e tyre janë më të lehta. Përmirësimi i pacientëve me skizofreni ndryshon ndjeshëm midis dy gjinive.
Referencë:
1. “Why sex differences in schizophrenia?” Rena li
2. “A glimpse of gender differences in schizophrenia” Xin Li