Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
Si të ndihmojmë fëmijët me anë të terapisë: Terapia e Artit dhe Lojës

Për të rriturit, të kuptuarit dhe komunikimi i ndjenjave mund të jetë sfiduese, por për fëmijët dhe adoleshentët, është akoma më e vështirë.Mendoni se si është për një fëmijë të përballet me emocionet e tij kur ende nuk ka aftësitë ose fjalët për t’u shprehur.

A keni përjetuar ankthin e kalimit nga një klasë në tjetrën si fëmijë? A keni ndjerë presion nga bashkëmoshatarët ose situata konfliktuale në familjen tuaj? Traumë apo ndonjë ngjarje të vështirë? Bullizimin në shoqëri apo ambjente shkollore?

Ndihma e një terapisti për fëmijë mund të jetë çelësi për të ndihmuar menaxhimin e emocioneve dhe problemet e tyre.

Kur Duhet Ti Drejtohemi Një Terapisti?

Fëmijët mund të ekspozohen ndaj shumë çështjeve si:

  • Presioni akademik dhe social
  • Sëmundje mendore si depresioni dhe ankthi
  • Çështje të sjelljes
  • Vonesat në zhvillim
  • Abuzimi (seksual, emocional, fizik, mental)
  • Bullizimi
  • Probleme familjare (varësia, divorci, varfëria, mungesë në përkujdesje)
  • Eksperienca traumatike
  • Çrregullime të të nxënit (vështirësi për të mësuar, përdorur dhe zbatuar njohuritë dhe aftësitë akademike)
  • Vështirësi në përshtatje të ndryshimeve në jetën e përditshme

Këto arsyje afektojnë dhe shkaktojnë probleme të shëndetit emocional, fizik dhe mendor. Terapistët e fëmijëve janë të specializuar me aftësitë, trajnimin dhe përvojën për të ndihmuar këta individë të rinj ku përshtasin trajtimin e duhur sipas nevojave specifike të fëmijës.

Cilat Janë Teknikat Terapeutike Më Efektive Për Fëmijët?

Terapia e lojës është një formë terapie që përdoret kur fëmijët mund të mos jenë në gjendje të përpunojnë emocionet e tyre ose t’i artikulojnë problemet prindërve ose të rriturve të tjerë duke përdorur lodra,kukulla dhe mjete të tjera të orientuara nga fëmijët. Kjo terapi trajton çështje të ndryshme duke përfshirë problemet e sjelljes, traumat, çështjet familjare, vonesat në zhvillim dhe çrregullimet e shëndetit mendor. Ai praktikohet nga profesionistë të licencuar të shëndetit mendor si psikologë, psikiatër, terapistë të cilët bashkohen me fëmijët në botën e tyre, duke përdorur lojën si një mjet komunikimi dhe eksplorimi të emocioneve.

Benefitet e Terapisë së Lojës

Sipas organizatës ”Play Therapy International”, deri në 71% e fëmijëve në terapinë e lojës mund të përjetojnë ndryshime pozitive.
Disa fëmijë mund të fillojnë me hezitim derisa besimi te terapisti të rritet.Pasi lidhja mes terapistit dhe fëmijës forcohet, fëmijët mund të bëhen më kreativ ose më verbal në lojën e tyre.

Disa nga përfitimet e terapisë së lojës janë:

  • Zhvillimi i strategjive të përballjes dhe aftësive krijuese të zgjidhjes së problemeve
  • Ndjeshmëri dhe respekt për të tjerët
  • Zbutjen e ankthit
  • Përjetimi dhe shprehja e ndjenjave
  • Aftësi më të forta sociale
  • Marrëdhënie më të forta familjare
  • Përmirësimi i aftësive motorike

Terapia e artit mund të përdoret për të trajtuar një gamë të gjerë çrregullimesh mendore dhe shqetësime psikologjike. Në shumë raste, mund të përdoret së bashku me teknika të tjera psikoterapie si terapia në grup ose terapia konjitive-sjellëse (CBT). Terapia e artit është një teknikë ku shprehja krijuese nxit shërimin dhe mirëqenien mendore.

Teknikat e përdorura në terapinë e artit mund të përfshijnë:

  • Ngjyrosje
  • Doodling dhe shkarravitje
  • Vizatim
  • Pikturë me gishta
  • Fotografia
  • Skulpturë
  • Puna me argjilë

Fëmijët që kanë përjetuar trauma emocionale, dhunë fizike, abuzim në familje, ankth, depresion dhe çështje të tjera psikologjike mund të përfitojnë nga të shprehurit në mënyrë krijuese. Krijimi ose vlerësimi i artit përdoret për të ndihmuar njerëzit të eksplorojnë emocionet,të zhvillojnë vetëdijen, të përballen me stresin, të rrisin vetëvlerësimin dhe të punojnë në aftësitë sociale.

A Duhet Të Përfshihen Prindërit Në Këto Terapi?

Përfshirja e prindërve e bën terapinë e fëmijëve më efektive,por kjo nuk do të thotë që ju do të jeni të pranishëm gjatë të gjitha seancave. Shumë ekspertë pajtohen që terapistët që punojnë me fëmijët duhet të paktën të konsultohen me çdo të rritur përgjegjës që trajtimi të jetë i suksesshëm.

Megjithatë, shkalla në të cilën prindërit janë të përfshirë në procesin e terapisë mund të ndryshojë në varësi të situatës dhe moshës së fëmijës.

Fëmijët më të vegjël në terapi mund të kenë nevojë që prindërit e tyre të ulen me ata gjatë çdo seance. Për fëmijët e tjerë, mund të mos jetë e nevojshme që prindërit të jenë prezent gjatë çdo seance. Sidomos kur fëmijët rriten, është e rëndësishme që ata të ndërtojnë identitetin e tyre. Kjo do të thotë se është e rëndësishme të kenë hapësirën për të eksploruar mendimet dhe ndjenjat gjatë terapisë, pa praninë e prindërve.

Kur Përfshihen Prindërit Në Terapi?

Prindërit përfshihen në terapinë e fëmijës së tyre gjatë momenteve, si: fillimit të terapisë duke dhënë konsensus ose sesioneve të ndara prindërore.

Ju e ndihmoni fëmijën tuaj të vazhdojë trajtimin edhe jashtë zyrës së terapistit duke diskutuar hapur për rolin dhe ndihmën e terapisë dhe psikologut në procesin e zhvillimit të fëmijës. Kjo i bën ata të ndihen të mbështetur dhe të kuptojnë se kanë një ekip të tërë prapa tyre.
Rëndësia e Terapisë së Fëmijëve

Terapia e fëmijëve është e rëndësishme sepse është një mundësi që fëmija të mësojë të rregullojë emocionet e tij dhe të kuptojë lidhjen midis ndjenjave dhe sjelljes së tyre në mënyrë që të ketë më shumë kontroll mbi ato.

Terapia e fëmijëve promovon:

  • Rritjen e vetëbesimit
  • Uljen e ankthit dhe depresionit
  • Zhvillimin e ndjenjave për veten
  • Rritjen e kompetencave sociale

Terapinë e fëmijëve, të cilën Klinika Ego e ofron, terapisti dhe mjekët psikologë tanë ndërtojnë një marrëdhënie besimi me fëmijën, e cila është thelbësore. Në hapësirën terapeutike vogëlushi juaj mund të ndihet i sigurt dhe i kuptuar, duke e bërë më të lehtë përdorimin e terapisë në një mënyrë të dobishme.

BURIME

HEALTHLINE- PLAY THERAPY AND CHILD THERAPY
VERYWELLMIND – WHAT IS ART THERAPY
PSYCHCENTRAL – PARENT INVOLVEMENT IN CHILD THERAPY