Nëse kthehem pas në kohë në fëmijërinë time të gjithë më përshkruanin si një fëmijë të urtë,të qetë dhe fjalë pak por në të vërtetë brenda meje nuk ndihej ajo qetësia që të tjerët përshkruanin.
Brenda meje ndihej një kaos,një burim ankthi që mundohesha ta kamufloja dhe mos të vihej re. Më kujtohet që gjatë natës mendoja dhe smë zinte gjumi nga ankthi dhe askush as mami dhe babi nuk e dinin. Ndihesha e ngarkuar dhe më vinte të qaja për cdo situatë që ndodhte.Nuk flisja me familjen për emocionet që ndjeja sepse mendoja që ishte normale të ndihesha kështu dhe nuk doja të mërzisja askënd dhe të bëhesha barra e askujt pavarësisht se isha fëmija e tyre. Doja që para të tjerëve të isha fëmija perfekt. Dhe sot që jam rritur familja nuk e dinë se si ndihesha dhe si i përjetoja situatat por di të them që ka ndikuar në rritjen time dhe tani e kuptoj pse.
Çfarë Është Ankthi I Fshehur Tek Fëmijët?
Ankthi tek fëmijët është më i zakonshëm sesa mendojmë, por jo gjithmonë duket qartë. Shumë prindër presin shenja si frikë, të qarë, panik apo refuzim. Por ka fëmijë që e fshehin ankthin aq mirë, saqë përreth duken “të qetë”, “të sjellshëm” ose “të pavarur”. Këta fëmijë mund të jenë duke luftuar brenda tyre me shqetësime, por nuk dinë ose nuk guxojnë t’i shprehin.
Ankthi i fshehur është një formë ankthi që nuk shfaqet në mënyrën klasike. Fëmija nuk e tregon hapur frikën, shqetësimin apo stresin, por përjeton nga brenda një tension të vazhdueshëm.
Shpesh fëmijët me ankth të fshehur janë:
- të bindur dhe të përpiktë
- shumë të kujdesshëm të mos mërzisin askënd
- të turpshëm ose të rezervuar
- të ndjeshëm ndaj kritikës
Pse Disa Fëmijë E Fshehin Ankthin?
Ka disa arsye pse fëmijët zgjedhin ta mbajnë ankthin për vete:
1. Nuk dinë si ta shprehin
Fëmijët shpesh nuk kanë fjalët e duhura për të përshkruar emocionet. Ata ndjejnë “diçka”, por nuk janë të sigurt çfarë.
2. Nuk duan të shqetësojnë prindërit
Sidomos fëmijët e ndjeshëm dhe ata që rriten në mjedise ku prindërit kanë shumë stres, zgjedhin të jenë “të fortë” për të mos shtuar barrë.
Një vajzë 9-vjeçare në terapi një herë tha:
“Mami është shumë e lodhur. Nuk dua t’i tregoj që më ka marrë malli, se do e mërzis.”
3. Frikë nga keqkuptimi apo turpi
Disa fëmijë mund të ndihen në siklet të flasin për shqetësimet e tyre, sidomos nëse kanë provuar më parë dhe nuk janë marrë seriozisht.
4. Perfeksionizmi
Fëmijët perfeksionistë shpesh e lidhin ankthin me dështimin. Ata nuk duan të duken “të dobët”.
5. Mësime të pavetëdijshme nga mjedisi
Nëse në familje emocionet nuk shprehen shumë, fëmija mëson ta bëjë të njëjtën gjë.
Faktorët Që Ushqejnë Ankthin E Fshehur Tek Fëmijët
- Presioni akademik (notat, provimet, pritshmëritë)
- Ngjarjet stresuese (ndryshim shkolle, ndarje prindërore, lindja e një vëllai/motër)
- Bullizmi
- Perfeksionizmi dhe frika e gabimeve
- Temperamenti i ndjeshëm
- Mungesa e komunikimit emocional në familje
- Përjetimet traumatike që nuk janë diskutuar
Shenjat Që Prindërit Duhet Të Vërejnë
Edhe nëse fëmija nuk e shpreh, ankthi gjithmonë lë gjurmë. Shenjat e ankthit te fëmijët shpesh janë të fshehura në sjellje të zakonshme:
Shenja Fizike
- dhimbje barku pa arsye mjekësore
- dhimbje koke
- lodhje e vazhdueshme
- djersitje, tension trupor
- çrregullime gjumi
Shenja Emocionale
- ndrojtje ose tërheqje
- irritim i vogël që vjen pa shkak
- shqetësim i vazhdueshëm
- pasiguri, frikë nga gabimet
Shenja Në Sjellje
- kërkon të jetë “perfekt” në çdo gjë
- kërkon shumë siguri dhe pyet shpesh “po sikur…?”
- shmang aktivitete të reja
- qesh kur është nervoz
- duket gjithmonë i sjellshëm, i qetë
- vështirësi për t’u ndarë nga prindi
- shoqëri shumë e kufizuar
- nuk kërkon kurrë ndihmë
Këto janë shenjat e ankthit që prindërit nuk i vërejnë, sidomos tek fëmijët e qetë. Shpesh prindërit thonë: “Nuk e kam menduar kurrë se kishte ankth, është gjithmonë i qetë…” – dhe kjo është arsyeja pse quhet ankth i fshehur.
Si Të Flas Me Fëmijën Për Ankthin?
1. Krijoni hapësira të qeta komunikimi
Mos e pyesni vetëm “si je”; përdorni pyetje si:
- “Si u ndjeve sot kur…?”
- “A ka ndonjë gjë që të shqetëson në mendje?”
- Ton i qetë dhe pa presion.
2. Emërtoni emocionet
Ndihmojeni të kuptojë se çfarë po përjeton.
“Po dukesh pak i shqetësuar. Është ok të ndihesh kështu.”
3. Mos e minimizoni shqetësimin
Mos thoni: “Mos u mërzit për gjëra të vogla.”
Edhe diçka e vogël mund të jetë shumë e madhe për një fëmijë.
4. Ndihmojeni të shuajë perfeksionizmin
Tregoni shembuj të gabimeve normale, përfshirë tuajat.
5. Vendosni rutina të qeta
- gjumë i rregullt
- aktivitete relaksuese
- më pak ekrane telefon,tablet
- më shumë kohë në natyrë
6. Kominikim I hapur për ndjenjat dhe emocionet
Nëse prindi flet hapur për emocionet, fëmija mëson të bëjë të njëjtën gjë.
Si Ndihmon Një Psikolog Për Fëmijë Kur Fëmija Ka Ankth Të Fshehur?
Një psikolog për fëmijë mund të identifikojë burimin e ankthit edhe kur fëmija nuk e thotë qartë. Terapia ndihmon fëmijën:
- të emërtojë emocionet
- të mësojë teknika qetësimi
- të kuptojë mendimet përmes lojës
- të shprehet pa frikë nga gjykimi
- të ndërtojë siguri emocionale
- të zvogëlojë perfeksionizmin ose frikën nga gabimet
Psikologu punon edhe me prindërit për të krijuar një mjedis të shëndetshëm emocional që fëmija të mos ketë nevojë të fshehë ankthin.
Shumë fëmijë që duken të qetë, të sjellshëm dhe “të matur” po luftojnë brenda me ankth që nuk dinë ta shprehin. Si prindër, qëllimi juaj nuk është t’i bëni perfektë, por t’i bëni të ndihen të sigurt. Dhe ndonjëherë, hapësira që i krijoni dëgjimi, pranimi, dashuria pa kushte është ajo që i shëron më shpejt se çdo gjë tjetër.
Nëse keni vënë re shenja të ankthit të fshehur, mos hezitoni të kërkoni ndihmë profesionale. Mbështetja e hershme i ndihmon fëmijët të rriten të sigurt, të qetë dhe emocionalisht të qëndrueshëm.
Klinika Ego është këtu për të mbështetur si fëmijët, ashtu edhe prindërit, në rrugëtimin drejt një jete më të qetë emocionale.
BURIME
Children and Anxiety-Psychology today
Anxiety disorders in kids: What parents need to know-Bc Children hospital research institute