Nëse vuani nga çrregullimi i personalitetit kufitar (BPD), gjithçka mund të ndihet e paqëndrueshme nga marrëdhëniet tuaja, emocionet, mënyra e të menduarit dhe sjelljet, deri te vetë identiteti juaj. Por ky udhëzues mbi simptomat, trajtimin dhe rikuperimin mund t’ju ndihmojë.
Çfarë Është Çrregullimi I Personalitetit Kufitar (BPD)?
Çrregullimi i personalitetit kufitar (BPD) është një çrregullim i grupit B të personalitetit që ndikon në mënyrën se si mendoni, ndjeni, veproni dhe krijoni marrëdhënie me të tjerët madje edhe me veten tuaj. Nëse keni BPD, mund të ndiheni të mbingarkuar jo vetëm për shkak të emocioneve apo marrëdhënieve të paqëndrueshme, por edhe për shkak të ndjesisë së luhatshme të asaj se kush jeni. Imazhi juaj për veten, qëllimet dhe madje edhe preferencat tuaja mund të ndryshojnë shpesh në mënyra që duken konfuzuese dhe të paqarta.
Shumica e çrregullimeve të personalitetit fillojnë gjatë adoleshencës. Si rezultat, pothuajse të gjithë personat e diagnostikuar me çrregullim të personalitetit kufitar (BPD) janë mbi moshën 18 vjeç.
Mësoni disa Këshilla për të rinjtë që kanë çrregullime të personalitetit kufitar.
Megjithëse çdokush mund të zhvillojë BPD, kjo është më e zakonshme nëse keni histori familjare me këtë çrregullim. Gjithashtu, personat që vuajnë nga probleme të tjera të shëndetit mendor, si ankthi, depresioni ose çrregullimet e të ngrënit janë në rrezik më të lartë.
Shenjat Dhe Simptomat E Çrregullimit Të Personalitetit Kufitar (BPD)
Çrregullimi i personalitetit kufitar (BPD) shfaqet në mënyra të ndryshme, por për diagnozë simptomat klasifikohen në nëntë kategori kryesore. Për të marrë një diagnozë duhet të shfaqni të paktën pesë nga këto simptoma, të cilat zakonisht fillojnë në adoleshencë dhe ndikojnë në shumë fusha të jetës.
9 Simptomat e BPD:
- Frika nga braktisja – Frikë e madhe nga braktisja ose vetmia. Edhe situata të vogla si një vonesë apo një udhëtim i shkurtër mund të shkaktojnë panik dhe sjellje të dëshpëruara për të mbajtur dikë pranë, duke çuar shpesh në largimin e të tjerëve.
- Marrëdhënie të paqëndrueshme – Marrëdhëniet janë shpesh të vrullshme dhe të shkurtra, me kalime të shpeshta midis idealizimit dhe zhvlerësimit të personave të afërt.
- Vetë-imazh i paqartë –Konfuzion për veten, me luhatje mes vetëvlerësimit të lartë dhe vetëurrejtjes. Kjo mund të çojë në ndryshime të shpeshta të punës, miqësive, ose qëllimeve personale.
- Sjellje të rrezikshme dhe impulsive: Episodet e ngarjes së makinës në mënyrë të pakujdesshme, konflikteve fizike, bixhozit, përdorimit të substancave, ngrënies së tepërt janë të zakonshme tek personat me Çrregullim të Personalitetit Kufitar (BPD).
- Vetëlëndimi – Përfshirë mendime për vetëvrasje apo vetëdëmtime të qëllimshme, si prerje apo djegie.
- Luhatje ekstreme emocionale – Ndryshime të shpejta të humorit, shpesh të shkaktuara nga situata të vogla që zakonisht zgjasin disa minuta ose orë.
- Ndjenja kronike boshllëku – Përjetim i ndjesisë së një “zbrazëtie” të vazhdueshme, shpesh i përshkruar si ndjesia e të qenit “askushi”.
- Sjellje impulsive – Vështirësi në kontrollimin e zemërimit, shpesh me shpërthime, bërtitje ose veprime impulsive që ndonjëherë janë të drejtuara ndaj vetes.
- Paranojë dhe shkëputje nga realiteti – Paranojë ose mendime dyshuese për të tjerët, veçanërisht nën stres. Në raste ekstreme, mund të përjetoni ndjenjën e shkëputjes nga realiteti (disociacion).
Çrregullime Të tjera Që Shpesh Shoqërohen Me BPD
Çrregullimi i personalitetit kufitar (BPD) rrallë diagnostikohet si çrregullim i vetëm. Disa nga çrregullimet që shpesh diagnostikohen bashkë me çrregullimin e personalitetit kufitar janë:
- Depresioni ose çrregullimi bipolar
- Abuzimi me substanca
- Çrregullimet e të ngrënit
- Çrregullimet e ankthit
Çfarë E Shkakton Çrregullimin E Personalitetit Kufitar (BPD)?
Ekspertët e shëndetit mendor besojnë se BPD rezulton nga një kombinim faktorësh, përfshirë:
- Abuzimi dhe trauma në fëmijëri: Deri në 70% e personave me BPD kanë përjetuar abuzim seksual, emocional apo fizik në fëmijëri. Divorci,marrëdhënie familjare jo të mira dhe përdorimi i substancave nga prindërit gjithashtu lidhen me BPD.
- Gjenetika: Studimet tregojnë se çrregullimi i personalitetit kufitar është i trashëgueshëm. Nëse keni histori familjare të BPD, ka mundësi më të larta por jo të garantuara që ta zhvilloni këtë çrregullim.
- Ndryshimet në tru: Tek personat me BPD, pjesët e trurit që kontrollojnë emocionet dhe sjelljen nuk komunikojnë siç duhet. Këto probleme ndikojnë në mënyrën se si funksionon truri i tyre.
Faktorë të tjerë që mund të kontribuojnë për zhvillimin e BPD përfshijnë:
- Mungesa e mbështetjes sociale: Ndikimi i një rrethine sociale të dobët, si mungesa e mbështetjes emocionale, mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të BPD.
- Përvoja të tjera traumatike: Përveç abuzimit, përvoja të tjera stresuese si humbja e një personi të afërt ose dhuna emocionale mund të kontribuojnë në zhvillimin e BPD.
Si trajtohet Çrregullimi I Personalitetit Kufitar?
Trajtimi i çrregullimit të personalitetit kufitar (BPD) është një proces i gjatë, por efektiv kur ndërthuren teknika të ndryshme terapeutike dhe farmaceutike. Psikoterapia është metoda kryesore për trajtimin e çrregullimit të personalitetit kufitar. Ajo synon të ndihmojë në zbulimin e motivimeve dhe frikërave që lidhen me mendimet dhe sjelljet tuaja, si dhe t’ju mësojë të ndërveproni më pozitivisht me të tjerët.
Llojet kryesore të terapive për BPD përfshijnë:
Terapia e sjelljes dialektike (DBT): Kjo terapi është zhvilluar specifikisht për njerëzit me BPD. Ajo ndihmon në pranimin e realitetit të jetës dhe sjelljeve tuaja duke ju mësuar si të ndryshoni mendimet e dëmshme, të kontrolloni emocionet intensive, të zvogëloni sjelljet vetëshkatërruese dhe të përmirësoni marrëdhëniet.
Terapia e sjelljes kognitive (CBT): Një terapi e strukturuar dhe e orientuar drejt qëllimeve që ju ndihmon të analizoni mendimet dhe emocionet tuaja, duke mësuar të largoni modelet negative dhe të zhvilloni mendime më të shëndetshme.
Terapia në grup: Një format ku një grup njerëzish takohen për të ndarë dhe diskutuar problemet nën mbikëqyrjen e një terapisti. Kjo terapi mund të ndihmojë personat me BPD të ndërveprojnë më pozitivisht dhe të shprehen në mënyrë efektive.
Në disa raste, psikiatri mund të rekomandojë medikamente për të trajtuar simptoma specifike si ankthi, depresioni, ndryshimet e humorit ose sjelljet impulsive me anë të antidepresantëve.
Gjetja e terapistit të duhur
Mbështetja dhe udhëzimi i një terapisti të kualifikuar janë thelbësore për trajtimin dhe rikuperimin nga BPD. Terapia, qoftë në person apo online, mund të shërbejë si një hapësirë e sigurt për të punuar mbi çështjet e marrëdhënieve dhe teknikat e reja të përballimit.
Për t’u siguruar që jeni me terapistin e duhur:
- Zgjidhni dikë që ju bën të ndiheni të sigurt dhe të kuptuar.
- Angazhohuni për të ndjekur terapinë rregullisht, duke pranuar që ndryshimi mund të jetë i pakëndshëm por i domosdoshëm.
Si Të Përballeni Në Rast Emergjence
Nëse ndiheni të mbingarkuar nga impulset negative dhe nuk mund të qetësoheni, përpiquni të shpërqendroni veten me aktivitete që kërkojnë përqendrim dhe janë qetësuese. Kjo mund t’ju ndihmojë të kapërceni ndjenjat e momentit derisa impulset të zhduken.
Kujdes: Nëse mendoni se mund të keni BPD është më mirë të kërkoni ndihmë profesionale nga një ekspert i shëndetit mendor me përvojë në trajtimin e këtij çrregullimi.
Trajtimi i çrregullimit të personalitetit kufitar mund të jetë sfidues, por është plotësisht i mundshëm me ndihmën e duhur. Duke punuar me një terapist të kualifikuar dhe duke qëndruar të përkushtuar ndaj procesit të trajtimit, mund të përmirësoni cilësinë e jetës suaj dhe të ndërtoni marrëdhënie më të shëndetshme. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë.
BURIME
AFP-Personality Disorders: Review and Clinical Application in Daily Practice
Mind-Borderline Personality Disorder (BPD)