Humor apo thënë ndryshe gjendje shpirtërore përkufizohet emocioni i përgjithshëm dhe i qëndrueshëm që përjetohet brenda personit dhe që ndikon në sjelljen dhe perceptimin për botën e në mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj stimujve. Afekti është shprehja e jashtme e humorit.. Personat e shëndetshëm përjetojnë shumëllojshmëri humoresh dhe kanë një repertor po aq të madh të shprehjeve afektive. Ata ndiehen në kontroll të humorit të tyre.
Çrregullimet e humorit përfshijnë një spektër të madh çrregullimesh. Depresioni bën pjesë tek çrregullimet e humorit dhe është një prej sëmundjeve mendore më të zakonshme. Ai është një sëmundje serioze që mund të përkeqësohet pa trajtimin e përshatshëm. Tabloja klinike e tij varion shumë dhe nuk ekziston një simptomë të vetme që të jetë e pranishme kurdoherë. Simptomat mund të ndryshojnë në ashpërsi, frekuencë dhe kohëzgjatje. Simptomat gjithashtu mund të jenë të vazhdueshme ose jo të pranishme gjatë gjithë kohës, por që rikthehen. Sipas DSM-IV-ës, simptomat duhet të jenë të pranishme, gjatë të njëjtës periudhë dy javore dhe duhet të paraqesin ndryshim nga funksionimi i mëparshëm. Simptomat e depresionit mund të klasifikohen në mënyra të ndryshme. Një klasifikim i përshatshëm dhe i thjeshtë i larmishmërisë së simptomave është si vijon:
Simptomat e depresionit:
- Afektive
Humori i deprimuar
Anhedoni
Ankth
- Vegjetative
Çrregullimi i gjumit
Çrregullimi i oreksit
Humbje e energjisë
Humbje e libidos
Prapambetje psikomotore
Axhitacioni psikomotor
- Motivacional
Humbje e interesit për veprimtaritë e zakonshme
Vështirësi në përqëndrim
Mendim ose veprim suicidal
- Somatike
Ankesa fizike
- Simptoma kognitive
Ndjenja e fajit, pavlerësisë dhe e vetëvlerësimit të ulur
Vështirësi në përqëndrim
Psikoza
- Humori i deprimuar është ndjenja subjektive e hidhërimit. Ai mund të përshkruhet si trishtim, mërzi, që ndërhyn në aktivitetin e përditshëm të personit që e përjeton duke dominuar atë.
- Anhedonia përkufizohet si paaftësia për të përjetuar kënaqësi.
- Ankthi është një emocion i karakterizuar nga ndjenja e tensionit, shqetësimit mendor dhe ndryshime fizike si rritja e tension arterial, shpeshtim i frymëmarrjes, rrahje zemre të shpejta, djersitje, ndjenja e mbytjes, dhimbje gjoksi, ndjenja të ftohti ose të nxehti, mpirje, dridhje në pjesë të ndryshme të trupit etj. nga burime që nuk janë të dukshme nga personi që e përjeton ose që nuk është në përshatje në intensitet, kohëzgjatje me burimin e perceptuar të rrezikut.
- Crregullimi i gjumit është i pranishem në rreth 75% të rasteve. Mund të jetë në formën e pakësimit të gjumit (insomnia), shtimit të tij (hypersomnia), cilësi jo të mirë të tij. Insomnia mund të jetë në formën e vështirësisë për të rënë në ghumë (pagjumësia e fillimit), zgjime gjatë gjumit (pagjumësia e mesme), zgjimi herët në mëngjes (pagjumësia terminale).
- Crregullimi i oreksit mund të jetë në formen e ritjes anormale të oreksit (hyperphagisë), shtimit në peshë, humbjes së oreksit (anoreksisë), rënies në peshë, ose ngrënie të babëzitura.
- Humbja e energjisë është shpeshtë e karakteristike. Pacientët lodhen shpejt dhe kanë humbje të energjisë për të kryer aktivietet që kryenin më parë, ndiehen si “të shkarkuar”.
- Pakësimi ose hubja e libidos, interesit dhe energjise seksuale është një nga simptomat. E shpeshtë tek meshkujt ështe impoteca. Femrat shpesh përjetojnë vështirësi ose mungesë të arritjes së orgazmës.
- Prapambetja psikomotore shprehet në formën e vonesës, prapambetjes si në të menduar, folur, vepruar. Pacientët mund të vonohen në kthimin e përgjigjeve, flasin pak, rrallë, jospontanisht, me ton monoton, me pauza të gjata, lëvizin ngadalë.
- Axhitacioni psikomotor haste në disa pacientë, në formën e paaaftësisë për tu qetësuar, për të ndenjur ulur apo për të qëndruar në një vend. Ata mund të bëjnë përpjekje për të lehtësuar nervozitetin me gjeste si lëvizje lart e poshtë, shkundja e duarve, shkulja e flokëve, ngrënia e thonjve etj..
- Humbja e interesit për veprimtaritë e zakonshme, të cilat u duken fare kot, pa kuptim, aspak intersante dhe shpesh pacientë nuk përfshihen në aktivitete sociale deri në izolim social.
- Mendimet ose veprimet suicidale (vetëvrasëse) janë komplikacioni më serioz i këtij çrregullimi. Ideacioni suicidal prek 60% të pacientëve me këtë çrregullim dhe 15 % e ktyejnë aktin e suicidit.
- Ankesat somatike (trupore) janë të shpeshta dhe ndonjëherë mund të jenë maifestimi i vetëm i kësaj sëmundje. Këto simptoma mund të jenë në formën e dhimbjes së kokës, dhimbjes së shpinës, konstpacionit, të vjellat, nauzea, gojës së thatë, simptoma genitourinare etj..
- Përmbajtja e të menduarit është shpesh e varfër, pesimiste, me ndjenja pavlerësie, faji. Njerëzit e deprimuar kanë shpesh karakteristike humbjen e shpresës për të ardhmen. Shpesh kanë vështirësi për të marrë vendime. Simptomat janë më të shprehura në mëngjes.
- Vështirësitë në përqëndrim hasen shpesh në këtë lloj çrregullimi. Ata nuk janë në gjendje të fokusohen në veprimtari të kohës së lirë si leximi, marrja me aktivitete sportive, ,shikimi i programeve televizive, aktivitete të tjera që më parë i kryenin me kënaqësi. Shpesh ankohen për problem me kujtesën, vështirësi për të mbajtur mend sepse janë të preokupuar me mendimet e tyre brendshme, ruminuese.
- Psikoza haset në disa raste, në rastin e depresionit me tipare psikotike. Haluçinacionet dhe/ose deluzionet janë zakonisht humor-përputhëse. Psh.: pacientët e deprimuar e psikotikë mund të kenë bindjen se po dënohen nga Zoti se janë mëkatarë, se persekutohen nga të tjerët se kanë kryer faje.
Shqyrtimi i kujdesshëm i ankesave dhe kërkimi po aq skrupuloz për simptoma të fshehura, orienton në vënien e diagnozës dhe në fillimin e hershëm të një trajtimi, duke sjellë si rezultat përmirësimin e cilësisë së jetës.
Referenca:
Kaplan & Sadock, clinical psychiatry, fifth editionRobert J. Valdinger, Psikiatria per studentët e mjekesisë, perkthyer nga Anastas SuliHealthline, Valencia Higuera, 2021 “Symptoms of depression”