Narcizmi është një term psikologjik që përshkruan një sërë karakteristikash dhe sjelljesh që lidhen me vetëvlerësimin e tepruar, mungesën e empatisë dhe nevojën e vazhdueshme për admirim dhe vëmendje. Njerëzit narcist mund të përballen me sfida në marrëdhëniet e tyre për shkak të mënyrës se si perceptohen dhe si veprojnë.
Këshillimi dhe mbështetja profesionale mund t’i ndihmojë ata të gjejnë një mënyrë për t’u lidhur me të tjerët dhe për të menaxhuar ndryshimet në humor që mund të karakterizojnë këtë çrregullim të personalitetit.
A Është Narcisizmi Çrregullim Personaliteti?
Çrregullimi i personalitetit narcist (NPD) është një diagnozë formale e shëndetit mendor dhe jo vetëm një lloj personaliteti ose një zgjedhje personale. Kjo gjendje e shëndetit mendor ndikon në mënyrën se si dikush ndihet, mendon dhe sillet.
Shkaku i narcizmit nuk dihet por mund të lidhet me:
- Mjedisin: Prindërit, eventet që ndodhin gjatë fëmijërisë ndikojnë në mënyrën e zhvillimit, edukimit duke afektuar në të ardhmen.
- Gjenetika: Narcizmi mund të lidhet me karakteristikat tuaja të trashëguara duke përfshirë disa tipare të personalitetit.
- Neurobiologjia: Kjo është lidhja midis trurit, sjelljes dhe të menduarit tuaj.
Cilat Janë Tiparet Në Sjelljen E Një Narcisti?
Njerëzit që tregojnë shenja narcisizmi shpesh mund të jenë shumë simpatikë dhe karizmatikë në fillim. Ata shpesh nuk tregojnë sjellje negative veçanërisht në marrëdhënie. Njerëzit që tregojnë narcisizëm shpesh pëlqejnë të rrethohen me njerëz që ushqejnë egon e tyre. Ata ndërtojnë marrëdhënie për të përforcuar idetë për veten e tyre edhe nëse këto marrëdhënie janë sipërfaqësore.
Njerëzit me këtë çrregullim mund të shfaqin sjellje si:
- Ndjenjë e tepruar e rëndësisë për veten.
- Kërkojnë admirim të vazhdueshëm dhe të tepruar.
- Ndihen se meritojnë privilegje dhe trajtim të veçantë.
- Presin të njihen si superiorë pa arritje konkrete.
- Ekzagjerojnë arritjet dhe talentet e tyre.
- Besojnë se janë superiorë ndaj të tjerëve.
- Përfitojnë nga të tjerët për të marrë atë që duan.
- Sillen në mënyrë arrogante dhe mburren shumë.
- Kërkojnë gjithmonë më të mirën
Në të njëjtën kohë, njerëzit me çrregullim të personalitetit narcisist kanë vështirësi të trajtojnë çdo gjë që ata e shohin si kritikë.
- Bëhen të padurueshëm ose të zemëruar kur nuk marrin vëmendje.
- Kanë probleme në bashkëveprim me të tjerët dhe ndihen të shpërfillur.
- Reagojnë me zemërim dhe nënçmojnë të tjerët për të dukur superiorë.
- Kanë vështirësi në menaxhimin e emocioneve dhe sjelljes.
- Përjetojnë probleme në trajtimin e stresit dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve.
- Shmangin situatat ku mund të dështojnë.
- Ndihen të dëshpëruar kur nuk arrijnë përsosmërinë.
- Kanë ndjenja të fshehta të pasigurisë, turpit dhe frikës se mos ekspozohen si dështim.
Jeta e Përditshme me një Narcisist: Çfarë të Presim
Jeta e përditshme me një narcist mund të jetë e ndërlikuar dhe shpesh stresuese. Narcisistët kërkojnë vëmendje të vazhdueshme duke neglizhuar ndjenjat e të tjerëve. Ata priren të manipulojnë dhe të jenë kontrollues, gjë që mund të dëmtojë vetëvlerësimin dhe mirëqenien emocionale të personit tjetër. Kjo krijon një mjedis sfidues ku ruajtja e një balance të shëndetshme është e vështirë.Më poshtë paraqiten disa shembuj në marrëdheniet me një narcist dhe ndikimi I tyre në gjendjen emocionale të individëve.
Manipulimi Emocional
- Situata: Planifikoni kohë me miqtë.
- Reagimi: “Gjithmonë e zgjedh atë mbi mua. Pse më injoron?”
- Shpjegimi: Narcisisti ju bën të ndiheni fajtorë për vendimet tuaja.
Nevoja për Vëmendje
- Situata: Ngjarje sociale.
- Reagimi: Ndërpret bisedat për të folur për arritjet e veta.
- Shpjegim: Narcisisti kërkon të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes.
Mospranimi i Fajit
- Situata: Gabim në punë.
- Reagimi: “Nuk është përgjegjësia ime. Duhet ta kishe parashikuar.”
- Shpjegim: Narcisisti nuk pranon fajin dhe fajëson të tjerët.
Kritikë e Vazhdueshme
- Situata: Përpiqeni të përmirësoni diçka.
- Reagimi: “Nuk është asgjë në krahasim me atë që mund të bëja unë.”
- Shpjegim: Narcisisti kritikon për të nënvlerësuar përpjekjet tuaja.
Mosvlerësimi i Ndjenjave të Të Tjerëve
- Situata: Shprehni trishtim ose lodhje.
- Reagimi: “Gjithmonë ankoheni për diçka.”
- Shpjegim: Narcisisti nuk vlerëson ndjenjat tuaja dhe përgjigjet me indiferencë.
Përfitimi Vetjak
- Situata: Ndihmoni në një projekt.
- Reagimi: Merr të gjitha meritat.
- Shpjegim: Narcisisti përdor të tjerët për përfitime personale.
Shkatërrimi i Besimit
- Situata: Ndani një sekret.
- Reagimi: E përdor kundër jush.
- Shpjegim: Narcisisti përdor informacionin personal për të manipuluar.
Marrëdhëniet Romantike
- Idealizmi: Fillimisht ju vlerëson dhe ju bën të ndiheni të veçantë.Me kohën fillon të kritikon dhe nënvlerëson.
- Manipulim emocional: Ju bën të dyshoni në mendimet dhe ndjenjat tuaja.
A Janë Meshkujt Më Narcist Sesa Femrat?
Një studim i bërë nga Emily Grijalva narcizmi u vlerësua duke përdorur një test standard të njohur si “Narcissistic Personality Inventory” (NPI), i cili përfshinte pyetje për karakteristika si nevoja për admirim, ndjenjat e rëndësisë personale dhe siguria në vetvete. Studimi zbuloi se nivelet e narcizmit janë më të larta tek meshkujt se tek femrat. Meshkujt kanë një tendencë më të madhe për të shfaqur karakteristika narciste siç janë siguria në vetvete nevoja për admirim dhe dominancë. Megjithatë, ka hulumtime të tjera që kanë zbuluar që nuk ka dallim të madh midis gjinisë në nivelet e narcizmit.
Në përgjithësi, është e rëndësishme të kuptohet se narcizmi është një karakteristikë komplekse dhe nuk mund të përcaktohet me një standard të vetëm gjinor. Ka shumë faktorë që mund të ndikojnë në nivelin e narcizmit, përfshirë kontekstin social, kulturën, dhe faktorët individualë si edukimi dhe përvoja personale.
A Mund Të Trajtohet Narcizmi?
Terapia ka potencialin për të ndihmuar dikë narcist të zhvillojë aftësi dhe strategji që mund t’i ndihmojnë ata të ndryshojnë mënyrën se si lidhen me të tjerët dhe veten e tyre. Kur personi angazhohet për trajtim afatgjatë, një terapist mund të jetë në gjendje t’i ndihmojë ata:
- Rregullojnë dhe kuptojnë emocionet e tyre
- Identifikojnë sjelljet dhe qëndrimet që mund të çojnë në konflikt me njerëzit e tjerë
- Zhvillojnë aftësinë për të parandaluar dhe ndryshuar këto sjellje
- Menaxhimi I reagimeve ndaj kritikave
- Zhvillimi i aftësive për të ndërtuar marrëdhënie më intime dhe të qëndrueshme
- Zhvillimi i mekanizmave adaptues të përballimit
Metodat më të zakonshme për trajtimin e Çrregullimi i personalitetit narcist janë:
- Psikoterapia
- Terapia njohëse e sjelljes CBT
- Psikoterapia ndërpersonale metakognitive
- Terapia e sjelljes dialektike
Nëse shihni aspekte të personalitetit tuaj që janë të ngjashme me çrregullimin e personalitetit narcist ose ndiheni të mbingarkuar merrni parasysh të kontaktoni një terapist të kujdesit shëndetit mendor. Rezervoni tani një takim!
BURIME
Psychology Today-Narcissism
Mayo Clinic-Narcissistic personality disorder
PsychCentral-All About Narcissistic Personality Disorder