Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
Shëndeti mendor i punonjësve të kujdesit shëndetësor, të cilët punojnë në spitalet COVID

Pandemia e sëmundjes COVID-19  ka ndikuar globalisht, duke paraqitur sfida unike në të gjitha sferat e jetës dhe për të gjitha fushat e mjekësisë. Ajo ka ndryshuar mjediset shoqërore dhe të punës në disa mënyra. Shpërthimet e sëmundjeve infektive ndodhin rregullisht dhe shkaktojnë një përgjigje intensive të personelit mjekësor. Gjatë shpërthimeve epidemike, mijëra punonjës të kujdesit shëndetësor duhet të luftojnë me sëmundjen në vijën e parë. Kjo situate, në të gjithë botën, mund t’i vendosë punonjësit e kujdesit shëndetësor në një situatë të pashembullt, duke punuar në kushte shumë sfiduese, të punojnë nën presion, duke u dashur të marrin vendime të pamundura. Këto vendime mund të përfshijnë mënyrën e shpërndarjes së burimeve të  kufizuara të kujdesit shëndetësor për pacientët në nevojë, balancën midis nevojave të tyre e atyre të pacientëve dhe balancën midis detyrimeve profesionale dhe atyre familjare e shoqërore. Për këtë arsye mund të jenë në rrezik në rritje për çrregullime të shëndetit.

Është e rëndësishme të hetohet gjendja e shëndetit mendor të ofruesve të kujdesit shëndetësor për shkak të ndikimeve të mundshme të saj  në shëndetin e tyre dhe në cilësinë e kujdesit për pacientin. Edhe më e rëndësishme është identifikimi i shkaqeve themelore të simptomatikës së mundshme psikiatrike për të përshpejtuar krijimin e ndërhyrjeve lehtësuese. Ndikimi në shëndetin mendor nga një shpërthim i sëmundjeve zakonisht neglizhohet gjatë menaxhimit të pandemisë edhe pse pasojat  janë të kushtueshme.

Çrregullimet dhe sëmundjet janë sa të heshtura dhe të fshehta, aq edhe të rrezikshme nëse nuk marrin kujdes në kohë. Dëshmitë nga epidemitë e mëparshme  tregojnë se punonjësit e kujdesit shëndetësor rrezikojnë të zhvillojnë probleme të shëndetit mendor afatshkurtër dhe afatgjatë. Në planin afatgjatë, në fakt, kjo pandemi rrezikon të dëmtojë profesionistët e shëndetit mjekësor, si në sferën e tyre personale dhe private, në marrëdhëniet e tyre shoqërore dhe në vendin e punës. Krahasuar me pandemitë e tjera, pandemia COVID-19 është unike në ndikimin e saj tek punonjësit e kujdesit shëndetësor për shkak të prevalencës dhe kërkesës së lartë për shtrime në spital.

Përgjigja psikologjike e punonjësve të kujdesit shëndetësor ndaj një epidemie të sëmundjeve infektive është komplekse dhe mund të ketë lidhje me faktorë të ndryshëm.Stresuesit janë të shumëfishtë. Pandemitë dhe epidemitë kërcënojnë në mënyrë unike shëndetin publik sepse një trajtim efektiv ose një kurë shpesh nuk është në dispozicion. Nuk ka konsensus për menaxhimin më të mirë të individëve të infektuar dhe ka nje numër të kufizuar të shtretërve të Kujdesit Intensiv, për të cilin punonjësit e kujdesit shëndetësor janë të vetëdijshëm dhe e kuptojnë rëndësinë e situates. Graviteti i situatës kuptohet mirë nga shumica e profesionistëve të kujdesit shëndetësor, më pak nga publiku, dhe kjo mund ta bëjë situatën më të vështirë për tu përshtatur. Sëmundshmëria dhe vdekshmëria e lartë e SARS-CoV-2 mund të përkeqësojë perceptimin e rrezikut në punonjesit e kujdesit shëndetësor. Për më tepër, fakti i një shkallë të lartë të transmetimit të sëmundjes i shtohet shqetësimeve . Në këtë mënyrë, punonjësit e kujdesit shëndetësor janë tepër vigjilentë për sjelljen e tyre dhe për të qëndruar të sigurt (p.sh. të mos prekin fytyrat e tyre pas kontaktit me rastet ose sendet e tyre) gjë që gjithashtu u rrit nivelet e ankthit. Hulumtimi i pasojave psikologjike gjatë shpërthimeve të sëmundjeve infektive tregon modele të qëndrueshme të reagimeve. Sfidat për stafin përfshijnë jo vetëm ngarkesën në rritje të punës, të krijuar nga shpërthime të tilla, por edhe frikën e infektimit për veten dhe familjet e tyre, duke punuar me protokolle të reja dhe që ndryshojnë shpesh, kujdes për pacientët që janë shumë të sëmurë dhe përkeqësohen shpejt dhe kujdes për kolegët të cilët gjithashtu janë sëmurë. Një pjesë e stafit do të preket nga sëmundja infektive, disa do të sëmuren rëndë dhe disa do të vdesin. Ata që janë ekspozuar ose që do të shfaqin simptoma do të kërkohet të hyjnë në karantinë, zakonisht larg familjeve të tyre. Hulumtimet kanë treguar se personeli që është në karantinë përjeton ndienja faji për lënien e vijave të frontit me personel më të reduktuar, frikë për  kontaminimin e familjeve të tyre dhe konflikt rreth roleve të tyre si profesionistë të kujdesit shëndetësor dhe prindër ose kujdestarë. Ata gjithashtu vuajnë nga mërzia, lodhja dhe vetmia, veçanërisht pasi zakonisht punojnë si pjesë e një ekipi të ngushtë. Pas karantinës ata mund të jenë të shqetësuar ose të ngurrojnë të kthehen në punë. Vështirësi  lindin edhe nga masat për kontrollin e infeksionit, si përdorimi i mjeteve mbrojtëse personale. Komunikimi me pacientët bëhet më i komplikuar pasi ato mbulojnë pjesën më të madhe të fytyrës,trupit. Për shkak se familjet nuk mund të jenë në shtratin e një pacienti që po vdes, shpesh është një punonjës i kujdesit shëndetësor I thirrur të jetë kanal për thirrjet video dhe mbështetjen emocionale. Familja dhe miqtë mund të mos jenë në gjendje të vizitojnë pacientët dhe stafi shpesh ndiehet faj që pacienti ka “vdekur vetëm”. Rutinat normale për lajmet e vdekjes nuk janë të disponueshme, lajmet mund të shpërndahen përmes telefonit ose Skype,Facetime. Po kështu, mundësia për të parë trupin dhe nuk do të jetë e disponueshme. Burimet e shqetësimit midis punonjësve të kujdesit shëndetësor mund të përfshijnë ndjenjat e cënueshmërisë. Faktorë të tjerë të lidhur me punën për t’u marrë parasysh janë pasiguria e punësimit, shqetësimet financiare, mungesa e pushimit, ekspozimi ndaj ngjarjeve kritike të jetës si vdekja, dhe izolimi për periudha të gjata. Në të gjithë pandemitë, stigma ishte një faktor shtesë që lidhej me shëndetin mendor të ofruesve të kujdesit shëndetësor. Punëtorët raportuan se ndjenin stigmatizim nga familja dhe miqtë dhe komuniteti i gjerë. Të gjithë këta faktorë kanë pasoja, madje edhe serioze, në shëndetin mendor të punonjësve të kujdesit shëndetësor.

 Jo i gjithë stafi shqetësohet në të njëjtën mënyrë ose në të njëjtën shkallë. Mënyrat në të cilat njerëzit reagojnë ndaj emergjencave ndahen në katër grupe kryesore:

1. Të pamërzitur( mund të shfaqin disa shqetësime por që zgjidhen me mbështetjen e anëtarëve të familjes, miqve ose  personave të tjerë)

2. Në mënyrë proporcionale të dëshpëruar, por të aftë për të funksionuar në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme (pa çrregullime mendore)

3. Disproporcionalisht te dëshpëruar ose të dëshpëruar dhe jofunksional në periudhën afatshkurtër  dhe afatmesme (mund të shërohen relativisht shpejt nëse u jepet ndihma e duhur, si dhe ata që mund të zhvillojnë çrregullime mendore; prandaj njerëzit në këtë grup kërkojnë një vlerësim tërësor)

4. Çrregullime mendore në periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë (kërkojnë vlerësim të specialistëve, të ndjekura nga kujdesi shëndetësor në kohë dhe efektiv)

Nga përgjigjet e ndryshme emocionale ndaj COVID-19, frika ekstreme dhe pasiguria janë ato që janë bërë më të dukshme në shoqëri. Të dyja këto përgjigje kontribuojnë në një përgjigje të shtuar të stresit që ka të ngjarë të shfaqet si më poshtë:

1. Stresi ka të ngjarë të nxisë një përkeqësim akut të një çrregullimi mendor ekzistues ose të precipitojë një episod për herë të parë të një çrregullimi mendor në ata që janë të predispozuar.

2. Crregullimi i lidhur me stresin (p.sh. çrregullimi i stresit akut, çrregullimi i stresit postraumatik ose një çrregullim përshtatje)

3. Përgjigja simptomatike e stresit që nuk plotëson kriteret diagnostike të një çrregullimi zyrtar psikiatrik

Është e dobishme për stafin të kuptojë ndryshueshmërinë e përgjigjeve dhe luhatejen gjatë gjithë krizës. Do të ketë gjithashtu përgjigje pozitive ndaj ngjarjeve stresuese në punë, të tilla si rritja shpirtërore post-traumatike. Shumë ofrues të kujdesit shëndetësor ishin krenarë për veten e tyre dhe ndiheshin të lumtur për t’i shërbyer vendit.  Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se shumë reagime të stafit do të jenë brenda asaj që konsiderohet si një reagim “normal” dhe në shumë raste nuk do të përbëjnë patologji të shëndetit mendor.

Pak studime kanë adresuar problemet e shëndetit mendor të  punonjësve të  kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19. Studime  në lidhje me ndikimin e pandemisë COVID-19 mbi profesionistët e shëndetit nuk janë të disponueshme aktualisht në Shqipëri.

Qëllimi i  këtij studimi është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të gjendjes psikoemocionale të punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19.

Objektivat e studimit                    

Objektivi i parë I studimit është të vlerësojë simptomatikën e shëndetit mendor të punonjësve të kujdesit shëndetësor, të cilët punojnë në spitalet COVID, për të vlerësuar prevalencën dhe shkallën e ndikimit negativ psikologjik të pandemisë COVID-19.

Objektivi i dytë është të ekzaminojë lidhjen mes variablave të marra dhe si ndikojnë këto variabla në gjendjen psikoemocionale të punonjësve të kujdesit shëndetësor që punojnë në spitalet COVID.

Metodologjia e studimit

Ky studim  është një analizë ( cross sectional survey) në popullatën e punonjësve të spitaleve COVID-19. Për realizimin e studimit është përgatitur një pyetësor i përbërë me të dhënat sociodemografike dhe pyetje shtesë (mosha, gjinia, vendbanimi, statusi civil, profesioni, kohëzgjatja e ushtrimit të profesionit, kohëzgjatja e punës në spitalet COVID  e në cilin prej tyre, orët e punës në javë, kryerja e shërbimeve 24 oëshe dhe numri i tyre ne muaj, kalimi i semundjes Covid-19 nga vetë personeli apo te aferm, miq të tyre) dhe është përdorur pyetësori SCL-90 i validuar në gjuhën shqipe.

Kriteret përjashtuese

Punonjësit e kujdesit shëndetësor, që punojnë në spitalet COVID e që janë janë diagnostikuar apo mjekuar për çrregullime të shëndetit mendor ose janë në terapi për çrregullime të shëndetit mendor janë përjashtuar nga studimi.

Janë përjashtuar nga studimi të gjithë personat që nuk kanë plotësuar sic duhet pyetësorin. Personat që nuk i janë përgjigjur një ose më shumë faqeve të formularit janë përjashtuar nga studimi.

Si rrjedhojë e këtyre përjashtimeve në studim janë përfshirë 105 persona nga 130 persona të cilëve iu ishte dhënë formulari për tu marë në studim.

5.5  Kriteret përfshirëse

U përfshinë në studim punonjësit e kujdesit shëndetësor që punojnë në spitalet COVID e nuk janë nën terapi për çrregullime të shëndetit mendor dhe nuk kanë qënë as më parë të diagnostikuar apo mjekuar për çrregullime të shëndetit mendor.

Popullata e marrë ne studim u përfshi vullnetarisht dhe dha miratimin e saj për plotësimin e pyetësorëve. U përgatitën 130 pyetësorë të cilët u shpërndanë në mënyrë rastësore në katër spitalet COVID. Periudha në të cilën u krye studimi i përket muajve dhjetor 2020-mars 2021. 

5.6  Pyetësori i përdorur

 U përdor në studim Profili i përshkrimit të Listë Kontrollit të Simptomave-90 i Rishikuar (SCL 90 R))

Lista e Kontrollit të Simptomave-90-Rishikuar (SCL 90 R) është një pyetësor vetë-raportues shumëdimensional i orientuar drejt vlerësimit të statusit simptomatik në kohën e caktuar. Kjo nënkupton njëkohësisht se SCL-90-R nuk është menduar si një instrument diagnostikues ose test personaliteti SCL‑90‑R ë shtë i përbërë nga 90 pyetje, të cilat janë të organizuara në 10 dimensione. Nëntë nga këto dimensione adresojnë dimensione të ndryshme të statusit mendor të personit, dhe e dhjeta adreson çështje shtesë. Nëntë dimensionet, të cilat adreson SCL 90 R, janë:

Somatizimi, OCD, ndjeshmëria ndërpërsonale, depresoni, ankthi, agresiviteti, ankthi fobik, ideimi paranoid, psikoticizmi..

Nga të dhënat e marra në shqyrtim për periudhën e caktuar dhe nga përpunimi i tyre statistikor rezulton se në masën më të madhe simptomatika dominohet nga simptoma somatike, obsesivo –kompulsive, problemet me gjumin. Dimensioni me mesataren më të ulët është ankthi fobik dhe mesataren më të lartë somatizimi.

Nuk ekziston një lidhje statistikisht signjifikante mes statusit civil, gjinisë dhe simptomave. Nuk shfaqen dallime të rëndësishme statistikisht ndërmjet atyre që kanë kaluar sëmundjen Covid-19, vetë apo familjarët e tyre,  përsa i përket nivelit SCL.

Shfaqen dallime të rëndësishme statistikisht ndërmjet fesë vetëm tek Indeksi Global, somatizimi, OCD, depresioni, ankthi, ankthi fobik, ideimi paranoid. Rezultati tregon se tek Indeksi Global, somatizimi, OCD, depresioni, ankthi, ankthi fobik, ideimi paranoid paraqitet më e lartë tek personeli katolik dhe niveli më të ulët ateistët.

Shfaqen dallime të rëndësishme statistikisht ndërmjet profesionit vetëm tek Indeksi Global, depresioni, ankthi, agresiviteti, psikoza. Rezultati tregon se  Indeksi Global, depresioni, ankthi, agresiviteti, psikoticizmi paraqitet më të lartë tek mjekët dhe niveli më të ulët te infermierët.

Shfaqen dallime të rëndësishme statistikisht ndërmjet eksperiencës në punë vetëm tek Indeksi Global, depresioni, ankthi, ideimi paranoid. Rezultati tregon se me rritjen eksperiencës në spitalet Covid rriten edhe vlerat ë dimensioneve. Rezultati tregon se niveli i të gjithë dimensioneve është më i lartë te personeli që punon deri në 40 orë krahasuar me ata që punojnë mbi 40 orë.

Përvec ndjeshmërisë personale të gjitha dimensionet e tjera shfaqin dallime të rëndësishme statistikisht ndërmjet statusit të punës. Rezultati tregon se niveli i të gjithë dimensioneve është më i lartë te personeli që punon të dyja (shërbim 24 orë dhe kohë e plotë), ndjekur nga shërbimi 24 orë dhe kohë e plotë vetëm. Ka lidhje të rëndësishme statistikisht vetëm me depresionin dhe numrit të shërbimeve 24 orësh. Me rritjen e numrit të shërbimeve 24 orësh rritet edhe niveli i depresionit.

Shfaqen dallime të rëndësishme statistikisht ndërmjet intervalit të orëve të punës për të gjitha dimensionet e SCL. Rezultati tregon seniveli i të gjithë dimensioneve është më i lartë te personeli që punon deri në 40 orë krahasuar me ata që punojnë mbi 40 orë

Studimi ynë, i cili synon të vlerësoje shëndetin mendor te punonjësit e shëndetësisë, është i pari, sipas hulumtimeve të bëra, në vendin tonë. Vlerësimi i madhësisë së sëmundshmërisë në popullatën e zgjedhur eshtë e rëndesishme dhe e vlefshme për planifikimin racional të shërbimeve shëndetësore. Gjenerimi i hipotezave etiologjike të simptomatikës është me mjaft rëndësi. Ky studim synoi ta sjellë shendetin mendor të  punonjësve të shëndetësisë në vëmendjen e politikëbërësve të sistemit shëndetësor.

Kufizimet e studimit tonë jane disa. Mostra e marrë në shyrtim është e vogël nga pikëpamja astatistikore  për të nxjerrë koknuzione të përgjithëshme për gjithë popullatën.Formularët janë vetëraporues dhe eksperienca subjektive e individit reflektohet edhe në intensitetin e simptomave. Informacioni për simptomatkën dhe ekspozimin mblidhet njëkohësisht, ndaj e vështirë të përcaktohet shkakësia e shoqërimeve. Nuk vlerësohet rreziku i shfaqjes së sëmundjes, sepse nuk mat incidencën. Lloji i studimit nuk lejon ndjekjen në vazhdimësi të shëndetit mendor të punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Rekomadimet që mund të bëhen në një situate të tillë jane depistimi i popullatës dhe të marrja e të dhënave me të gjëra në lidhje me problemet e shëndetit mendor tek punonjësit e shëndetësisë, mundësia e kryerjes së studimeve longitudinale për ndjekjen në vazhdimësi të punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisëm, referimi për kujdes shëndetit mendor i punonjësve të shëndetësisë të cilat kanë një nivel të rritur të  rezultateve të dimensioneve SCL, nxitja e fushatave informimuese dhe sensibilizuese në lidhje me shëndetin mendor si dhe të luftimi i stigmës për të kërkuar ndihmë nga vetë punonjësit e  kujdesit shëndetësor dhe mbështetja psiko-emocionale e punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë Covid-19.

Identifikimi i njerëzve në nevojë për kujdesin e shëndetit mendor dhe përcaktimi i shërbimeve të përshtatshme psikiatrike dhe terapisë së nevojshme është i rëndësishëm. Ka, sidoqoftë, mundësi në çdo nivel për të bërë një ndryshim në mbështetjen e shëndetit mendor të stafit  të punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë SARS-CoV-2 dhe për të identifikuar dhe inkurajuar mundësitë për të gjetur mirëqënie psikoemocionale dhe kuptim në këtë situatë. Shoqëria jonë tani duhet t’i konsiderojë këta individë si “pluhur ari” dhe është detyra jonë të sigurojmë mbështetjen që meritojnë.