Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
Çfarë Janë Kufijtë Personal?

Nëse një mik dëshiron që të qëndroni më gjatë sesa keni planifikuar por ju zgjidhni të shkoni në shtëpi sipas orarit tuaj, ky është një shembull i vendosjes së një kufiri të shëndetshëm.

Nëse dikush i afërt bëhet shumë kërkues për kohën tuaj dhe ju ndjeni nevojën për hapësirë personale, ky është një tjetër shembull i respektimit të kufijve të shëndetshëm.

Të kuptojmë se kur dhe si të vendosim kufij të shëndetshëm mund të jetë e ndërlikuar.

Kur njohim vlerat dhe besimet tona thelbësore është më e lehtë të vendosim mbrojtje për të mbështetur shëndetin mendor dhe emocional

Punonjësja sociale Karen Salerno,tregon pse kufijtë e shëndetshëm janë të rëndësishëm dhe si t’i vendosni ato pavarësisht nga lloji i marrëdhënies në të cilën jemi të përfshirë.

Cilët Janë Kufijtë E Shëndetshëm?

Kufijtë e shëndetshëm janë një mjet i nevojshëm për t’u siguruar që keni përmbushur nevojat tuaja. Ata na lejojnë të:

  • Të ruajmë identitetin tonë.
  • Parandalojmë të tjerët që të përfitojnë ose manipulojnë me ne.
  • Promovojmë marrëdhënie të shëndetshme.
  • Na lejojmë të jemi të sigurt.
  • Na fuqizojnë që të përpiqemi për qëllime personale dhe të krijojmë ndjeshmëri për të tjerët.

Kufijtë janë korniza që i vendosim vetes se si duam të trajtohemi nga të tjerët dhe si i trajtojmë njerëzit e tjerë. Është percaktimi i mënyrës se si dëshironi të trajtoheni dhe respektimi I këtyre dëshirave nga palët e jashtme, është ajo që promovon mirëqenien fizike dhe emocionale.

Pra,nëse keni një koleg që është shumë ndërhyrës me ju në punë dhe po ju bën të mos ndiheni rehat mund ta ndaloni atë sjellje dhe të shpjegoni sesi ndiheni.

E njëjta gjë vlen edhe për çdo pjesëtar të familjes që mund të mos jetë i mirëpritur gjatë një mbledhje familjare. Ju jeni zotëruesi i fatit tuaj dhe ju lejohet të vendosni kufij të shëndetshëm për hir të lumturisë dhe mirëqenies suaj.

Nëse ka ndonjë pyetje nëse një kufi është i shëndetshëm apo jo, mbani në mend se kufijtë e shëndetshëm nuk do të përpiqen kurrë të ushtrojnë kontroll mbi dikë tjetër. Në vend të kësaj, kufijtë e shëndetshëm ndriçojnë nevojat tuaja personale duke pranuar nevojat e atyre që ju rrethojnë.

Si Të Filloni Të Vendosni Kufij?

  1. Njihni nevojat dhe vlerat tuaja: Hapi i parë për të vendosur kufij të shëndetshëm është të kuptoni qartë se cilat janë nevojat dhe vlerat tuaja. Pyeteni veten:
    Çfarë ju nevojitet për të qenë të lumtur dhe të sigurt?

    Sa kohë dhe energji jeni të gatshëm të shpenzoni për njerëzit dhe situatat përreth jush?

  1. Filloni me ndryshime të vogla: Vendosja e kufijve mund të jetë sfiduese, veçanërisht nëse nuk jeni mësuar t’i keni ato. Filloni me ndryshime të vogla për të ndërtuar besim dhe vetëbesim. Kjo ju ndihmon të përgatiteni për kufij më të mëdhenj në të ardhmen.
  2. Besoni në të drejtën tuaj për të vendosur kufij: Ju keni të drejtë të vendosni dhe të zbatoni kufijtë tuaj. Ndonjëherë, nëse keni frikë nga konfrontimi ose refuzimi, mund të ndiheni fajtorë. Por, është e rëndësishme të dini se krijimi i hapësirës suaj personale është thelbësor për mirëqenien tuaj.
  3. Ndiqni kufijtë që vendosni: Pasi të vendosni kufijtë, është e rëndësishme t’i zbatoni ato. Nëse nuk i respektoni vetë kufijtë tuaj, të tjerët mund të mos i marrin seriozisht. Qëndrimi i qëndrueshëm është çelësi për suksesin në vendosjen e kufijve.
  4. Adaptimi dhe fleksibiliteti: Kufijtë nuk janë statikë. Ata mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, ndërsa ju evoluoni dhe marrëdhëniet tuaja zhvillohen. Mos kini frikë të rishikoni kufijtë tuaj sipas nevojës dhe të përshtateni me situatat e reja.

Për të vendosur kufij të shëndetshëm është e nevojshme të besoni se keni të drejtë t’i krijoni,t’i zbatoni ato dhe sa më shumë të praktikoni aq më mirë do të arrini t’i ruani.

Vendosja E Kufijve Të Shëndetshëm Në Marrëdhëniet Romantike

Në marrëdhëniet romantike, vendosja e kufijve të shëndetshëm është thelbësore për të ruajtur një balancë të shëndetshme midis individualitetit dhe lidhjes emocionale. Kufijtë ndihmojnë në ruajtjen e hapësirës personale, autonomisë dhe respektit për veten dhe partnerin. Për shembull, mund të vendosni kufij për sa kohë kaloni bashkë, sa shpesh komunikoni apo çfarë aktivitetesh bëni. Një shembull i kufijve mund të jetë vendimi për të mos kaluar natën në shtëpinë e partnerit nëse nuk ndiheni rehat.

Këto kufij janë të lëvizsshëm dhe mund të ndryshojnë me kalimin e kohës ndërsa zhvilloni marrëdhënien tuaj. Ajo që është më e rëndësishme është të mbani një dialog të hapur dhe të sinqertë për çdo ndryshim që ndodh në ndjenjat ose nevojat tuaja. Moskomunikimi i këtyre kufijve mund të çojë në keqkuptime dhe tensione të panevojshme në marrëdhënie.

Një nga sfidat më të mëdha është të ruani këta kufij edhe kur emocionet janë të forta. Për shembull, nëse nuk ndiheni të rehatshëm me një nivel të caktuar të intimitetit fizik, është thelbësore të vendosni një kufi dhe ta komunikoni atë hapur. Po ashtu, është po aq e rëndësishme të respektoni kufijtë e partnerit tuaj duke marrë parasysh që nevojat dhe dëshirat mund të ndryshojnë për të dy palët me kalimin e kohës.

Kufijtë Me Familjen

Vendosja e kufijve me familjen shpesh është sfiduese, sidomos nëse jeni rritur në një ambient ku kufijtë nuk janë konsideruar të nevojshëm. Megjithatë, kufijtë janë të domosdoshëm për të ruajtur identitetin dhe për të mbrojtur mirëqenien tuaj emocionale dhe mendore. Për shembull, nëse prindërit tuaj kanë prirje të ndërhyjnë në jetën tuaj pa paralajmërim apo në mënyrë të tepruar, është e rëndësishme t’i tregoni atyre kur ndiheni të ngarkuar dhe të vendosni rregulla që respektojnë privatësinë tuaj.

Kufijtë janë të dobishëm edhe kur bëhet fjalë për temat e ndjeshme që mund të krijojnë tensione, siç janë diskutimet rreth politikës ose fesë. Nëse një anëtar i familjes ngul këmbë në diskutime që ju bëjnë të ndiheni të parehatshëm është e rëndësishme të vendosni kufij të qartë për atë që jeni të gatshëm të diskutoni. Nëse këto kufij nuk respektohen, ndoshta është koha të reduktoni kohën që kaloni me atë person për të ruajtur shëndetin tuaj emocional.

Kufijtë Me Miqtë

Në marrëdhëniet e ngushta me miqtë, kufijtë shpesh mund të duken më pak të nevojshëm, por janë po aq të rëndësishëm për të ruajtur një miqësi të shëndetshme. Mund të jetë vështirë të thuash “jo” ose të vendosësh kufij në një marrëdhënie që ka qenë gjithmonë e hapur dhe e sinqertë. Megjithatë, kufijtë ndihmojnë në mbrojtjen e ndjenjave tuaja dhe parandalojnë keqkuptimet.

Një shembull mund të jetë kur ndani një sekret të ndjeshëm dhe kërkoni që miku juaj të mos e ndajë atë me të tjerët. Ky është një kufi i qartë që tregon rëndësinë e respektimit të privatësisë. Një tjetër shembull është kur ju ndiheni të lodhur dhe dëshironi të largoheni nga një mbrëmje, por miku juaj dëshiron të qëndrojë. Vendosja e kufirit dhe largimi kur ndiheni të gatshëm është thelbësor për të ruajtur energjinë tuaj emocionale.

Vendosja e kufijve gjithashtu ju ndihmon të kuptoni nëse një marrëdhënie është toksike. Nëse një mik refuzon të respektojë kufijtë tuaj, kjo është një shenjë që marrëdhënia nuk është e shëndetshme dhe mund të jetë koha për të rishikuar këtë miqësi.

Kufijtë Në Vendin E Punës

Kufijtë në vendin e punës janë një tjetër fushë e rëndësishme për të shmangur lodhjen dhe stresin. Nëse ndiheni të mbingarkuar nga puna, është thelbësore të diskutoni me menaxherin tuaj dhe të vendosni kufij që ndihmojnë në krijimin e një balance të shëndetshme midis jetës personale dhe asaj profesionale. Kjo mund të përfshijë caktimin e orareve specifike për punë dhe pushim, duke kufizuar orët jashtë orarit ose duke përcaktuar qartë detyrat tuaja.

Nëse ndiheni të ngarkuar nga kolegët që nuk respektojnë hapësirën tuaj personale ose kërkesat e punës, mund të jetë e dobishme të bisedoni me ta ose me departamentin e burimeve njerëzore për të vendosur rregulla të qarta. Kufijtë në vendin e punës ju ndihmojnë të ruani fokusin dhe produktivitetin pa rrezikuar shëndetin tuaj emocional

Kufijtë Me Njerëz Të Panjohur

Edhe kur keni të bëni me të huaj, kufijtë janë të rëndësishëm për të mbrojtur veten dhe për të ruajtur sigurinë tuaj fizike dhe emocionale. Për shembull, nëse dikush në një hapësirë publike hyn shumë pranë jush dhe ju bën të ndiheni të pasigurt, është e rëndësishme të kërkoni me mirësjellje që të respektohet hapësira juaj personale. Nëse dikush është agresiv, duhet të ndërmerrni hapa për t’u larguar nga situata ose të kërkoni ndihmë nga një person tjetër.

Vendosja e kufijve me të huajt është thelbësore për të ruajtur kontrollin mbi mjedisin tuaj dhe për të mos lejuar që të tjerët të ndërhyjnë në mirëqenien tuaj. Këta kufij mund të jenë të thjeshtë, si për shembull të shmangni përfshirjen në situata që ndihen të papërshtatshme ose të ruani distancën në biseda me të panjohur.

Nëse ndonjëherë ndiheni të pakënaqur, të pasigurt ose nën presion për të bërë ose ndjerë diçka mund të jetë koha të shikoni opsionet tuaja, të përcaktoni se çfarë do t’ju bëjë të ndiheni më mirë dhe të vendosni ose rregulloni kufijtë tuaj.

BURIME
How To Set Healthy Boundaries in Relationships.Cleveland Clinic |Healthessentials. 

AUTORE
Fiona Zeka – Neuropsikologe Klinike, Klinika EGO