Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
"Ju jeni armiku më i madh i gjumit tuaj."

Paëan Mishra

Gjumi është një sjellje universale që është demonstruar në çdo specie. Është një nga sjelljet më domethënëse njerëzore, duke zënë afërsisht një të tretën e jetës njerëzore. Studimet  në mbarë botën kanë raportuar një prevalencë të problemeve të gjumit që variojnë nga 1.6% deri në 56% të popullatës.

Pagjumësia  përfshin një gamë të gjerë të çrregullimeve të gjumit, nga mungesa e cilësisë së gjumit deri te mungesa e sasisë së gjumit.

Pagjumësia zakonisht ndahet në tri lloje:

Pagjumësia e përkohshme – ndodh kur simptomat zgjasin nga disa ditë deri në disa javë.

Pagjumësia akute – e quajtur edhe pagjumësi afatshkurtër. Simptomat vazhdojnë për disa javë.

Pagjumësia kronike – ky lloj i pagjumësisë zgjat për të paktën një muaj dhe nganjëherë edhe për vite.

Një klasifikim tjetër e ndan pagjumësinë në:

  • Pagjumësi primare

Diagnostikohet kur ankesa kryesore është vëshirësia për të rënë ose ndenjur në gjumë ose gjumë jo shplodhës për të paktën një muaj pa asnjë shkak.

  • Pagjumësia sekondare

Diagnostikohet kur gjendet një shkak tjetër, si sëmundje mjekësore të përgjithshme, sëmundje mendore, abuzim me substance psikoaktive ose çrregullime të tjera të gjumit.

Megjithëse pagjumësia mund të ndikojë tek njerëzit e çdo moshe, ajo është më e zakonshme tek:

  • femrat
  • adoleshentët ose studentët e rinj
  • përdoruesit e drogës
  • të moshuarit
  • udhëtarët
  • punëtorët me ndryshime të shpeshta të turnit te punës
  • gratë në menopauzë
  • gratë shtatëzëna
  • personat me çrregullime të shëndetit mendor

Shenjat dhe simptomat e pagjumësisë

Pagjumësia  mund të jetë një simptomë e një sëmundjeje mjekësore parësore. Megjithatë, ka disa shenja dhe simptoma që lidhen me pagjumësinë.

  • Vështirësi për të rënë në gjumë natën
    • Zgjime gjatë natës
    • Zgjime herët në mëngjes, më herët se sa dëshiron
    • Të ndierit prapë të lodhur në mëngjes. Personi që vuan mund të zgjohet  pa u ndier plotësisht i zgjuar dhe i rifreskuar
    • Lodhje ditore ose përgjumje
    • Irritabilitet, humor i rënë  ose ankth
    • Vështirësi në përqendrim
    • Të qenurit  të pakoordinuar mirë, me rritje të gabimeve apo aksidenteve
    • Dhimbje koke
    • Vështirësi për socializim
    • Simptoma  gastrointestinale
    • Merakosje për gjumin.

Nevoja për gjumë varion në individë të ndrushëm e gjithashtu varion sipas grupmoshave.

Nevoja për gjumë sipas moshës 
Mbi 18 vjeç7 -9 orë
14 -17 vjeç8 – 10 orë
6 -13 vjeç9 -11 orë
3 -5 vjeç10-13 orë
1 -2 vjeç11-134 orë
4 -11 muaj12 -15  orë
0 – 3 muaj14-17 orë

Përfitimet e një gjumi të mirë janë të jashtëzakonshme për shëndetin tuaj. Në fakt, është po aq e rëndësishme sa të ngrënit e një diete të balancuar apo të ushtruarit e aktivitetit fizik. Ndër përfitimet e një gjumi të mirë përmendim:

  • Përmirësim të përqëndrimit dhe produktivitetit ( përmirësohen aftësitë memorizuese, aftësite për të zgjidhur probleme etj)
  • Ju ndihmon të mbani peshën tuaj ose të humbni peshë
  • Përmirëson performancën atletike
  • Forcon sistemin kardivaskular
  • Ndikon tek metabolizmi i glukozës dhe ul riskun per diabet tip 2
  • Ul riskun për depresion
  • Forcon sistemin imunitar
  • Ulet risku për inflamacion, që me kalimin e kohës rrit rrezikun tuaj për të zhvilluar sëmundje kronike, si sëmundjet e zemrës, disa tipe sëmundjesh tumorale, depresioni, semundja e Alzheimer etj
  • Ndikon tek mënyra si proçesoni emocionet tuaja duke e përmirësuar këtë proçes dhe përmirëson aftësitë tuaja sociale. Njerëzit që janë vazhdimisht me çrregullime të gjumit, kanë më shumë gjasë të izolohen, të përjetojnë vetmi, të mos marrin pjesë ne evente sociale, të irritohen lehtësisht

Studimet shkencore kanë lidhur një numër gjendjes mjekësore më gjumin jo të mirë:

  • Probleme me kujtesën
  • Ndryshime në humor
  • Dobësim i sistemit imunitar
  • Risk për diabet tip 2
  • Ulje të dëshirës seksuale
  • Risk për sëmundje kardiovaskulare,
  • Hipertension arterial
  • Problem me ekuilibrin, koordinimin e lëvizjeve
  • Shtim në peshë
  • Aksidente ( të qënurit i përgjumur rrit riskun për aksidente me makinë dhe mjete të tjera)
  • Vështirësi me përqëndrimin, kreativitetin, aftësitë për të zgjidhur probleme
  • Rritet risku për abuzim me alkool
  • Duke patur parasysh pasojat e shumta të pamjaftueshmërisë së gjumit, ulet edhe jetëgjatësia

Shkaqet e pagjumësisë

Pagjumësia mund të shkaktohet nga faktorë fiziologjikë, si dhe nga faktorë psikologjikë. Shpesh ka një çrregullim mjekësor themelor që shkakton pagjumësi kronike, ndërsa pagjumësia e përkohshme mund të ndodhë për shkak të një ngjarjeje të kohëve të fundit.

Pagjumësia zakonisht mund të shkaktohet nga:

  • faktorë  gjenetikë.
  • Studimet kanë sugjeruar që pajisjet elektronike me ekran ndriçues retroluminishent  mund të ndikojnë te melatonina e çliruar në mbrëmje, gjë që mund të rezultojë në vonim të gjumit.
  • Ndërprerje në ritmin cirkadian: lodhje ekstreme gjatë udhëtimeve me avion në zona të ndryshme kohore , ndryshimet e turneve në punë, lartësitë e mëdha, zhurmat, i ngrohti ose i ftohti.
  • Çështjet psikologjike: njerëzit me çrregullime të humorit, të tilla si çrregullimi bipolar ose depresiv madhor, si dhe çrregullime të ankthit ose çrregullime psikotik, kanë më shumë gjasa të kenë pagjumësi.
  • Sëmundje të tjera mjekësore: lezione dhe tumore të trurit, aksidente vaskulare cerebrale, dhimbja kronike, sindromi i lodhjes kronike, insufiçenca kardiake kongjestive, sëmundja koronare e zemrës, sëmundja e refluksit gastroezofageal (GERD), sëmundja pulmonare obstruktive kronike, asthma bronkiale, apnea e gjumit, sëmundjet e Parkinsonit ,Alzheimer, hypertiroidismi
  • Hormonet: ndryshimet  hormonale  gjatë ciklit menstrual, menopauses, shtatëzanisë
  • Faktorë të tjerë të ndryshëm: fjetja pranë një partneri që gërhet, parazitët,
  •  Pajisjet teknologjike në dhomën e gjumit – hulumtuesit nga Universiteti i Helsinkit, Finlandë, raportuan në revistën BMC Public Health se pajisjet teknologjike  në dhomën e gjumit prishnin modelet e gjumit tek fëmijët. Ata gjetën se fëmijët me TV, kompjuterë, video games,  DVD dhe telefona celularë në dhomat e gjumit të tyre flinin në mënyrë të konsiderueshme më pak se fëmijët pa këto pajisje në dhomat e gjumit të tyre. Përveç kësaj, një studim i kryer nga Instituti Politeknik Rensselaer zbuloi se tabletët me ekrane “back-lit”, retroluminishentë  mund të ndikojnë në modelet e gjumit.
  • Medikamentet – medikamentet e mëposhtme njihen si shkaktuese të pagjumësisë në disa pacientë:
    • Kortikosteroidet – përdoren për trajtimin e pacientëve me reaksione alergjike, sindromën Sjögren, lupusin, artritin reumatoid dhe vaskulite, miozite. Shembujt përfshijnë: prednisone, triamcinolon, methylprednisolone.
    • Statinat – medikamente të përdorura për trajtimin e niveleve të larta të kolesterolit. Shembujt përfshijnë: simvastatin, rosuvastatin, lovastatin dhe atorvastatin.
    • alfa bllokuesit – përdoren për trajtimin e hipertensionit arterial, sëmundjen Raynaud dhe hipertrofinë beninje të prostatës. Shembujt përfshijnë: terazosin, alfuzosin, prazosin, doxazosin dhe tamsulosin.
    • Beta bllokues – përdoren për trajtimin e hipertensionit arterial dhe aritmive kardiake. Shembujt përfshijnë: timolol, carvedilol, propranolol, atenolol, metoprolol dhe sotalol.
    • Antidepresantët  SSRI – përdoren për trajtimin e depresionit. Shembujt përfshijnë: fluoksetinë, citalopram, paroxetinë, escitalopram, sertralinë dhe fluvoxamine.
    • Frenuesit ACE i – përdoren për trajtimin e hipertensionit, dhe crregullime të tjera kardiake. Shembujt përfshijnë: ramipril, fosinopril, trandolapril, quinapril, benazepril, enalapril, lisinopril, moexipril, perindopril dhe kaptopril.
    • ARB (bllokulesit e receptorëve të Angiotensin II ) – përdoren  kur pacienti nuk mund të tolerojë ACE frenuesit ose ka diabet tip 2 ose dëmtim të veshkave nga diabeti. Shembujt përfshijnë: candesartan, valsartan, telmisartan, losartan dhe irbesartan.
    • Frenuesit e kolinesterazës – përdoren për trajtimin e humbjes së kujtesës dhe simptoma të tjera në pacientët me demencë, përfshirë sëmundjen e Alzheimerit. Shembujt përfshijnë: rivastigminë, donepezil dhe galantaminë.
    • Gjenerata e dytë (jo sedative) H1 agonistë – përdoret për trajtimin e reaksioneve alergjike. Shembujt përfshijnë: loratadine, levocetirizinën, fexofenadinën, desloratadinën, cetirizinën dhe azelastinën.
    • Glucosamine / chondroitin – shtesat dietike të përdorura për lehtësimin e simptomave të dhimbjes së artikulacioneve dhe për të zvogëluar inflamacionin.

Opsionet e trajtimit për pagjumësinë

 Në përgjithësi, trajtimi i pagjumësisë fokusohet në përcaktimin e shkakut të problemeve të gjumit. Sapo të identifikohet, ky shkak themelor mund të trajtohet ose korrigjohet siç duhet. Përveç trajtimit të shkakut themelor të pagjumësisë, trajtime mjekësore dhe jo-farmakologjike (sjelljeje) mund të përdoren si terapi  adjuvante.

Higjena e gjumit

“Higjena e gjumit” nënkupton masa masa jo specifike për të nxitur gjumin. Përfshin masa si:

  1. Zgjohuni në të njëjtën kohë çdo ditë.
  2. Kufizoni kohën që kaloni në shtrat në sasinë e zakonshme që kalonit aty, përpara se të kishit çrregullime të gjumit.
  3. Shkoni te flini çdo natë në të njëjtën orë.
  4. Ndërprisni barnat që veprojnë ne sistemin nervor (kafeina, nikotina, alkooli, stimuluantët etj.).
  5. Shmangni dremitjet gjatë ditës ose maksimumi nën 20 minuta (përveç rasteve kur grafiku i gjumit tregon se ato shkaktojnë gjumë më të mirë gjatë natës)
  6. Kryeni aktivitet fizik të programuar gradualisht, me ushtrime energjike, herët gjatë ditës. 
  7. Shmangni stimulimin në mbrëmje; Zëvendësoni televizionin me leximin e qetë të një libri, degjimin e radios.
  8. Provoni të bëni dushe, larje në vaskë, me temperatura shumë të nxehta, 20 minutëshe, që rrisin temperaturën e trupit, afër kohës së gjumit.
  9. Hani në kohë të rregullta gjatë ditës; Shmangni vaktet e mëdha afër kohës së gjumit.
    1. Praktikoni në mbrëmje, në mënyrë rutinë, teknika të relaksimit, të tilla si relaksimi progresiv i muskujve ose meditimi.
  10. Mbani kushte të rehatshme gjumi. (Dyshek dhe jastëk të rehatshëm, errësirë, dhomë e qetë, pa zhurma, temperatura të përshtatshme për ju. Rekomandohet 15-19°C)
  11. Mos mbani orë në dhomën e gjumit.
  12. Mos mbani televizor në dhomën e gjumit.
  13. Mos konsumoni sasi të mëdha lëngjesh para se të flini. 
  14. Fikini  telefonat\pasijet elektronike një orë para gjumit.
  15. Shkoni te flini çdo natë në të njëjtën orë.

Trajtimet mjekësore për pagjumësinë përfshijnë:

• medikamente që jepen me recetë ,me efekt gjumëdhënës (shpesh benzodiazepina)

•antidepresantë

• medikamente neuroleptike

• Antihistaminikët

• Melatonina

• Ramelteon (agonist i melatoninës)

Cilido qoftë shkaku,ështe e rëndësishme të ndërmerrni hapa për tu diagnostikuar dhe mjekuar për këtë çrregullim. Simptomat zakonisht përkeqësohen me kalimin e kohës e pasojat janë jo të lehta e të parëndësishmë.

Referenca:

Kaplan & sadock: Clinical Psychiatry, fifth edition

Pagjumësia: shkaqet, simptomat, trajtimi. Peter Crosta M.A. 2015

Healthline: 10 reason to get good sleep

Nature.com

Healthline: the effect of sleep deprivation on your life. Stephanie Watson, Kristen Chehan. 2021

Sleep foundation