Familja mund të quhet një nga themelet më të rëndësishme dhe më intime të shoqërisë njerëzore. Nëpërmjet saj, ne përjetojmë dashurinë, mbështetjen dhe identitetin tonë. Koncepti i familjes është i gjerë, duke reflektuar diversitetin kulturor, historik dhe social në të cilin jetojmë. Në këtë blog, do të eksplorojmë llojet e ndryshme të familjeve dhe rëndësinë e tyre në jetën tonë.
Gjashtë Llojet e Familjeve Dhe Strukturat e Tyre
Çdo lloj familje, zakonisht i kategorizuar në gjashtë lloje kryesore, ka dinamikën e saj të veçantë. Kuptimi i llojit të familjes suaj mund të sigurojë qartësi në lidhje me sfidat familjare dhe njohuri në adaptimin e ndryshimeve në strukturën e familjes. Disa individë mund të zgjedhin të marrin pjesë në klasa prindërore ose të angazhohen në terapi familjare për të eksploruar dhe kuptuar më shumë dinamikën familjare.
Familja Nukleare “Tradicionale”
Familja nukleare është një formë e familjes e përbërë nga dy prindër dhe fëmijët e tyre(një ose më shumë). Në Shqipëri, si dhe në shumicën e kulturave dhe shoqërive të tjera, familja nukleare është një model i zakonshëm familjar. Ajo funksionon si një njësi e pavarur, ku prindërit kujdesen për fëmijët e tyre dhe janë përgjegjës për rritjen dhe edukimin. Përveç kësaj, prindërit në një familje nukleare shpesh ndajnë detyrat dhe përgjegjësitë e kujdesit për fëmijët dhe ndërtimin e një mjedisi të shëndetshëm familjar.
Avantazhet e Familjes Nukleare:
- Stabiliteti emocional: Në një ambient të shëndetshëm, prindërit mund të ofrojnë një ambient të qetë dhe të sigurt për fëmijët e tyre, duke ndihmuar në zhvillimin emocional.
- Më shumë ndërgjegjësim financiar: Me një numër më të vogël të anëtarëve të familjes, mund të jetohet më lehtë financiarisht dhe të planifikohet më mirë për të ardhmen.
- Komunikimi: Në një familje nukleare, mund të jetë më e lehtë për pjesëtarët të komunikojnë dhe të zgjidhin konflikte.
Disavantazhet e Familjes Nukleare:
- Izolimi: Familja nukleare mund të ndiejë izolim social për shkak të mungesës së lidhjeve të ngushta me anëtarë të tjerë të familjes.
- Presioni i rritjes së fëmijëve: Prindërit në një familje nukleare mund të ndihen të stresuar nga përgjegjësitë e rritjes së fëmijëve.
Familjet Me Një Prind Të Vetëm (Single Parent Family)
Një familje me një prind të vetëm referohet kur një fëmijë rritet dhe jeton me një prind, pa pjesëmarrjen e figurës tjetër prindore. Kjo mund të ndodhë për shkaqe të ndryshme përfshirë divorcin, vdekja e një prindi, ose zgjedhjen e një prindi për të rritur fëmijën e tij vetëm.
Në disa raste, në vendin tonë, familjet me një prind të vetëm mund të jenë të pranuara nga shoqëria, veçanërisht kur prindi ka arritur të sigurojë mirëqenien dhe mbështetjen e nevojshme për fëmijën e tyre. Megjithatë, ka edhe sfida dhe vështirësi që mund të përballen në aspektet emocionale dhe shoqërore të jetës së fëmijës.
Është e rëndësishme që shoqëria të ofrojë mbështetje për familjet me një prind të vetëm, përfshirë shërbime sociale, këshillim dhe resurse për të ndihmuar prindërit në rritjen dhe kujdesjen e fëmijëve të tyre.
Familja Me Anëtarë Shtesë (Step Family)
Familja me anëtarë shtesë është një term i përdorur për të përshkruar një familje në të cilën një ose të dy prindërit janë martuar përsëri dhe kanë fëmijë nga një martesë e mëparshme. Fëmijët janë ata që mund tju duhet më tepër kohë për të pranuar prindërit “step” (njerkët) si pjesë të familjes dhe të krijojnë lidhje të forta.
Avantazhet e Familjes Me Anëtarë Shtesë:
- Mund të ofrojë më shumë mbështetje emocionale për të gjithë anëtarët e familjes, duke përfshirë fëmijët nga martesat e mëparshme.
- Mund të krijojë një rreth social më të gjerë për fëmijët duke i bërë ata të ndihen pjesë e një familjeje më të madhe.
Disavantazhet e Familjes Me Anëtarë Shtesë:
- Ndryshimi i strukturës së familjes mund të shkaktojë lëkundje emocionale për të gjithë anëtarët e saj, duke përfshirë konflikte të mundshme dhe moskuptim.
- Mosmarrëveshjet midis fëmijëve biologjikë dhe atyre “step” mund të shkaktojnë tensione brenda familjes.
- Mund të ketë sfida në bashkëpunimin dhe ndarjen e autoritetit midis prindërve biologjikë dhe fëmijëve të tyre.
Disa këshilla për të menaxhuar vështirësitë e familjes step përfshijnë: - Komunikimi është thelbësor. Inkurajoni një ambient të hapur për diskutime dhe shprehje të ndjenjave.
- Përpiquni të ndërtoni një ndjenjë të fortë të bashkëpunimit dhe respektit në familje.
- Nxitni një atmosferë të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit.
Familja Pa Fëmijë (Childless Family)
Childless Family ose familja pa fëmijë është një familje e cila nuk ka fëmijë biologjikë ose të adoptuar. Kjo mund të jetë zgjedhje e tyre ose shkaktarë mund të jenë mundësitë biologjike, zgjedhje personale, ose pengesa të tjera për krijimin e një familje me fëmijë. Ndikimi i mungesës së një fëmije në një familje mund të ndryshojë në varësi të ndjenjave, synimeve dhe rrethanave të secilës familje.
Avantazhet e Familjes pa Fëmijë:
- Liria për të ndjekur qëllimet dhe ëndrrat personale pa përgjegjësinë e përhershme për një fëmijë.
- Mundësia për të pasur më shumë kohë për të shpenzuar me partnerin ose për aktivitete personale.
- Më pak stres dhe përgjegjësi financiare për të mbështetur një fëmijë.
- Mundësia për të udhëtuar lirshëm dhe për të eksploruar botën pa kufizime të një fëmije të vogël.
Disavantazhet e Familjes pa Fëmijë:
- Mungesa e përvojës prindërore dhe emocionale që fëmijët sjellin në jetë.
- Ndjenja e vetmisë apo izolimit.
Familjet Që Kanë Gjyshërit Si Kujdestarë
Një familje e cila kujdeset për fëmijët nga gjyshërit dhe jo nga prindërit, njihet si Grandparent Family. Kjo situatë ndodh kur prindërit nuk janë afër për t’u kujdesur për fëmijët ose nuk janë në gjendje të kujdesen për shkak të rrethanave të ndryshme.
Gjyshërit kanë përvojë të jetës dhe dituri të pasur, që mund të ndihmojnë në rritjen dhe edukimin e fëmijëve por ndonjëherë është dhe e vështirë veçanërisht në moshë të thyer ku mund të kenë më pak energji dhe fuqi fizike se prindërit. Por ata ngelen një model i përkryer dhe një burim i madh i dashurisë, mësimeve dhe mbështetjes për fëmijët.
Familja E Zgjeruar (Extendet Family)
Familja e zgjeruar është një fenomen i përhapur,ku përveç prindërve dhe fëmijëve, jetojnë nën të njëjtën çati dhe të afërmit e tjerë zakonisht hallat, xhaxhallarët, kushërinjtë. Kjo formë e familjes ofron një rrjet mbështetjeje të gjerë dhe ndihmesë brenda anëtarëve.
Në Shqipëri ky model është më I shpeshtë. Ky model familjar sjell përfitime të rëndësishme si mbështetja sociale dhe ndarja e përgjegjësive. Megjithatë, ka edhe vështirësitë e saj si problemet financiare dhe tensionet e mundshme brenda familjes që mund të eskalojnë deri në stres dhe ankth.
Diversiteti Familjar Dhe Rëndësia E Terapisë Familjare Në Shqipëri
Shqipëria ka një trashëgimi të pasur kulturore dhe sociale, që përfshin një gamë të gjerë të modeleve familjare dhe strukturave të saj. Prandaj vjen në ndihmë terapia familjare e cila ka rëndësi të veçantë për të adresuar pengesat dhe konfliktet që familjet shqiptare mund të përballen. Disa nga arsyet për të kërkuar ndihmë terapeutike familjare mund të përfshijnë:
- Konflikte të ndryshme brenda familjes, të cilat mund të jenë të lidhura me marrëdhëniet prind-fëmijë, marrëdhëniet mes partnerëve, ose konflikte të tjera të brendshme.
- Traumat dhe ngjarje të rëndësishme që ndikojnë në familjen në tërësi.
- Ndikimi i marrëdhënieve shoqërore në strukturën dhe funksionimin e familjes.
- Ndryshimet që vijnë me modernizimin dhe urbanizimin e shoqërisë shqiptare.
Terapia familjare mund të jetë një burim i rëndësishëm i ndihmës për familjet në zbatimin e strategjive të menaxhimit të konflikteve, për të forcuar marrëdhëniet e shëndetshme dhe për të promovuar mirëqenien familjare.
Burimet
Betterhelp- Six family types and their unique dynamics
Love to know- 6 Types of Family Structures Common in 2023