Xhelozia është një emocion shumë i zakonshëm në marrëdhëniet romantike. Shumë njerëz e përjetojnë atë në forma të ndryshme: një shqetësim i vogël kur partneri tregon interes për dikë tjetër, një ndjenjë pasigurie apo frika se mund të humbasin personin që duan. Në një masë të moderuar, xhelozia mund të konsiderohet madje një reagim njerëzor dhe normal.
Por kur kjo ndjenjë bëhet obsesive, e pakontrollueshme dhe e bazuar në bindje të forta pa prova reale, ajo mund të shndërrohet në një problem serioz psikologjik. Në disa raste, xhelozia arrin deri në një formë patologjike që në psikologji njihet si Sindroma Othello, një lloj i veçantë i çrregullimit deluzional.
Ky fenomen nuk ndikon vetëm tek personi që e përjeton, por mund të dëmtojë rëndë marrëdhëniet, të krijojë konflikte të vazhdueshme dhe në raste ekstreme të çojë edhe në dhunë emocionale, fizike apo psikologjike.
Çfarë Është Xhelozia Normale Dhe Kur Bëhet Problem?
Në psikologji bëhet një dallim i qartë midis xhelozisë normale dhe xhelozisë deluzionale.
Xhelozia normale është një reagim emocional që shfaqet kur një person ndjen se marrëdhënia e tij mund të jetë në rrezik. Ajo karakterizohet nga:
- Ndjenja të përkohshme pasigurie
- Dyshime që mund të diskutohen me partnerin
- Mundësi për të reflektuar dhe për të korrigjuar mendimet
- Besim që mund të rikthehet përmes komunikimit
Në këtë rast, personi është i aftë të pranojë prova dhe të ndryshojë mendimin nëse kupton se frika e tij nuk është reale.
Ndryshe nga kjo, xhelozia deluzionale është një bindje e fortë se partneri është i pabesë, edhe kur nuk ka asnjë provë reale.
Karakteristikat kryesore janë:
- Dyshime ekstreme dhe të vazhdueshme
- Kufizim të partnerit deri në përndjekje
- Interpretim i gabuar i çdo situate
- Kontroll i vazhdueshëm i partnerit
- Bindje që nuk ndryshon edhe përballë provave të kundërta
- Kontroll obsesiv i telefonit, rrjeteve sociale dhe kontakteve
- Mendime të përsëritura dhe obsesive për tradhtinë
Në këtë pikë, xhelozia nuk është më një emocion i zakonshëm, por një problem psikologjik që kërkon ndërhyrje profesionale.
Çrregullimi Deluzional I Tipit Xheloz (Sindroma Othello)
Në literaturën psikologjike, kjo formë ekstreme e xhelozisë njihet si Othello Syndrome.
Emri vjen nga tragjedia e Othello e shkruar nga William Shakespeare, ku protagonisti shkatërron marrëdhënien e tij për shkak të dyshimeve të pabazuara për tradhti. Në klasifikimin diagnostik të psikologjisë moderne, kjo gjendje përfshihet në Diagnostic and Statistical Manual of Mental Disorders si një formë e çrregullimit deluzional.
Studime të ndryshme psikologjike sugjerojnë se xhelozia patologjike nuk është aq e rrallë sa mendohet. Sipas një analize klinike të publikuar në Journal of Clinical Psychiatry, xhelozia deluzionale përbën rreth 10% të rasteve të çrregullimeve deluzionale dhe shfaqet më shpesh tek meshkujt sesa tek femrat.
Disa kërkime tregojnë gjithashtu se 30–40% e personave me xhelozi patologjike mund të shfaqin sjellje kontrolluese ose agresive në marrëdhënie, gjë që e bën këtë gjendje një faktor të rëndësishëm rreziku për konflikte dhe dhunë psikologjike.
Pse Xhelozia Shfaqet Më Shpesh Tek Meshkujt?
Studime të ndryshme psikologjike kanë treguar se xhelozia deluzionale diagnostikohet më shpesh tek meshkujt.
Ka disa faktorë që mund të shpjegojnë këtë fenomen:
1. Faktorë kulturorë dhe socialë
Në shumë kultura, burrat mund të kenë pritshmëri më të forta për kontrollin dhe besnikërinë në marrëdhënie. Kjo mund të rrisë ndjeshmërinë ndaj dyshimeve për tradhti.
2. Pasiguria dhe vetëvlerësimi i ulët
Personat me vetëvlerësim të ulët shpesh kanë frikë të madhe nga refuzimi apo braktisja. Kjo mund të shndërrohet në dyshime të vazhdueshme ndaj partnerit.
3. Faktorë neurologjikë dhe psikologjikë
Ai lidhet fort me çrregullime organike të trurit (sëmundja e Parkinsonit, goditjet në tru), skizofreni dhe abuzimi kronik i alkoolit. Gjithashtu është lidhur me terapitë e agonistëve të dopaminës që përdoren për sëmundjen e Parkinsonit.
Si Ndikon Xhelozia Patologjike Në Marrëdhënie?
Xhelozia ekstreme mund të shkatërrojë gradualisht një marrëdhënie.
Konflikte të vazhdueshme – Dyshimet e vazhdueshme krijojnë tension dhe debate të shpeshta mes partnerëve.
Humbje e besimit – Ironikisht, personi xheloz përpiqet të “mbrojë” marrëdhënien, por në fakt shkatërron besimin që është baza e saj.
Izolim social – Partneri mund të ndihet i kontrolluar dhe i kufizuar në jetën e tij sociale.
Dhunë psikologjike dhe emocionale
Në raste më të rënda, xhelozia mund të shoqërohet me:
- manipulim emocional
- akuzime të vazhdueshme
- presion psikologjik
Në situata ekstreme, mund të çojë edhe në dhunë fizike.
Roli I Psikoterapisë Në Trajtimin E Xhelozisë Deluzionale
Lajmi i mirë është se kjo gjendje mund të trajtohet, veçanërisht nëse personi kërkon ndihmë profesionale.
Roli i psikologut është shumë i rëndësishëm në menaxhimin e xhelozisë deluzionale, sepse ndihmon personin të kuptojë mekanizmat psikologjikë që qëndrojnë pas dyshimeve të vazhdueshme dhe të mësojë mënyra më të shëndetshme për të interpretuar realitetin dhe për të menaxhuar emocionet.
Së pari, psikologu ndihmon pacientin të identifikojë mendimet iracionale dhe bindjet e gabuara që lidhen me tradhtinë e partnerit. Personat me xhelozi deluzionale shpesh interpretojnë situata të zakonshme si prova të pabesnikërisë, prandaj terapia synon të sfidojë këto interpretime dhe të zhvillojë një mënyrë më realiste të të menduarit.
Terapia kognitive-sjelljore (CBT)
Kjo terapi ndihmon pacientin të:
- identifikojë mendimet iracionale
- sfidojë bindjet e gabuara
- zhvillojë mënyra më realiste të interpretimit të situatave
Qëllimi është të ndërpritet cikli i dyshimeve obsessive,të menaxhoj mendimet dhe emocionet e tij dhe të përmirësoj vetë-kontrrollin.
Psikologu gjithashtu punon për të forcuar vetëvlerësimin dhe sigurinë emocionale, pasi shumë raste të xhelozisë ekstreme lidhen me frikën nga refuzimi, braktisja ose ndjenjën e pamjaftueshmërisë.
Terapia e marrëdhënies (couple therapy)
Në disa raste, terapia për çiftet mund të ndihmojë në:
- përmirësimin e komunikimit
- rindërtimin e besimit
- vendosjen e kufijve të shëndetshëm
Trajtimi me medikamente
Në raste më të rënda, një psikiatër mund të rekomandojë:
- antipsikotikë
- antidepresivë
Këto ndihmojnë në reduktimin e mendimeve deluzionale dhe ankthit gjithmonë me rekomandimin e mjekut.
Nëse ju ose dikush pranë jush përjeton xhelozi të pakontrollueshme që po ndikon në jetën dhe marrëdhëniet tuaja, konsultimi me një profesionist të shëndetit mendor mund të jetë hapi i parë drejt një ndryshimi pozitiv.
BURIME
Soyka, M. (2010). Delusional jealousy (Othello syndrome): Clinical aspects and treatment. Journal of Clinical Psychiatry.
Beck, A. (2011). Cognitive Therapy of Delusions.