Pikëllimi është reagimi emocional, mendor dhe ndonjëherë edhe fizik ndaj humbjes. Ai ndodh kur një person i rëndësishëm largohet nga jeta jonë – qoftë përmes vdekjes, ndarjes apo një forme tjetër humbjeje. Por kur bëhet fjalë për vdekjen e një personi të dashur, pikëllimi merr përmasa shumë më të mëdha dhe përjetim më të thellë.
Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA), pikëllimi nuk është një çrregullim, por një proces natyral, edhe pse shpesh mund të shfaqë simptoma të ngjashme me depresionin.
Fazat e pikëllimit – Modeli i Elisabeth Kübler-Ross
Shumë studime në psikologji e ndajnë pikëllimin në 5 faza kryesore. Këto nuk janë të njëpasnjëshme për të gjithë dhe disa mund të rikthehen gjatë kohës:
- Mohimi – “Kjo nuk mund të jetë e vërtetë.” Truri përpiqet të mbrohet nga dhimbja e papritur duke mos e pranuar realitetin.
- Zemërimi – “Pse ndodhi kjo? Pse mua?” Mund të shfaqet si zemërim ndaj vetes, të tjerëve ose edhe vetë personit të ndjerë.
- Përpjekja për të gjetur fajin apo një zgjidhje të pamundur – “Sikur të isha aty… sikur të bëja diçka ndryshe…” Ky është një përpjekje për të rikthyer kontrollin ndaj diçkaje që ishte jashtë kontrollit tonë.
- Depresioni – Faza ku ndjesitë e trishtimit, vetmisë dhe boshllëkut pushtojnë individin.
- Pranimi – Jo një harrim, por një pranim që jeta vazhdon dhe dhimbja bëhet pjesë e kujtesës, jo pengesë për të jetuar.
Simptomat Psikologjike Dhe Fizike Të Pikëllimit
Psikologjike:
- Trishtim
- Vetmi dhe boshllëk
- Faj, sidomos kur vdekja është e papritur
- Ankth, frikë nga e ardhmja pa personin e dashur
- Vështirësi në përqendrim dhe memorie
- Hallucinime të lehta (si ndjesia se personi është ende aty, që është normale për një kohë të shkurtër)
- Humbje motivimi për aktivitete të zakonshme
Fizike:
- Probleme me gjumin (pagjumësi ose dëshirë për të fjetur gjatë gjithë kohës)
- Mungesë oreksi ose ngrënie e tepërt
- Dobësi fizike, lodhje e vazhdueshme
- Simptoma psikosomatike (dhimbje koke, tension muskujsh, shqetësime stomaku)
Ndikimi Afatgjatë i Pikëllimit
Nëse nuk përballohet siç duhet, pikëllimi mund të shndërrohet në një formë më të rëndë të quajtur pikëllim i zgjatur ose Prolonged Grief Disorder, e cila njihet tani si një çrregullim zyrtar në DSM-5 (manuali diagnostikues për çrregullimet mendore).
Ky çrregullim karakterizohet nga:
- Dhimbje që vazhdon për më shumë se 12 muaj (te të rriturit)
- Pamundësi për të ecur përpara me jetën
- Ndjenja që jeta nuk ka më kuptim
A E Dinit? – Pikëllimi Është Edhe Dhimbje Fizike
Kur themi “më dhemb zemra” pas humbjes së një personi të dashur, nuk është thjesht një shprehje emocionale. Shkenca ka vërtetuar se truri ynë e përjeton pikëllimin njësoj si një plagë fizike.
Studime të zhvilluara në Universitetin Yale dhe University of Michigan kanë treguar se kur ndiejmë dhimbje emocionale, aktivizohen të njëjtat zona të trurit që reagojnë ndaj dhimbjes fizike – si korteksi anterior cingulat dhe zona e quajtur “insula”. Kjo do të thotë që kur përjetojmë trishtim të thellë, truri ynë reagon sikur jemi goditur fizikisht. Ndaj pikëllimi nuk është “vetëm në mendje” është një përjetim i vërtetë që ndikon gjithë trupin.
Sindroma e zemrës së thyer – Kur dhimbja emocionale prek zemrën fizikisht
Ekziston një gjendje mjekësore, e quajtur Takotsubo Cardiomyopathy, e njohur ndryshe si sindroma e zemrës së thyer. Kjo sindromë ndodh zakonisht pas një traume të madhe emocionale si humbja e një partneri, një prind apo një fëmije dhe shkakton simptoma shumë të ngjashme me një atak kardiak: dhimbje gjoksi, frymëmarrje të vështirë, palpitacione.
Ajo çfarë ndodh është se muskuli i zemrës dobësohet dhe nuk pompon si zakonisht për shkak të hormoneve të larta të stresit. Është një reagim biologjik ndaj dhimbjes emocionale. Shfaqet më shpesh te femrat mbi 50 vjeç dhe sipas studimeve, përbën rreth 1-2% të rasteve të dyshuara si atak në zemër. Edhe pse është një gjendje e përkohshme, tregon fuqinë e jashtëzakonshme që ndjenjat tona kanë mbi trupin tonë.
Si Të Përballojmë Pikëllimin?
- Prano ndjenjat – Mos i shtyp. Të qash dhe të shprehësh dhimbjen është shëndetshme.
- Kërko mbështetje – Fol me miq, familje ose bashkohu në grupe mbështetëse.
- Ruaj rutinën – Ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik dhe gjumi i rregullt ndihmojnë trupin dhe mendjen.
- Shkruaj për ndjenjat – Ditari emocional është një mjet i fuqishëm për përpunimin e dhimbjes.
- Kërko ndihmë profesionale – Psikoterapia ndihmon të kuptosh dhe të pranosh humbjen.
Kur Të Kërkojmë Ndihmë Profesionale
- Dhimbja nuk zvogëlohet pas disa muajsh
- Izolim i gjatë social
- Humbje e interesit për jetën
- Mendime për vetëvrasje
Në këto raste, është e rëndësishme të kontaktoni një psikolog ose psikiatër.
Si Ndihmon Një Psikolog Gjatë Pikëllimit
Psikologu ofron mbështetje të specializuar për të kaluar më shëndetshëm fazën e pikëllimit. Ai ndihmon duke:
- Krijuar një hapësirë të sigurt emocionale ku mund të shprehesh pa u gjykuar.
- Mësuar teknika praktike për menaxhimin e trishtimit, ankthit dhe zemërimit.
- Ndihmuar në përpunimin e kujtimeve dhe pranimin e realitetit.
- Udhëzuar drejt rindërtimit të jetës, duke vendosur qëllime dhe rutina të reja.
Pikëllimi është një proces i thellë dhe personal, por jo i pakalueshëm. Çdo njeri e përjeton ndryshe dhe nuk ka “kohë të saktë” për shërim. E rëndësishme është të pranoni ndjenjat, të kujdeseni për veten dhe të kërkoni mbështetje kur është e nevojshme.
BURIME
Stroebe, M., Schut, H., & Stroebe, W. (2007). Health outcomes of bereavement. The Lancet, 370(9603), 1960-1973.
Prolonged Grief Disorder. DSM-5-T – American Psychiatric Association (2022).
Coping with Loss – National Institute of Mental Health (NIMH).