Skip to content Skip to sidebar Skip to footer
Çrregullimi-i-Identitetit-Disociativ

Çrregullimi i Identitetit Disociativ (DID), më parë i njohur si Çrregullimi i Personalitetit të Shumëfishtë është një çrregullim kompleks psikologjik që shpesh zhvillohet si përgjigje ndaj traumave të rënda në fëmijëri si abuzimi fizik, emocional ose seksual.

Çfarë Është Çrregullimi Disociativ I Identitetit?

Çrregullimi i Identitetit Disociativ (DID) është një gjendje e shëndetit mendor ku një person ka dy ose më shumë identitete të veçanta.

Termi “disociativ” do të thotë ndarje ose shkëputje. Personat me DID shpesh përjetojnë personalitete të ndryshme të cilat zakonisht quhen “alter”.

Për disa njerëz, “alter”-at kanë moshë, gjini apo etni të ndryshme. Çdo identitet mund të ketë sjellje, kujtime, mënyra të të menduarit shprehje dhe ndërveprime krejtësisht të ndryshme.

Këto personalitete mund të marrin kontrollin e sjelljes në momente të ndryshme. Kujtimet shpesh kalojnë nga një identitet te tjetri duke shkaktuar boshllëqe në kujtesë (amnezi).

Kur një personalitet zbulon veten dhe kontrollon mendimet dhe sjelljet e individëve të tjerë, quhet “ndërrim”. Ndërrimi mund të zgjasë disa sekonda, minuta ose ditë.

Si Ndihet Një Person Me DID?

Personat me DID shpesh ndihen si “pasagjerë” në trupin e tyre. Kjo shkëputje nga realiteti dhe identiteti manifestohet në disa mënyra:

  1. Depersonalizimi – Ndjenja e shkëputjes nga trupi

Individi mund të ndihet sikur po e sheh veten nga jashtë trupit ”out of body experience”. Ky fenomen njihet si depersonalizim dhe është i zakonshëm tek njerëzit me DID.

  1. Derealizimi – Bota duket e largët ose e mjegullt

Gjërat përreth duken joreale ose si ëndërr. Kjo shkëputje nga realiteti rrit ndjenjën e pasigurisë.

  1. Amnezia dhe mikro-amnezia – Humbje e kujtesës

Personat me DID përjetojnë boshllëqe në kujtesë duke harruar informacione personale. Ka raste kur ndodh edhe mikro-amnezia,ku bisedat harrohen brenda sekondave duke shkaktuar stres dhe frustrim.

  1. Konfuzioni i identitetit – Paqartësi për veten

Personi mund të ketë vështirësi të kuptojë se kush është në të vërtetë. Ai mund të mos jetë në gjendje të përcaktojë emocionet interesat, bindjet politike apo fetare, orientimin seksual apo qëllimet profesionale.

Simptoma të tjera të lidhura me DID përfshijnë:dhimbje koke pa shkak, vetë-sabotim, vetë-dëmtim edhe sjellje të dhunshme ndaj të tjerëve.

Në disa raste ata kryejnë veprime të papritura dhe impulsive si ngarja e makinës në mënyrë të rrezikshme ose vjedhje, pa e kuptuar plotësisht pse ndihen të detyruar ta bëjnë.

Raste Të Vërteta Të Identitetit Disociativ

  1. Chris Costner Sizemore – “The Three Faces of Eve”: Historia e Chris Costner Sizemore është një nga rastet më të njohura të çrregullimit të identitetit disociativ. Ajo kishte tri personalitete të ndryshme secili me karakteristika dhe sjellje të veçanta ku Dr. Corbett H. Thigpen, bashkëautor i rastit, thekson se është pasojë e traumave të fëmijërisë. Kjo histori është dokumentuar në librin “I’m Eve” dhe është shfaqur në filmin e njohur “The Three Faces of Eve”

  2. Billy Milligan – Njohur për 24 personalitetet e tij për përdorimin e çrregullimit të identitetit disociativ si mbrojtje ligjore. Disa psikologë kanë theksuar se rasti i Milligan ishte një nga më të njohurit për të treguar kompleksitetin dhe pasojat e këtij çrregullimi, por gjithashtu ka ngritur shqetësime rreth abuzimit të mundshëm të kësaj diagnoze në proceset gjyqësore.

Çfarë E Shkakton Çrregullimin Disociativ Të Identitetit?

  • Abuzimi fizik dhe seksual në fëmijëri
  • Abuzimi emocional
  • Dhuna në familje
  • Rritja në një ambient toksik dhe të pasigurt
  • Abuzimi kronik dhe i përsëritur
  • Trauma nga lufta ose fatkeqësi natyrore gjatë fëmijërisë

Studimet tregojnë se 99% e personave me DID kanë përjetuar trauma të rënda para moshës 6 vjeç. Prevalenca globale e çrregullimit është rreth 1% e popullsisë.

Si Diagnozohet Çrregullimi I Identitetit Disociativ (DID)?

Diagnostikimi bëhet nga psikologë klinikë ose psikiatër nëpërmjet:

  • Intervistave të thelluara
  • Pyetësorëve klinikë
  • Analizës së historisë mjekësore dhe psikologjike

Trajtimi I Çrregullimit Të Identitetit Disociativ

Nuk ka kurë për DID por trajtimi afatgjatë është i disponueshëm. Një sistem mbështetës i fortë mund ta bëjë jetesën me çrregullimin e identitetit disociativ më të menaxhueshme. Sigurohuni që të keni pranë profesionistë shëndetësorë, anëtarë të familjes dhe miq që ju kuptojnë.

  1. Psikoterapia – Trajtimi kryesor

Qëllimi: Të ndihmojë individin të kuptojë, të pranojë dhe nëse është e mundur, të bashkojë identitetet e ndara në një të vetëm.

  1. Medikamente

Nuk ka ilaç specifik për DID, por shpesh përdoren antidepresivë ose anksiolitikë për të menaxhuar simptomat dytësore.

  1. Hipnoterapia

Mund të ndihmojë në rikthimin e kujtimeve dhe integrimin e alter-ave.

  1. Terapia e Artit

Ndihmon në shprehjen dhe kuptimin e emocioneve të fshehura duke lehtësuar procesin e shërimit.

A Mund Të Parandalohet Çrregullimi I Identitetit Disociativ (DID)?

Trajtimi sa më shpejt pas episodeve të abuzimit ose traumës mund të parandalojë përparimin e DID. Një profesionist i shëndetit mendor mund t’ju ndihmojë të përballoni këto përvoja të vështira.

Prindërit, kujdestarët dhe mësuesit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave tek fëmijët e vegjël. Me trajtimin e duhur mund të ndiheni më në kontroll të vetes suaj të vërtetë.

Nëse ju ose dikush që njihni po përballet me simptoma të ngjashme me çrregullimin e identitetit disociativ mos u ndjeni vetëm. Me trajtimin e duhur dhe mbështetje nga psikologët dhe komuniteti, është e mundur të jetoni një jetë të plotë dhe të kuptoni më mirë veten tuaj. Çdo hap drejt ndihmës është një hap drejt shërimit.

BURIME
Clinical Psychiatry Essentials Book- Thomas W. Heinrich
Dissociative Identity Disorder-Merck Manual
What Are Dissociative Disorders?-American Psychiatric Association
“The Three Faces of Eve.”-New Georgia Encyclopedi Morris, Susan.
The True Story of Billy Milligan, the First Ever Defendant Found Not Guilty Due to Multiple Personalities-Esquire