Çrregullimi i personalitetit shmangës (AVPD) është një çrregullim i personalitetit që bën pjesë në grupin C sipas klasifikimit DSM-5. Ai karakterizohet nga shmangie e vazhdueshme e situatave sociale, ndrojtje ekstreme, mbyllje emocionale dhe frikë nga kritika apo refuzimi.
Personat me këtë çrregullim shpesh ndiejnë dëshirë për lidhje dhe afrimitet me të tjerët, por e shmangin atë nga frika se do të lëndohen, do të kritikohen apo do të duken të papërshtatshëm. Këto sjellje zakonisht fillojnë që në adoleshencë dhe ndikojnë në mënyrë të qëndrueshme në jetën personale, profesionale dhe emocionale të individit.
Kriteret Diagnostikuese Sipas DSM-5
Për të marrë një diagnozë të AVPD, individi duhet të përmbushë të paktën katër nga kriteret e mëposhtme:
- Shmang situatat sociale apo profesionale që përfshijnë ndërveprim me të tjerët, për shkak të frikës nga refuzimi ose kritika.
- Nuk përfshihet në marrëdhënie me të tjerët, përveç nëse është i sigurt që do të pranohet apo pëlqehet.
- Tregohet shumë i rezervuar në marrëdhënie intime nga frika se mund të gjykohet apo lëndohet.
- Është shumë i ndjeshëm ndaj mundësisë për t’u kritikuar apo refuzuar në situata sociale.
- E ka të vështirë të hyjë në marrëdhënie të reja për shkak të ndjenjës së vetëvlerësimit të ulët.
- E sheh veten si jo social ose më pak të vlefshëm se të tjerët.
- Heziton të marrë rreziqe ose të angazhohet në aktivitete të reja.
Këto sjellje dhe mendime duhet të jenë të qëndrueshme në kohë dhe të shkaktojnë vështirësi të mëdha në funksionimin e përditshëm ose ndikim emocional.
Si Shfaqet Klinikisht Çrregullimi I Personalitetit Shmangës?
Ky çrregullim karakterizohet nga:
- Ankth social i vazhdueshëm
- Mendime vetëkritike dhe vetëbesim i ulët
- Frikë nga ekspozimi, tallja apo perceptimi si i paaftë
- Stil ndërpersonal i mbyllur dhe pasiv
- Prirje për të interpretuar sinjalet sociale të paqarta si negative apo përçmuese
Shmangia nuk ndodh sepse nuk duan marrëdhënie me të tjerët – por sepse kanë ndërtuar mekanizma të fortë mbrojtës për t’u ruajtur nga lëndimi emocional.
Si Dallohet AVPD Nga Çrregullime Të Ngjashme?
Është e rëndësishme të bëhet diferencimi i AvPD nga çrregullime të tjera:
Çrregullimi i ankthit social (SAD): SAD është më i lidhur me situata specifike (si fjalimet para publikut), ndërsa AvPD ndikon në mënyrë më të gjerë dhe të përhershme në perceptimin për veten dhe ndërveprimet shoqërore.
Çrregullimi i personalitetit skizoid: Ndryshe nga personat me AvPD, ata me çrregullim skizoid nuk kanë interes për lidhje emocionale. Personat me AvPD duan jetë sociale, por ndihen shumë të frikësuar për t’u hapur.
Çrregullimi i personalitetit të varur: Të dy përjetojnë frikë nga refuzimi, por ata me AvPD tërhiqen dhe shmangin, ndërsa ata me DPD bëhen tepër të varur dhe kërkojnë miratim.
Shkaqet Dhe Faktorët E Riskut
Çrregullimi i personalitetit shmangës shpesh lind si pasojë e ndërthurjes së faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë. Ndër to përfshihen:
- Lidhje të pasigurta ose mungesë mbështetjeje emocionale gjatë fëmijërisë
- Përjetimi i kritikave të shpeshta, refuzimit apo përjashtimit në familje ose në mjediset sociale
- Nevoja emocionale të paadresuara dhe ndjenjë e vazhdueshme që “nuk mjaftojnë” apo “janë tepër” për të tjerët
Këto përvoja formojnë besime negative për veten, si p.sh.:
“Unë nuk jam i dashur”, “Të tjerët do më refuzojnë”, “Jam i papërshtatshëm” që e forcojnë edhe më shumë sjelljen shmangëse dhe vetëizolimin.
Ky çrregullim krijon një paradoks emocional: dëshirën për lidhje të ngushta dhe frikën e madhe nga lëndimi. Prandaj, ata shpesh ndihen të vetmuar edhe kur janë rreth të tjerëve.
Çrregullime Që Bashkëshoqërohen Me AVPD
AVPD rrallëherë paraqitet i vetëm – zakonisht bashkëshoqërohet me:
Çrregullimin e ankthit social (SAD): Deri në 60% e rasteve përmbushin edhe kriteret për SAD.
Depresioni madhor: Vetmia kronike, përjetime të vazhdueshme të turpit dhe inferioritetit shpesh çojnë drejt zhvillimit të depresionit.
Çrregullimi i ankthit të përgjithësuar (GAD): Shqetësimi i vazhdueshëm dhe analizimi i tepruar e shtojnë shmangien.
Çrregullime të tjera të personalitetit: Veçanërisht ai i varur dhe ndonjëherë edhe ai obsesiv-kompulsiv.
Përdorimi i substancave: Disa individë përdorin alkool apo substanca të tjera për të përballuar ankthin dhe dhimbjen emocionale.
Si Ndikon AVPD Në Jetën E Përditshme?
Ky çrregullim nuk prek vetëm marrëdhëniet sociale – ai ndikon në çdo sferë të jetës:
- Në punë: Personat shmangin përgjegjësitë apo ekspozimin publik, duke frenuar zhvillimin profesional.
- Në marrëdhënie: Ata kanë vështirësi për të krijuar lidhje të qëndrueshme ose për t’u ndjerë të sigurt me partnerin.
- Në ndjenjat personale: Përjetojnë ndjenja të forta vetmie dhe boshllëku emocional.
- Në aktivitetet ditore: Shmangin gjërat që të tjerët i shijojnë – takimet, udhëtimet, bisedat me të panjohur sepse për ta gjithçka është rrezik për t’u gjykuar.
Këta persona shpesh “zhduken” nga një marrëdhënie sapo ndihen të ekspozuar emocionalisht, dhe nuk shprehin kurrë nevojat e tyre nga frika se do të perceptohen si barrë.
A Ka Trajtim? Po!
Lajmi i mirë është se trajtimi ekziston, edhe pse kërkon kohë, besim dhe përkushtim. Trajtimet më të efektshme përfshijnë:
Terapinë Kognitive-Biheviorale (CBT): për të thyer modelet e shmangies dhe për të sfiduar mendimet vetëkritike
Terapinë e Skemave: që punon me plagët e fëmijërisë dhe besimet negative rreth vetes
Terapinë Psikodinamike: që ndihmon në kuptimin e frikës ndaj afrimitetit me njerëzit dhe refuzimit
Terapinë në grup, e cila mund të ndihmojë në ndërtimin e vetëbesimit, kur individi ndihet i sigurt
Medikamente si SSRI, për të ndihmuar me simptomat e ankthit dhe depresionit
Nga Vetmia Tek Liria Emocionale
Nëse e ke parë veten në këtë përshkrim, dije se nuk je vetëm – dhe më e rëndësishmja, kjo gjendje nuk është e pashërueshme. Personat me AvPD janë tepër të ndjeshëm, të kujdesshëm dhe thellësisht të aftë për lidhje të sinqerta por e gjithë kjo është e fshehur pas një frike që mund të tejkalohet me ndihmën e duhur.
Nëse ndihesh i izoluar apo i bllokuar, mos hezito të kërkosh ndihmë psikologjike. Terapia mund të jetë hapi i parë drejt një jete më të lirë, më të ndërlidhur dhe më të ndriçuar emocionalisht.
Nëse ke nevojë për mbështetje psikologjike ekspertët tanë janë këtu për ty.
BURIME
What Are Personality Disorders?-American Psychiatric Association
Avoidant Personality Disorder: Current Insights-Lampe L, Malhi GS
Avoidant Personality Disorder (AVPD)-Merck Manual: Professional Version