“Shqetësimi është bartja e ngarkesës së të nesërmes me forcën e ditës së sotme – bartja e dy ditëve në të njëjtën kohë. Ai ka marrë rrugën drejt së nesërmes përpara kohe. Shqetësimi nuk e zbraz të nesërmen nga pikëllimi, ai e zbraz të sotmen nga forca e tij.”
Corrie ten Bum
Crregullimet e ankthit janë çrregullimet mendore më mbizotëruese në popullatën e përgjithshme. Ata prekin 3.6 % të popullatës, rreth 264 milion njerëz, 9.3 % të meshkujve dhe 11.9 % të femrave. Diferencat gjinore në përqindje variojnë në varësi të tipit të çrregullimit të ankthit dhe moshës së pacientit.
Ankthi dallohet nga frika, e cila është një reaksion normal, i përshatshëm, ndaj një burimi rreziku, të njohur nga vetëdija jonë. Ajo është në përshatje si në intensitet, edhe në kohëzgjatje ,me burimin e rrezikut. Gjithashtu, me largimin e kërcënimit nga burimi i rrezikut, frika largohet. Frika karakterizohet nga përjetimi subjektiv i shqetësimit ( irritabilitet ,shqetësim etj.) dhe simptoma fizike si: shpejtim i frymëmarrjes, rrahje të shpeshta zemre, dridhje muskulare, zbehje (nga rishpërndarja e gjakut nga lëkura dhe organet e brendshme drejt grupeve të muskujve të mëdhenj, që e përgatisin trupin për përgjigjen “fight or flight”, “luftim ose fluturim”, që ndodh në situata që perceptohen si të rrezikshme). Ankthi është një përgjigje ndaj një burimi rreziku që nuk është i dukshëm nga personi që e përjeton. Kërcënimi është i panjohur, i vagët, konfliktual ose në dukje i parëndësishëm në krahasim me reaksionin e fuqishëm që shkakton ( përjetimi subjektiv i shqetësimit dhe simptomat fizike). Ankthi është një gjendje, e cila ka shumë pasoja: influencon mënyrën e të menduarit dhe mund të japë çrregullime të pëeceptimit.
Sipas manualit diagnostic DSM-5 , “krizat e ankthit” nuk përmenden më, por përcaktohet “ankthi” si një veçori e disa çrregullimeve psikiatrike.
Ataket e panikut mund t’i ndodhin kujtdo. Ai është një simptomë që gjendet në disa nga çrregullimet e ankthit . Të përjetuarit të më shumë se një ataku mund të jetë shenjë e Crregullimit të Panikut. Ataket e panikut karakterizohen nga një kombinim i simptomave emocionale, mendore dhe fizike. Është e rëndësishme të kuptohet se shenjat dhe simptomat e ankthit janë të hapura për interpretim dhe ajo që një person përshkruan e njeh si “krizë ankthi”, mund të jetë krejt ndryshe klinikisht me atë që dikush tjetër përjëton dhe njeh si “krizë ankthi”.
Një atak paniku karakterizohet nga 4 ose më shumë nga simptomat e mëposhtme, brenda 10 minutave të fillimit të episodit:
- Rrahje jashtë rradhe ose rrahje të përshpejtuara të zemrës
- Djersitje
- Dridhje ose lëkundje
- Ndjesitë e gulçimit, shkurtimit të frymëmarrjes
- Njdjenjë e mbytjes
- Dhimbje ose parehati në gjoks
- Të përziera ose shqetësim abdominal
- Marrje mendsh, ndjenjë paqëndrueshmerie ose të fikti
- Ndjenjat e mungesës së realitetit (derealizimi) ose ndjenjë e shkëputjes nga vetja (depersonalizimi)
- Frika nga humbja e kontrollit gjatë atakut ose frikë mos çmendet
- Frika nga vdekja
- Mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash (parestezia)
- Të dridhura nga ndjesia e të ftohtit ose afshe të nxehta
Ekzistojne kategori të dallueshme të atakeve të panikut:
- Ataket e provokuara të panikut ( të lidhura me situatën) janë ato që lidhen me një frikë specifike, si psh.: nga fluturimi me avion, ashensori etj.
- Ataket e papritura të panikut nuk kanë asnjë shkak ose stresor të dukshëm dhe ndodhin spontanisht.
Ju mund t’i përjetoni të dyja gjendjet në të njëjtën kohë. Për shembull, përpara një prezantimi publik, një ndërhyrje kirugjikale etj, ju mund të jeni të shqetësuar, anksioz lidhur me atë që do të ndodhë dhe ankthi mund të kulmojë në atak paniku kur momenti vjen.
Ataket e panikut dhe krizat e ankthit mund të duken si të njëjta sepse kanë të përbashkëta shumë simptoma emocionale dhe fizike. Ekzistojnë disa dallime midis tyre, por shpesh është e vështirë të bëhet diferenca.
- Ankthi zakonisht lidhet me diçka që perceptohet si stresuese ose kërcënuese. Ataket e panikut nuk shkaktohen gjithmonë nga një stresor. Më shpesh ato ndodhin krejt papritur.
- Kriza e ankthit mund të jetë e leht%, e moderuar ose e rëndë. Ataket e panikut, nga ana tjetër, kryesisht përfshijnë simptoma të rënda, tmerruese.
- Gjatë një ataku paniku, reagimi autonom i trupit, i tipit “ fluturo ose lufto” ështe intensiv dhe simptomat fizike janë shpesh më të shprehura se simptomat qe ankthit.
- Ankthi zakonisht zhvillohet gradualisht, ndërsa ataket e panikut zakonisht vijnë papritur.
- Ataket e panikut zakonisht shkaktojnë shqetësim, frikë se mos ndodh në atak tjetër i ngjashëm. Kjo mund të ketë një efekt në sjelljen tuaj, duke ju bërë të shmangni vendet ose situatat ku mendoni se mund të jeni në rrezik të një ataku tjetër paniku.
- Ndër simptomat emocionale, diferencuese për një atak paniku, karakteristike janë:
- frika se personi do të vdesë
- frika se do të humbasë e kontrollin e vetes
- frika se do të çmendet
- ndjenja e shkëputjes nga bota (derealizimi) ose vetvetja (depersonalizimi)
Ndjenjat e shqetësimit, frikës ose tmerrit mund të jenë paralizuese. Identifikimi i simptomave tuaja – dhe njohja se ndihma është e disponueshme – është çelësi i shërimimit.
Referencat:
Michigan health 2017, “Panic attacs vs Anxiety attack, 6 things to know”. Kevin Joy.
Our wold in data, 2017.
WebMD, “Panic attack symptoms” 2021, Melissa Conrad Stoppler.
Healthline 2021, “ What’s the difference between a panic attack and anxiety attack”,Carly Vandergriendt
Kaplan & Sadock, Pocket handbook of clinical psychology, fifth edition
Psikiatria për studentët e mjekësisë